Po Edi Ramës çfarë oferte i kanë bërë amerikanët?

Postuar në 26 Tetor, 2023 14:20
Skerdilajd Zaimi

 

Qarkullon në Tiranë prej kohësh një tip analisti që ka aftësinë për ta bërë të urryer profesionin e gazetarit, që e ndot këtë profesion me informacione të deformuara dhe me rolin e një zëdhënësi mes dy botëve: të politikës dhe medias. Por edhe me botën e ambasadave të huaja. Analistë të ndryshëm në Tiranë thirren në seli të ndryshme diplomatike, dëgjohen e këshillohen, u jepet kështu statusi i një ndërmjetësimi që ka në finale një rezultat: helmimin e opinionit publik.  

një dalje të fundit në media, një përfaqësues i këtij soji të veçantë në këtë fushë, ka deklaruar se ish-kryeministrit Sali Berisha iu ofrua pazari për ta shpëtuar nga ndjekja penale.

Iu ofrua…nga ata që e kanë ngritur SPAK-un dhe e kanë shpallur “non grata”. Kur dikush nuk e kupton kur është mjaft…Ai nuk do ishte ndjekur sepse kemi kaluar përmes një sistemi korruptiv dhe kur vendoset vija e kuqe, i amnistojnë dhe i falin të gjitha gabimet. Sot Malltezi dhe kushdo nga familja prej Berishës e merr ndëshkimin për shkak të krenarisë së tij të malësorit dhe është keq që ai nuk është larguar. Njeriu që e vendos në piedestal të politikës dhe e mban aty Ramën, është Berisha

Ky paragraf sugjeron se pas reformës në drejtësi, pas SPAK-ut e sorollopëve të prokurorëve që hetojnë, qëndron një pushtet i epërm, që bën motin në këtë vend. Që të mban jashtë burgut, apo të fut në burg, madje që të heton, ose të lë pa hetuar. Dhe këta janë amerikanët, ata që e shpallën reformën në drejtësi interes strategjik të SHBA-ve me gojën e ambasadorëve të tyre në Tiranë.

Nëse është kështu dhe këtë element po e shërbejnë në opinion zëdhënës të të gjithë krahëve, atëherë për çfarë drejtësie po flasim? Për cilën reformë? Dhe për cilin shtet ligjor? Këtu jemi para një niveli të ri të cinizmit dhe hipokrizisë me ligjërimin për demokracinë, sepse po pranohet publikisht dhe madje po përcillet si mesazh force fakti se drejtësia në këtë vend është një instrument inkuizator i dikujt që e kontrollon ekzistencën dhe funksionet e tij.

Ironikja është këtu se Shqipëria rikthehet aty ku u rimor akuza ndaj sistemit komunist: në leksionet e studentëve të juridikut apo në seminare të ndryshëm të pas ’90-ës thuhej shprehimisht se dallimi mes dy sistemeve është se në Komunizëm ishte në fuqi sistemi Inkuizator, kurse në Demokraci është ai Akuzator, çka teknikisht nënkupton dy lloj drejtësish: atë të montimit dhe tjetrën të hetimit me prezumim pafajësie.

Rikthehet aty ku ishte sepse në Shqipëri sot hetohet ai për të cilin duan amerikanët, këtë po na thonë analistët e një lloj shërbimi të veçantë të inteligjencës, tellallët e një të vërtete që ka strukur shoqërinë në një apati të paprecedentë. Në apatinë e bindjes së asgjë nuk ndryshon, se diku tjetër vendoset për Ne.

Dhe më groteskja është se këtë sistem inkuizator e "konteston" sipas të njëjtës logjikë faktesh, “jo apeli për të drejtën dhe avokatia”, por etosi i malësorit që ndjek kanunet e veta.

A ka mjerim më të madh për këtë vend sesa kjo situatë që shohim para nesh? A ka mesazh më subversiv sesa ky që i thotë të gjithë shqiptarëve: Shqipëria as ka qenë, as është e as do të jetë Juaja? Për cilin rishkrim historie do të mund të flasim, për cilën qasje etike ndaj historisë do të mund të diskutojmë në kushtet e këtij nënshtrimi të neveritshëm poshtë çdo lloj sovraniteti formal? Atëherë malok ishte edhe Enver Hoxha, Ahmed Zogu dhe kushdo që përdor përemrin “UNË” në kundërpasqyrim të proverbit të shqiptarit që “fle dhe nuk duket” se “kështu ka qenë e kështu do të jetë”.

E meqë jemi këtu, ne pyesim me kuriozitet këtë analistin: po z. Rama çfarë oferte i është bërë, mund të na e thoni?

Comments

Submitted by Papa Karlo (not verified) on

Apologjeti nr 1 i Salih Ram Berishes.
Edhe baba t'a kishe pasur nuk do te dhimbsej kaq shume. SPAK e kane krijuar Amerikanet, miqte dhe aleatet tane te dashur qe mos na lente perrendia pa ta. Prandaj mos e fajeso Ramen per Berishe e Spak. E as per Kosove. Po t'u merzit jeta ne Shqiperi shko e kerko azil ne Kosove se kete website e ke kthy ne leter higjenike per Kosove e Rame.

Submitted by esati (not verified) on

Nuk e di kush ka bere ate koment qe permendet ne artikull. Por te mos flasim keq per ate njeri qe perdori te drejten e tij te fjales per te artikuluar nje teze plotesisht logjike, vertetesine e se ciles nuk e verifikojme dot.
Ne nje vend si shqiperia ku askush nuk denohet e nuk eshte denuar ndonjehere me drejtesi, fakti qe Fuqite e Medha zbriten si nga qielli plot me dashamiresi te rivendosin drejtesine e vertete, do te befasonte shume prej nesh.
Shume njerez, edhe me cinizem, mendojne qe edhe ky, si shume raste perpara, do te vazhdojne te jene shembuj te "realpolitik", se Berisha e te tjere si ai do bejne pazar me ata te cilet kane bezdisur, dhe se sa kohe nuk perbejne problem nderkombetar gjeopolitik, maskarenjve te PD edhe PS, as kesaj radhe nuk do tu hyje gjemb ne kembe.
Kete vetem koha do ta tregoje, por une do te isha i gezuar shume sikur ta kisha gabim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.