Mr. Arvizu, help us out!

Postuar në 15 Prill, 2012 05:16

Zoti Ambasador, ndoshta për ndonji çast qysh se jeni caktue me detyrë në Tiranë mund ta keni ndie veten të lodhun prej kaosit, keqkuptimeve, levantinizmit, rrenës së ngritun në rangun e metodës dhe shumë veçorive tjera, që s’na dallojnë prej fqinjëve tanë, por thjesht prej nji vendi me të vërtetë demokratik si ai i jueji.

Ju dhe shteti që përfaqsoni, ma shumë se askush tjetër, ka kontribue në këto dy dekada në konsolidimin e demokracisë së brishtë shqiptare.

Paraardhësit tuej dhe ju vetë herë jeni të tregue të durueshëm deri në kufijtë e skajshëm të këtij virtyti, herë keni folë haptas tue thanë të vërtetën me za të naltë.

Sot jemi këtu ku jemi, askush s’mund ta përfytyronte nji gjendje ma të keqe institucionale se kjo në të cilën gjendemi.

Kemi rishtas nevojë për ndihmën tuej si përfaqsues i Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Përtej çdo retorike, vendi juej ka ende se çka me i mësue botës. Vërente dikur Tocqueville se amerikanët përballen me të njejtat probleme dhe mangësi të natyrës njerzore si gjithë të tjerët, por njikohsisht ata i tregojnë botës mënyrën sesi me i zgjidh në rrugë demokratike ato probleme dhe si me ba që të funksionojnë institucionet. Parimi i sovranitetit popullor, theksonte mendimtari francez, në Amerikë nuk asht shterpë si në vende tjera, ai asht i siguruem me ligj dhe i pasqyruem në jetën politike të vendit.

Ne sot kemi me qindra probleme, tue nisë prej mjedisit, papunësisë, krimit të organizuem, sistemit shëndetsor dhe atij shkollor, korrupsionit, gjyqsorit etj., por funksionimi i institucioneve asht problemi ynë kryesor. Kemi pa në këto dy dekada keqeshkroje demokracie sesi dialektika politike shumë herë ka degjenerue në luftë civile dhe në sulme ad hominem, ku kundërshtari menjiherë ka marrë tiparet e anmikut. Ecejaket servile të politikanëve tanë kah Lindja kanë tregue se nuk janë të sinqertë, degradimi i tyne edhe në sallën e Parlamentit i ka tregue botës se janë nën nivelin e pranueshëm të standardeve të botës së qytetnueme.

Në muejt e ardhshëm duhet të zgjedhim Presidentin e ri. Edhe mënyra e zgjedhjes së tij do të përbajë nji standard, konsensualiteti dhe kompromisi duhet të ishin fjalëkalimi i politikanëve tanë, por ju e dini mirë tashma se shumica e individëve që merren me politikë te ne nuk kanë nji ndjeshmëni të theksueme ndaj nevojës për dialog.

Kemi nevojë për nji President që të jetë roje e denjë e institucioneve republikane, që të ketë autoritet moral dhe të jetë i panjollë, që të vijë prej nji fushe dhe nji karriere personale ku të mos ketë njohtë dështime dhe të mos jetë njollosë.

Kemi nevojë për nji President që të mos i përkasin brezit të vjetër dhe aradhës së të përlyemve me lojnat e ndyta të partive, e njikohsisht na duhet nji njeri i urtë dhe i papërkulun para atyne që duen me vijue me poshtnue sistemin demokratik në Shqipni.

E kuptoj se kjo që kërkohet asht e vështirë për me u arritë, megjithatë nuk duhet të dëshpërohemi, pse kemi ende njerëz që punojnë në heshtje dhe u shërbejnë institucioneve, që janë të ndershëm dhe nuk shiten as nuk blehen.

Jemi në nji fazë kritike, por nuk kemi të drejtë të dëshpërohemi pse kemi miq si ju, z.Ambasador, të vemendshëm dhe të gatshëm me na ndihmue me këshilla, me eksperiencë dhe me praninë tuej pozitive.

E di se z.Arvizu nuk mund të hyjë në skenën e trazueme të politikës shqiptare si nji deus ex machina për t’i dhanë nji happy end konflikteve tona të mbrendshme, por kini parasysh se derisa të kemi në radhët e para të politikës sonë njerëz me mendësi të kolaudueme antidemokratike, do të kemi nevojë për ju dhe për vendin tuej.

Si unë ka edhe nji shumicë shqiptarësh që ju kërkojnë që të mos lodheni prej intrigave të politikës sonë, por të vijoni me qenë kërkues ndaj gjithë faktorëve politikë, në mënyrë që të kemi nji arsye ma shumë për me e festue me shpresë ketë 100-vjetor të Pamvarsisë sonë, të kemi nji President konsensual, që të rrijë mbi të gjitha forcat politike e të japë nji kontribut aktiv në konsolidimin e jetës demokratike të institucioneve shqiptare.

Na ndihmoni edhe ju z.Arvizu!

Comments

Submitted by hapi (not verified) on

Lesh, lesh.

Kësaj i thonë me u dorëzu në rrugën për demokraci e me e kërku gjithmonë shpëtimin nga jasht. Nga persona të cilët nuk kanë asnjë legjitimitet demokratik në Shqipëri.

Ana tjetër e kësaj medaljeje, është t'ja vesh fajin për të gjitha problemet armikut të jashtëm dhe "agjentëve" (Amerikanit, Rusit, Kinezit, Grekut, Serbit, Turkut, Italianit).

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

S'ka çka i ban as ambasadori amerikan e askush tjeter nji populli te osmanizuem per pese shekuj rresht. Ky popull nxjerr ate qeveri siç asht vete. Nuk e njeh qytetnimin prendimor prej te cilit u shkeput me dhune qyshe nga viti 1479. Edhe vendi ma i mbrapambetun i Ballkanit asht ma perpara se shqiptaret. Shqipetaret duan Baben. Ballkansit nuk e duan Baben. Kjo asht çeshtja. Ne shpinde do ti kene ballkansit pergjithmone shqiptaret e trash, qe nuk zane mend nga historia.

Submitted by fatos gjoni (not verified) on

zoti mustafa nano, thjesht pse e ka shkruar ndreca nuk pse e fur ne respublica shkrimin. duket qe s'e ke lexu fare, por ke pare emrin e autorit dhe ke thene me vete: po e fus se derisa e ka shkru duhet te jete i mire. me perzgjedhes here tjera.

ky kelysh katoliku qe cdo pordhe qe vjen nga vatikani e quan ar, nuk mund te konsiderohet si intelektual. thuaji te shkruaje nje artikull kunder jozefines dhe nuk ka per ta bere, thjesht e vetem pse eshte katolike. bashke me alfred lelen kane perhapur idene e jozefines si presidente,medemek per ta hequr qafe nga pd. por thjesht duan te kene ne krye te shtetit nje katolike. kaq!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.