Shkërmoqja e mbretërisë dhe sistemit të Sepp Blatter

Cilatdo qofshin përfundimet e hetimit të FBI-së (dhe pavarësisht kundërshtimit të shfaqur menjëherë në konferencë për shtyp), arrestimet e gjashtë funksionarëve tepër të lartë të Federatës Botërore të Futbollit i japin fund epokës së Joseph Blatter, i cili e drejton FIFA-n që prej 8 qershorit 1998, kur u zgjodh në Paris, duke mposhtur në mënyrë të qartë kandidatin e atëhershëm të Europës, Lennart Johansson. Blatter, 79-vjeçari zviceran nga Visp (Canton Vallese), është rizgjedhur më 2002, më 2007 dhe më 2011 dhe “Fifagate” shpërtheu 36 orë përpara kongresit të futbollit botëror që duhet ta konfirmonte në presidencë edhe për katër vite të tjera.
Ka mundësi që shumica e delegatëve të 206 federatave ta rizgjedhë, por ai që është shkërmoqur gjatë këtyre orëve është sistemi Blatter. Sikurse ndodh shpesh me të mëdhenjtë e historisë, ka gjithnjë një moment kur dëshira për ta sfiduar fatin përbën një hap fatal dhe shënjon fundin e një cikli. Blatteri kishte dalë i papërlyer nga stuhia e 2002-it, kur falimentimi i ISL, e mbytur nga borxhet, pasi kishte blerë të drejtat televizive të botërorit koreano-japonez, vuri në dyshim madje edhe zhvillimin e vetë Botërorit. Kongresi i Seulit qe një betejë me goditje të të gjitha llojeve: Blatteri i zgjedhur mes polemikash u detyrua të shpërblente ata që e votuan, me përcaktime arbitrash shumë të përfolur, si ata që sollën eliminimin e Italisë (arbitër Moreno) dhe të Spanjës ndaj Koresë së Jugut, që u pilotua me kujdes drejt vendit të katërt. Blatteri, që në njëfarë mënyre arriti të shpëtonte, duke iu besuar gjysmëfinalet dhe finalen arbitrave europianë (Collina), ndryshoi statutin: zgjedhjet e presidentit nuk bëhen më në prag të Botërorit. Dhe më 2007-n arriti që ta bënte Kongresin që t’i kërkonte që të zgjidhej ai, i cili u përlot mes duartrokitjeve, duke thënë me krenari një po: “faleminderit, e pranoj, sepse FIFA është jeta ime”.
Por ishte Botërori i 2010-s në Afrikën e Jugut ai që shënoi pikën kulmore të mbretërimit të Blatterit. Ndaj të gjithë atyre që ngulmonin se Kupa në Afrikën e Jugut do të kishte qenë një dështim, ai e fitoi betejën e tij, me një edicion perfekt nga pikëpamja organizative, deri në atë pikë sa dikush donte t’i ofronte postin e ministrit të Ekonomisë në Afrikën e Jugut. Ai qeshi dhe qau kur u takua me Mandelën; shpërndau para për të gjitha federatat, përpara se të fillonte, sepse Blatter e shndërroi FIFA-n në një makineri parash, duke i kënaqur të tërë me një xhiro që prekte 2 miliardë eurot në 2014. Atje duhej të njoftonte se nuk do të rikandidonte më 2011-n, por ja që këmbënguli, duke e detyruar Ekzekutivin që të zgjidhte jo një, por dy vendet e ardhshme ku do të zhvillohej Botërori (2018 dhe 2022).
Zgjedhja më 2 dhjetor 2010 e Rusisë dhe mbi të gjitha e Katarit (në verë, sipas dokumenteve zyrtare) bëri të krijohej partia e kundërshtarëve të Blatterit, që u bë gjithnjë e më e fortë dhe udhëhiqej nga shtetet, kandidatura e të cilave nuk ishte marrë parasysh: Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Rizgjedhja më 2011-n ishte paraprirë nga heqja qafe (për korrupsion) e sfiduesit tepër të pasur të Blatterit, katarioti Mohamed Bin Hammam, kështu që Blatteri u paraqit si kandidat i vetëm, duke marrë 186 vota nga 203. “Një votim me një kandidat të vetëm është shumë e ngjashme me një mandat për të vjedhur”, – kishte reaguar presidenti i Federatës angleze, David Bernstein. Por, pavarësisht zgjedhjes plebishitare, për Blatterin jeta ishte bërë e vështirë, në kuadër të një amoraliteti gjithëpërfshirës, ku thuajse gjithçka bëhej në këmbim të parave dhe ndereve.
Corriere della Sera
"Mapo"
Comments
Mbreteria mbase u shkermoq,
<p>Mbreteria mbase u shkermoq, po Mbreti shpetoi ama.</p>
Add new comment