“Eksperimentet e dështuara” ishin të pashmangshme. Goditjen në ushtri e orkestroi Mehmet Shehu

Postuar në 15 Korrik, 2023 00:11
Intervistoi: Stavros Ximas

 

Katër vite pas intervistës së parë, më njoftoi që isha i ftuari i saj, bashkë me Manolis Glezos nga Greqia, për festimet e 16 tetorit 2008, në lidhje me 100 vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës dhe ramë dakord, që të më jepte një intervistë të gjatë. Shkova më herët, pasi ditën e festimeve duhej të isha diku tjetër, të mbuloja vizitën e Papulias në Vietnam. U shpreh me fjalë lavdëruese për Papulian, Glezon dhe Andrean Papandreu. E gjeta tek sistemonte shtëpinë e saj modeste. Po lyente me gëlqere korridorin e ndërtesës së vjetër, që të vinte në mur fotografi të papublikuara më parë të Enverit, kishte marrë me qira një ekran gjigant, që të tregonte momente të filmuara nga jeta e tij dhe po përgatiste ëmbëlsira, raki e kafe për të ftuarit.

Kam ftuar shumë njerëz nga jashtë, nga Spanja, Italia, Argjentina, Rusia, etj. Do mbërrijnë kosovarë me autobusë dhe shumë shqiptarë, që do të shpërfillin klimën e revanshit. Gjithë shokët janë të mirëpritur në shtëpinë time..”.  Pas gostisë tradicionale, përgatita kasetofonin për intervistën. Iku dhe u kthye për pak minuta, duke mbajtur në duar disa letra.

-Intervista është gati më tha, nuk do të lodhesh.

-Si është gati? - e pyeta

-Rregullova dhe iu përgjigja disa pyetjeve, që mendova, se me shumë gjasa të më pyesni.

-Më lejoni t’iu drejtoj pyetjet që dua unë dhe jo ato që dëshironi ju… , - vazhdova dhe mendova, që kisha para meje një krijesë të pastër ideologjiko-politike të Andrei Zhdanov.

-Asnjë problem, e bëra që t’iu lehtësoja, por nëse dëshironi mund ta mbani dhe publikojeni pas vdekjes sime, një lloj testamenti politik,-  më tha me ton të sjellshëm dhe ia premtova.

Qenë 22 fletë të mbushura, të shkruara me dorë, ku radhiteshin pikëpamjet e saj mbi funksionimin dhe zhvillimin e regjimit, parë nga çdo këndvështrim, të cilit ajo i shërbeu dhe e bashkëformësoi nga pozicioni i kuadros së lartë. Po e prezantoj më poshtë, duke ruajtur besnikërinë e origjinalit në shqip. Intervista e pablikuar, sikurse e rregulloi ajo vetë (vuri dhe titull madje), vijon si më poshtë:

  • Z. Stavro Xima
  • Nënshkruar nga Nexhmije Hoxha
  • Intervistë
  • Titulli: Mendimi im për sistemin demokratik në Shqipëri

------***------

Përktheu për ResPublica: Eleana ZHAKO

Cili është mendimi juaj për sistemin demokratik në Shqipëri?

Regjimi i ri demokratik, që u vendos pas 1990-s, i cili luftoi dhe vazhdoi të luftonte me urrejtje të pashembullt gabimet e sistemit socialist, nëpërkëmbi me zemërim të tërbuar, lirinë e të drejtave njerëzore. Pushoi nga puna gjithë komunistët, oficerët e ushtrisë, pedagogët, por edhe gjithë ata, që nuk donin të ndryshonin idetë e tyre. Veteranët e luftës u keqtrajtuan, madje nuk denjuan edhe të gjymtojnë monumentet e heronjve, por edhe të udhëheqësve të mëdhenj, Udhëheqësit të Përgjithshëm të Luftës së dytë Botërore, Enver Hoxhës, që pati marrë titullin “Suvorov”, për rolin e tij në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa, politikanët më të rëndësishëm të Partisë së Punës, që i hapën rrugën pluralizmit, u burgosën. Dhe nuk u burgosën si të burgosur politikë, por për shpërdorim detyre dhe paraje, me akuza të rreme. Një prej tyre isha dhe unë, që u burgosa me akuza të tilla të rreme, një grua 75 vjeçare, vetëm e vetëm ngaqë isha gruaja e Enver Hoxhës. Për më tepër, gjyqi im ishte i hapur dhe transmentohej drejtpërdrejt në televizor, me qëllim që këto akuza të rreme, të njollosnin familjen e Enver Hoxhës. Por kjo ngjarje, ku u kërkua publikisht burgimi im, u kthye kundër Sali Berishës, sepse gjyqi nuk gjeti asnjë fakt fajësues, përveç disa kafeve, që kishte paguar shteti, kur familja ime qeraste me kafe gjithë vizitorët, që erdhën te vdekja e Enverit, në nderim të kujtimit të tij. Ishte një zakon, që e kishin të gjitha familjet shqiptare. Por, pavarësisht kësaj, vendimi u mor dhe u burgosa për 11 vjet, pa u vërtetuar asgjë ndaj akuzave, që u ngritën në gjyq kundër meje. Bëra vetëm pesë vjet nga 11, në tre burgje të ndryshme të Shqipërisë demokratike. Gjyqi në fjalë u quajt nga mediat si “gjyqi i kafeve”, një gjyq i stisur, pa asnjê vlerë. Përveç pozicionit të deputetes, nuk mbaja asnjë pozicion tjetër në organet e larta të Partisë e të shtetit. Përse shteti demokratik, si shtet i drejtë, nuk mori parasysh që unë luftova nga fillimi deri në fund në çdo ngjarje historike e kombëtare, që isha përherë e pranishme, në Mbledhjen e Pezës (1942), Konferencën e Labinotit (1943) e gjer në Kongresin e Përmetit (1944).

Si mund të anashkalojmë 45 vjet pune dhe emancipimi të gruas shqiptare dhe shoqërisë së kulturës? Aq më tepër, që populli e brohoriti zgjedhjen time si Kryetare e Frontit Demokratik, një organizatë shumë e hapur, pluraliste, me të përzgjedhur nga organizata të arteve e shkencave, me personalitete të mëdha nga të gjitha fushat. Përse këto s’u morën parasysh atëherë dhe përse u desh tani burgosja ime? Për ne nuk do të ketë burgim më të madh, se sa ai i rrafshimit të gjithçkaje, që kishte ndërtuar populli gjatë kohës së Partisë së Punës. Partia e vetme, që pavarësisht viteve të shumta të sukseseve, u shpall me ligj e jashtëligjshme dhe u votua që të funksionojnë partitë e Frontit Kombëtar, “Balli kombëtar”, “Lëvizja e Legalitetit”, parti të cilat bashkëpunuan me pushtuesit, ikën jashtë vendit e më pas u rikthyen që të shkatërrojnë çka ndërtuan komunistët dhe të marrin pas pasuritë e baballarëve të tyre.

Ç’mendim keni për Shqipërinë dhe popullin shqiptar?

Vijnë të huajt dhe entuziazmohen me bukuritë e Shqipërisë. Me diellin, klimën, detin, ujrat e pasura, bregdetet, një nga vendet më të bukura në botë. Nga ana tjetër, malet e larta, lumenjtë e burimet. Ky është atdheu im, kjo është toka jonë dhe jemi krenarë jo vetëm për bukuritë, por edhe për pasuritë e saj minerale.

Ama pasuria më e madhe është populli i këtij vendi. Shqiptarët si popull e si komb, u rezistuan shumë luftrave që deshën t’i shfarosnin, por si popull me një histori të vjetër e të lashtë, i bëri ballë gjithfarë pushtimeve, ruajti gjuhën dhe unitetin e kombit, si edhe unitetin fetar. Shumë perandori kaluan nga ky vend, por shqiptari ruajti identitetin e vet përmes forcës që e karakterizon, besës, mikpritjes, etj. Gjatë 45 viteve të qeverisjes socialiste, shqiptarët u dalluan si popull shumë punëtor, që u bë i njohur në krejt botën për ndershmërinë dhe disiplinën.

Nëse kthejmë vështrimin pas gjatë këtyre viteve, cili është mendimi juaj dhe përshtypjet për cilësinë e jetës në Shqipëri?

Për Shqipërinë e sotme ndiej një trishtim shumë të madh. Përse duhej të shkatërrohej në formë të organizuar deri në themel, siç shpallën politikanët demokratë? Çfarë u ndërtua në 45 vjet, u bë me djersën dhe flijimet e një populli punëtor dhe ishte rezultat i vullnetit të të gjithë popullit, jo vetëm i 150-200 mijë komunistëve. E kam thënë publikisht, që në vitet e para të ndryshimeve. Shqipëria do të rindërtohet me rrugë, pallate e parqe më të bukura, sepse vendi ynë është i bukur dhe me burime të pasura dhe s’mund të jetojë, po s’u shfrytëzua pasuria e tij. Por, nuk duhet të shkatërrojmë ekonominë e vendit dhe ta shpiem drejt “zeros absolute”.

Politikanët e vendit humbën shumë kohë, që të ndryshojnë jetën e shqiptarëve dhe të integrojnë Shqipërinë në BE. Të lind pyetja, përse në Shqipëri, në ndryshim nga vendet e tjera socialiste të Europës, u shkatërrua krejt ekonomia e mëparshme? Përse gjendja politike vazhdon të jetë akoma kaotike, e paekuilibruar dhe e pasigurt për qytetarin?

Sipas mendimit tim, ndryshe nga shtetet e tjera socialiste të Europës, si Hungaria, Çekosllovakia, Polonia, etj., që e kishin jetuar në njëfarë mënyre sistemin kapitalist me karakter shumëpartiak, Shqipëria nga Lufta e Dytë Botërore kaloi menjëherë nga sistemi feudal në atë socialist. Siç është e njohur, drejtuesit e shtresave të larta të sistemit të errët feudal, u arratisën bashkë me familjet e tyre për 40-50 vjet dhe shkuan jashtë shtetit me ëndrrën, që një ditë do të ktheheshin në atdhe, që të marrin pasuritë dhe postet e tyre, sikurse prindërit e tyre dikur. Gjatë 40 viteve jashtë, ballistët dhe legalistët nuk morën asnjë mësim nga demokracia e amerikanëve, britanikëve, francezëve, etj. Në shoqërinë socialiste janë rritur breza të rinjsh dhe baballarësh, që qenë punëtorë, bujq, ish partizanë dhe nuk kishin trashëguar pasuri të patundshme dhe ofiqe politike, por kishin marrë njohuri dhe ishin të vendosur të ecnin para me hapin e botës moderne e të zhvilluar, dhe jo të kthehen pas në jetën e shkuar dhe në zakonet e së kaluarës.

Me vendosjen e pluralizmit në 1990-n në Shqipëri, këto dy forca popullore u ndeshën ashpër mes tyre. Kjo s’ishte aspak “sportive” dhe demokratike. Po si ndryshe, do të fitonin pushtetin e do të pasuroheshin shpejt?

Në Shqipëri, prostitucioni dhe korrupsioni kishin marrë përmasa të tmerrshme, shteti nuk i luftoi, nuk luftoi zakonet e sëmura të shoqërisë. Shqiptarët e kuptuan, se kishin humbur qetësinë, sigurinë për jetën, të ardhmen, por një ditë, kur ky shtet do të bëhet shtet i së drejtës, do mund të gjejmë thesare të zhdukura, si uniteti politik e shpirtëror, solidariteti dhe humanizmi, që tani këto gjëra s’i gjen më. Kthesa që bëri kombi shqiptar, kur pas ndryshimit të sistemit, u orientua drejt shoqërisë kapitaliste, pati si rezultat lindjen e fenomeneve negative në të ashtuquajturën periudhë tranzicioni, që zezoi imazhin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Por, pavarësisht kësaj goditjeje, kam besim te populli im. Dhe kjo u duk gjatë kohës së Luftës Çlirimtare e punës për ndërtimin e socializmit. Pavarësisht se qe një pjesë e popullit, ajo që rrëzoi statujën e Enverit, kjo turmë ishte e nxitur nga situata të caktuara e të pavetëdijshme, çka u shfaq dhe me gjymtimin e busteve të rilindasve. Por, jeta i bëri tani të vetëdijësohen, se s'kishin ç’të fitonin nga kjo gjë.

Si ishte jeta në Shqipëri, para se të vinte në pushtet bashkëshorti juaj Enver Hoxha?

Qeveria e re popullore me Kryeministër Enver Hoxhën, kur erdhi në pushtet trashëgoi nga sundimi pesëshekullor otoman një Shqipëri në varfëri të plotë. Njohja e vonë e pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n, rivalitetet dhe peripecitë në Ballkan (Lufta e Parë Botërore), që sollën copëtimin e trojeve shqiptare, si dhe 15 vitet e qeverisjes së të vetëquajturit Mbret, Ahmet Zogut, kishin si rezultat prapambetjen e madhe të vendit në të gjitha fushat. Shqipërinë e gjetëm me parmendë druri, me asnjë kilometër hekurudhe, pa industri, me ca fabrika shkel e shko. Vetëm në qytete familjet kishin llamba vajguri, kurse në fshatra kishin kandila. 90% e popullsisë ishte analfabete, njerëzit me arsim të mesëm numëroheshin me gishtat e një dore. Intelektualët e profesioneve të ndryshme, si mësues, mjekë, gjykatës, gazetarë, politikanë, etj., ishin rreth 360 persona dhe të gjithë të arsimuar jashtë. Pushtuesit fashistë (italianët) ndërtuan rrugë për përfitimet e tyre, krijuan shërbime administrative me qëllim, që të përhapnin ndikimin e tyre, por nga ana tjetër dogjën gjithë ato zona dhe veshën në të zeza me mijëra nëna.

Si ishte jeta në Shqipëri gjatë udhëheqjes së Enver Hoxhës?

Për gjysmë shekulli bëri hapa të tillë, që shtete të vegjël si, psh., Islanda, iu deshën 200 vite. Jeta e njerëzve ishte e thjeshtë, por e qetë dhe e sigurt. Edhe jeta e fëmijëve të tyre. U modernizua krejtësisht bujqësia, u ndërtua një industri e tillë, që do mund të shfrytëzonte pasuritë e vendit dhe të plotësonte nevojat e popullit. Elekriticiteti arriti deri në kullat më të izoluara të Veriut të Shqipërisë. U arsimua rinia, u themelua universiteti i parë, u themelua Akademia e parë e Shkencave dhe pas saj ajo e Arteve dhe shumë institucione të tjera kulturore. Arsimi dhe shërbimet shëndetësore ishin falas. Kishte punë për të gjithë, edhe për burrat, edhe për gratë. U zhdukën krejt sëmundjet, si malarja, tuberkulozi, etj. U zhduk dukuria e rëndë e gjakmarrjes (u zhduk përmes ligjit e punës këmbëngulëse). Gjatë kohës së regjimit socialist, popullsia u trefishua nga 1.200.000 që e gjetëm në 3.600.000 dhe mosha mesatare nga 26 vjeç arriti në 73.

Mund të më thoni arsyen e ekzistencës së bunkerëve?

Ju kërkoj ndjesë, por nuk më pëlqen të flas për bunkerët, sepse nuk jam marrë me këtë çështje dhe është një çështje, që e kemi ezauruar. Më lejoni t’iu shpjegoj arsyet pse shteti dhe Enver Hoxha i jepnin kaq shumë rëndësi mbrojtjes së vendit.

Në kohën tonë, në lidhje me masat e ndërmarra në këtë drejtim, na thanë që ishin absurde dhe, që gjoja donim ta mbanim popullin të shtypur, ndërkohë ato ishin bërë, që populli të mbrohej në rast rreziku. Për Enverin dhe shokët e tij, periudha moniste 45-vjeçare e socializmit, ishte më e vështirë nga ajo e luftës kundër fashizmit e nazismit. Jo vetëm për shkak të morisë së problemeve politike e ekonomike që kërkonin zgjidhje, por duhej t’iu bënim ballë edhe presioneve politike e ushtarake, që na ushtronin fuqitë e mëdha afër kufijve. P.sh., në Sarandë, forcat aleate të britanikëve, u përpoqën të na afrohen, kur brigadat e partizanëve të Enver Hoxhës kishin çliruar krejt Shqipërinë.

Një rast i tillë ishte ai i provokimit nga ushtria monarkofashiste greke në kufijtë e Korçës në vitin 1948, por dhe raste të tjera. Për shumë muaj pas çlirimit të Shqipërisë, aeroplanë të panjohur që vinin nga aeroportet e Italisë dhe Greqisë, dhe se di nga ku tjetër, fluturonin çdo natë mbi Tiranë. Ata e dinin që ne ishim të pafuqishëm. Terrorizonin popullin e fëmijët, hidhnin fletushka propangadistike, ku bënin thirrje për rrëzimin e qeverisë komuniste. Ndonëse Shqipëria ishte anëtare aktive e Aleancës së Madhe Antifashiste britano-sovjeto-amerikane, në Konferencën e Jaltës, u ndanë zonat e influencës mes tyre, duke e shpërfillur krejtësisht Shqipërinë dhe duke lënë në mëshirën e çdokujt të rrëmbente copëza për orekset e tyre. Caldaris i Greqisë me mbështetjen direkte të përfaqësuesve zyrtarë të Churchill-it, akuzoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, si bashkëpunëtore në luftën italo-greke. Dhe foli për synimet e njohura në lidhje me tokat jugore të Shqipërisë (Vorio Epir), ndërsa Stalini nga ana e vet ia dha Shqipërinë për birësim, vëllait të Rusisë, Jugosllavisë. Stalini e dinte ose i kishin thënë, që 70% e popullsisë së Shqipërisë qe myslimane dhe ai kishte përvojë jo të mirë nga republikat myslimane të Kaukazit, etj. Diheshin marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri.

Pavarësisht kushteve të vështira për ndërtimin e një shteti të vogël mes rivaliteteve të fuqive të mëdha, Enver Hoxha dinte të organizonte diplomacinë e tij me mençuri. Enverit i takojnë merita për kontributin e rëndësishëm në qëndrueshmërinë e Ballkanit, përgjatë qeverisjes së vet. Pavarësisht provokimeve të vazhdueshme nga forcat e grekëve të Megaloidesë (Idesë së Madhe), kur në Greqi erdhën në pushtet kolonelët fashistë, marrëdhëniet diplomatike u mbajtën të ekuilibruara dhe në kufijtë jugorë nuk kishte asnjë përplasje. Ndërsa në marrëdhëniet me vendin mik, Jugosllavinë, që u ruajtën deri në 1948-n, pavarësisht luftës së ashpër ideologjike e qëndrimit revizionist të Titos, si dhe dhunës së Beogradit ndaj vëllezërve shqiptarë të Kosovës, s’ndodhi asgjë në kufijtë shtetërorë. Janë të njohura, jo vetëm për popullin shqiptar, bandat e organizuara e të stërvitura të sabotatorëve shqiptarë ballistë e legalistë në emigrim, që kishin ikur nga Shqipëria si bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë dhe gjenin azil në kampet e Italisë, Francës, Amerikës, etj.,. Këta sabotatorë dërgoheshin më pas në Shqipëri nga toka, deti e qielli, që të rrëzonin sistemin. Sulmet e këtyre sabotatorëve kishin si qëllim, rrëzimin e regjimit në Shqipëri.

Janë shkruar shumë libra nga të trajnuarit e këtyre bandave. Madje edhe Blair, Kryeministri i Anglisë, deklaroi që shërbimet e tyre sekrete, dështuan dy herë në Shqipëri. Nuk u dhamë rëndësi në vazhdim kërcënimeve, që vijuan të vinin nga udhëheqja sovjetike në Traktatin e Varshavës për nëndetëset e Pashalimanit ne Vlorë. Edhe kërcënime e ultimatume. Atë që bëri Brezhnjevi me Çekosllavakinë, nuk mundi ta bënte me ne. Jo vetëm që nuk ramë dakord dhe u larguam nga Traktati i Varshavës, por ishim të armatosur me armët e tyre. Sovjetikët e dinin që Shqipëria nuk do të dorëzohej pa rezistencë. Enveri e paralajmëroi Rusinë «mos mendoni, që do futeni në Shqipëri e do dilni në Adriatik përmes Kosovës».

Enveri lajmëroi Titon dhe kërkoi bashkëpunonin miqësor në këtë drejtim. Mori përgjigje pozitive, i tha që asnjë këmbë sovjetiku nuk do të kalonte nga toka e Jugosllavisë. Këto janë qëndrime patriotike, guximtare të Enverit, që bënë që të çimentohen bazat e marrëdhënies së popullit me partinë, plus ato që kishim krijuar gjatë luftës dhe në kohë paqeje.

Cili ishte kontributi më i madh i bashkëshortit tuaj për Shqipërinë dhe cila ishin gabimet e tij?

Për mendimin tim kontributi më i madh i Enver Hoxhës në fushën politike ishte ndërtimi i një shteti modern, që kishte si akse qendrore, çështjet kombëtare, ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit, përfaqësimin dinjitoz të shteti në marrëdhëniet ndërshtetërore, sikurse edhe fjalimi i tij në OKB, që ndonëse Shqipëria qe një shtet i vogël, nuk ishte i papërfillshëm. Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike me 110 shtete në pesë kontinente. Sot gratë intelektuale, nuk kanë asnjë ndryshim nga gratë e klasave të ndryshme dhe kulturave të tjera në vendet europiane. Një nga arritjet më të mira e më të mëdha, ishte arsimimi i rinisë. Është fakt, që të rinjtë që dolën nga shkollat tona, tani dallohen në shkollat jashtë shtetit, si në SHBA, Kanada, Itali. Studentët shqiptarë janë punësuar në kompani të njohura në këto vende. Këngëtarë opere, balerina, etj., ndodhen kudo, në çdo skenë europiane. Është e dhimbshme të mendosh, që në kohën e demokracisë, ka shumë raste në zonat e largëta, që nënat ose gjyshet dinë shkrim e këndim, kurse fëmijët e tyre janë analfabetë. Një fenomen i tillë, dobëson themelet e asaj shoqërie, që do të bashkërenditet me shoqërinë e zhvilluar europiane.

Përsa u përket gabimeve të tij, unë nuk jam njeriu i përshtatshëm, që të flas për gabimet e Enverit. Së pari, sepse jam bashkëshortja e tij e dashur dhe gabimet e tij, nëse mund të quhen të tilla, ishin gabime personale. Është gabim, që i imponuam rinisë idetë dhe dashurinë tonë për jetën, ndërtimin e njeriut të ri dhe të një shoqërie të mirë me ritme të shpejta. Për mendimin tim, gabimet që janë bërë atëherë në ekonominë politike, duhet të quhen “eksperimente të dështuara”, që janë të pashmangshme, kur ndërmerr një rrugë të re, pa përvojën e mëparshme. Qenë gabime njerëzore, që buronin nga qëndrimet tona të nxituara idealiste, që të përgatisnim popullin me ide të reja, duke luftuar zakonet e tyre të vjetra mijëravjeçare. Nuk ishte e lehtë të përgatisje njerëz për një shoqëri të re, ku interesat e përbashkëta kolektive ishin mbi ato individuale. Përvoja reale e jetës, tregoi që 50 ose 70 vjet, nuk mjaftojnë për zhvillimin e plotë të shoqërisë socialiste.

Në librin e tij, “Enveri ynë’’, Ramiz Aliaj thotë që çdo shqiptar e donte Enver Hoxhën. Mendoni se është e vërtetë?

E vërteta është se shumica e shqiptarëve e donte Enverin. Kjo u duk qartë në pjesëmarrjen e popullit ditën e vdekjes. Shpjegimi se pas pesë vitesh hodhën statujën e tij dhe me mijëra të rinj hynë në ambasadat e huaja, u ngjitën në anijet e huaja dhe ikën nga ky vend, shpjegohet me faktin se këto pesë vite, ishin vite presioni për të gjitha shtetet socialiste të Europës lindore, por Shqipëria po kalonte edhe disa vështirësi të tjera të natyrës ekonomike, politike, klimatike (nuk kishte ujë, etj.,). Më pas fillojnë protestat e njerëzve dhe largimi i të rinjve drejt vendeve të huaja. Kthesat, që bëjnë turmat e njerëzve në periudha të caktuara historike, janë të njohura. Mbushin sheshet kur adhurojnë një udhëheqës që i ka udhëhequr për shumë vite, por të njëjtën gjë bëjnë edhe me pasuesin e tij. Ikën një udhëheqës, vjen një tjetër. 600.000 mijë shqiptarë e më shumë, janë larguar si emigrantë në vende të huaja. Kjo nuk do të thotë, që nuk e donin regjimin e Enver Hoxhës, e kundërta. Madje ata që ishin kundër tij, u kthyen sërish në atdhe. Ata që ikën, ikën me shpresën që do të kishin një jetë më të mirë e do t’i gjenin të gjitha të shtruara. Në realitet, u gënjyen. Shumë prej tyre dhe familjet e tyre, vuajtën shumë dhe u shkatërruan. Të tjerë përparuan jashtë, duke treguar zgjuarsinë e vitalitetin e shqiptarit. Kështu ndodhi në dy vendet fqinj, në Greqi e Itali.

Mund të na thoni se përse kaq shumë shqiptarë hynë në burg gjatë qeverisjes së Hoxhës? Ishte për arsye politike apo të tjera?

Së pari, dua të bëj një sqarim. Shifrat që jepen për të burgosurit janë të rreme dhe dhjetëfish më shumë, nga ato që ishin në të vërtetë. Nuk bëhet asnjë dallim mes të burgosurve politikë dhe të burgosurve të tjerë. Shifrat që kanë paraqitur i takojnë një periudhe që përfshin gjysmë shekulli. Sot, në 15 vite demokraci ka më shumë të burgosur e të keqtrajtuar, që përmenden në media. Na u desh të burgosnim edhe njerëz që bashkëpunuan me pushtuesit, kështu u bë dhe në shtete të tjera të Europës.

Në lidhje me masat që u morën kundër kuadrove të Partisë së Punës, në ushtri, në ekonomi, në art, gjatë dhjetë viteve të fundit të qeverisjes sonë, i di përgjigjet. Unë isha shumë pranë Enver Hoxhës. Jam dëshmitare se sa shumë ndikuan këto ngjarje në ushtri, në shëndetin e tij. Nuk them, se ai ishte jashtë çdo përgjegjësie, sepse ishte Sekretari i Parë i Partisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Por, vetëm pasi pësoi krizën e parë kardiake në tetor 1973, u informua për ato që ndodhën në ushtri, në radhët e ushtarakëve të lartë dhe u mor me këtë çështje me ato fuqi që kishte në atë kohë, pa u shqetësuar për shëndetin e vet, që të kuptonte arsyen e kësaj gjendjeje dhe t’i gjente fillin. Një çështje shumë e beftë dhe pazakontë për ushtrinë tonë. Me sa di unë, faktet ekzistuese, e bënë që të mos besonte se çfarë ndodhi. Kërkoi të komunikonte drejtpërdrejt me ushtarakë të lartë dhe bëri shumë pyetje e biseda të zgjatura, dhe jo vetëm një herë, por shumë herë, por ata nuk u treguan të sinqertë dhe shfaqën rivalitetin e tyre. Në fillim, u përpoqën të mbulonin njëri-tjetrin, pasi ishin komplotistë dhe më pas filluan të akuzojnë shoshoqin. Enveri u përpoq t’i ndihmonte, që të dilnin nga moçali ku ishin zhytur, por ata nuk ndihmuan vetveten dhe gjendja e tyre po bëhej e rrezikshme, sepse nuk tregonin se kush i shpuri drejt këtij qorrsokaku, dikush nga brenda apo nga jashtë vendit.

Me vetëvrasjen e Mehmet Shehut, u zbulua që ishte agjent i vjetër i shërbimeve të huaja sekrete dhe kësisoj shpjegohet pjesërisht, se cili ishte përgjegjës për katastrofën në udhëheqjen e ushtrisë. Jam e bindur, që me hapjen e arkivave në ish Bashkimin Sovjetik e ish-Jugosllavinë dhe në vende të tjera perëndimore, që u morën me këtë çështje, e kishin të qartë që s’ishte Enver Hoxha, ai që gjykoi dhe dërrmoi zyrtarët e lartë të ushtrisë. Me ata kishte bërë Luftën Nacionalçlirimtare dhe ishte interesuar nga afër që t’i specializonte në artin e lartë të ushtrisë. Por, ata ishin bërë bashkë me njëri-tjetrin në një shoqëri problematike në vend dhe disa fuqi të huaja e kishin humbur durimin nga jetëgjatësia e Enverit, ishin ata që kishin gisht në situatën e trazuar në vend. Përgatisnin terrenin për ndryshime drastike në politikë, në ekonomi e kulturë. Kështu siç ndodhi në 1990-n, pesë vite pas vdekjes së Enver Hoxhës. Nuk e mohoj që ligjet tona, ku interesat e shumicës ngriheshin mbi interesat invidivuale, sipas kushtetutës së vendit, ishin shumë të ashpra, E kuptoni besoj që këta njerëz, që ishin kundër ligjeve ekzistuese, po organizoheshin që të merrnin pushtetin popullor. Rrjedhimisht, do gjykoheshin. Fola në fillim të intervistës, se si rrezikohej Shqipëria nga jashtë, duke gjetur mbështetje edhe në kundërshtarët e regjimit brenda Shqipërisë. Që shumë herë, dënimet ishin tejet rënda për kundërshtarët politikë dhe që kishte edhe ekzagjerime të tilla, nuk mund ta mohoj dhe më dhemb akoma. Pikërisht këto “gatime”, këto ekzgjarime, këto deformime të disa ligjeve, shkaktuan dobësimin e lidhjes mes Partisë e popullit. Ndërmjetësimi i disa faktorëve të huaj, bëri që populli të humbiste besimin në sistemin socialist dhe t’i lërë vendin marrëdhënieve kapitaliste në shoqëri

Sistemi i ri demokratik, erdhi në pushtet dhe vazhdon të akuzojë gabimet dhe shkeljet e sistemit tonë socialist, shkeli me ashpërsi çdo liri individuale, ndaluan nga puna gjithë komunistët, gjithë oficerët e ushtrisë sonë, mësues e pedagogë të shkollave, universiteteve e instituteve tona, gjithë ata, që nuk pranuan të ndryshonin idetë, u gjendën në rrugë. Veteranët e luftës u keqtrajtuan fizikisht, u gjymtuan monumentet e të rënëve, u plaçkit varri i Ever Hoxhës, me qëllim që ta nxirrnin nga varri, ndërsa udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe ata që i hapën rrugën pluralizmit, u burgosën. Nuk u burgosën, si përgjegjës politikë, por me kategori të rreme. Per shpërdorim detyre e abuzim ekonomik. Një prej këtyre të burgosur me akuza të tilla, isha edhe unë. Një grua 75 vjeçe. Vetëm pse isha bashkëshortja e Enver Hoxhës. Gjyqi im ishte me dyer të hapura dhe transmentohej drejtpërsëdrejti në televizor, që të poshtërohej familja e Enver Hoxhës. Por, në të vërtetë, ky akt ishte një dështim. Presidenti Sali Berisha kërkoi hapur burgosjen time. Gjyqi nuk gjeti asnjë abuzim ekonomik, vetëm kafetë e paguara nga shteti, që familja ime u dha gjithë vizitorëve, që vinin për të na ngushëlluar për vdjekjen e Enverit. Ky është një zakon, që respektohet nga çdo familje shqiptare. Pavarësisht këtyre, dënimi u dha dhe unë u dënova me 11 vjet burg. Gjykata më dënoi me 11 vjet burg, pa u zbuluar diçka. Unë bëra plot 5 vjet burg dhe gjykata e shtypi e quajtën «gjyqi i kafeve».

Gjyqi ishte i stisur dhe i padrejtë. Fenomenet negative, që ndodhën në periudhën e tranzicionit, zezuan imazhin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Pavarësisht turmës që hodhi statujën e Enverit, vetëm një pjesë e vogël e popullit shqiptar brohoriste, ishin njerëz që bënë veprime të nxituara e të shfrenuara, të nxitura nga situata të caktuara, pa mëshirë. Thyen madje edhe bustet e rilindasve. Jeta e tanishme, i bëri të vetëdijësohen se ç’fituan në të vërtetë e ç’humbën. Njeriu është produkt i shoqërisë ku jeton. Është i njëjti popull, që mbushte sheshet kur fliste Enveri, dhe po i njëjti popull, që mbush mitingjet e udhëheqësve të sotëm. Lavjerrësi i logjikës njerëzore dhe i gjendjes sentimentale, luhatet djathtas e majtas, por në një moment do të ndalet drejt. Sepse kështu janë ligjet e fizikës e të shoqërisë. Kam besim te cilësitë e shqiptarëve, kudo që të ndodhen, qoftë këtu në Shqipëri, qoftë në emigracion a në trojet jashtë Shqipërisë (Kosovë, etj.,). Edhe në Shqipërinë e sotme të trazuar, nuk mungojnë njerëzit e kulturuar që dallojnë, patriotët, idealistët. Vetëm kur ata të marrin guximin e të përfshihen në politikë, duke qenë ngushtësisht të lidhur me popullin e problemet e tyre, vetëm atëherë Shqipëria mund të ketë një shtet dinjitoz, krah shtetetve të zhvilluara demokratike të Europës. Dhe shqiptarët, do të kenë jetesën që u takon.

Burimi: Kathimerini

Comments

Submitted by Enver Hoxha (not verified) on

He me te lumte, siç te kam dashur e shkerdhier ti, ashtu e desha dhe e shkerdheva popudhin shqiptar. te bukur e the ate punen e arsyeve klimatike ato 5 vjetet e fundit qe nuk isha u' e prandaj s'kishte uje. (S'ka gomar qe e ha, po nejse, se mos eshte rrena e pare qe i ke thene ketij popudhi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.