Privatizimet në Kosovë dhe përvoja e Shqipërisë

Logjika privatizuese në Kosovë është e mbërthyer brenda një paradoksi të dyfishtë. Së pari, për vite të tëra është thënë që në ndërmarrjet kosovare, përfshirë këtu PTK-në dhe KEK-un, ka shumë korrupsion, prandaj ato duhet të privatizohen që të eliminohet korrupsioni. Njëkohësisht, të gjitha Qeveritë janë zotuar për çdo ditë për luftimin e korrupsionit, prej konceptit të ‘sundimit të ligjit’ e deri te parulla e ‘zero tolerancës’. Mirëpo, përvoja e pasluftës na e ka dëshmuar që patëm privatizim por nuk patëm sundim të ligjit dhe as zero tolerancë ndaj korrupsionit. Kjo për arsyen që prioritet në Kosovë ka qenë privatizimi si lëndë djegëse për tranzicionin. Dhe, ky tranzicion nuk ka qenë tranzicion drejt vendimeve për privatizim, por vendim rapid për privatizim, me zbatime tranzitive të privatizimit, gjë që e konfirmon privatizimin si prioritet. Këto Qeveri që e përdornin korrupsionin si argument për privatizim, nuk mund ta luftonin korrupsionin përderisa e kishin privatizimin në krye të agjendës. Pra, prioriteti i privatizimit të këtillë ku nuk lejohen debate pse të privatizojmë, kur të privatizojmë, çka të privatizojmë, sa të privatizojmë, si të privatizojmë dhe kujt t’ia shesim, e pamundëson luftimin e vërtetë të korrupsionit. Para se korrupsioni të jetë motor i privatizimit, është intenca e privatizimit ajo që e gjen ose e fabrikon korrupsionin, duke e pasur të nevojshëm atë.
Së dyti, privatizimi i aseteve madhore si PTK dhe KEK, bazohet po aq shpesh te keq-menaxhimi i tyre. Nëse këto asete janë të keq-menaxhuara e me shumë korrupsion në to, dhe nëse Qeveria është e paaftë të ulë nivelin e keq-menaxhimit aty, atëherë duhet të largohet Qeveria dhe jo asetet publike, në mënyrë që të vijë një Qeveri tjetër e aftë t’i menaxhojë ato. Është absurde të mendohet se një Qeveri që është e paaftë të menaxhojë me efikasitet dhe pa korrupsion është e aftë t’i privatizojë asetet publike me efikasitet dhe pa korrupsion. Më mirë t’i kemi ndërmarrjet publike dhe korrupsionin në to, se sa privatizim të korruptuar në fund të së cilit nuk i ke më ndërmarrjet. Nëse ka korrupsion dhe keq-menaxhim në ndërmarrjet publike, aq më shumë do të ketë korrupsion dhe keq-menaxhim me rastin e privatizimit të tyre si dhe aq më i madh do të jetë dëmi i shkaktuar.
Ka një pajtim të përgjithshëm që burokracia, njëjtë, si në korporatat e mëdha ashtu edhe në shtet, ndikon negativisht. Më tutje, korporatat e mëdha, si në sektorin publik, edhe në atë privat, prodhojnë burokraci dhe keq-menaxhim si pasojë e përmasave të tyre të mëdha. Në kushte të tilla, ndryshimi i pronësisë ndikon pak në eliminimin e burokracisë. Në vend të ndryshimit të pronësisë mund të blihej menaxhim nga sektori privat, nëse ky mungon në Kosovë, pa e ndryshuar pronësinë. Pra, ne do të duhej të blejmë menaxhment në vend se të shesim asetet.
Privatizimi i këtyre korporatave të fuqishme është privatizim i monopoleve që nuk lejon që privatizimi i aseteve të përcillet me liberalizimin e tregut. Sërish përvoja e ka dëshmuar gjithandej nëpër botë, se kur vjen puna te monopolet, më mirë të ketë monopol publik sesa monopol privat. Në rastin konkret, asetet si KEK-u janë në situatë monopoli në treg dhe, për pasojë, privatizimi nuk vepron në përmirësimin e tyre. Ideja e privatizimit bazohet te mekanizmi i konkurrencës si mekanizëm korrektiv që e detyron një ndërmarrje të përmirësojë menaxhimin. Rasti i CEZ-it në Shqipëri na e tregon se çfarë ndodhë realisht. CEZ-i nuk ka bërë ndonjë përmirësim as në menaxhim dhe as në investime. Ngjashëm, edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës sot nuk ka as dallim viziv dhe as dallim në shërbime, me periudhën e para katër a pesë vjetëve. Në kushte të tilla është më mirë të kesh një monopol publik sesa privat, për më tepër kur bëhet fjalë për asete strategjike si energjia. Në shtete të dobëta si Kosova, por edhe si Shqipëria, krijimi i monopoleve private të fuqishme është i rrezikshëm sepse lehtëson kapjen e shtetit. Në rastin e CEZ-it shteti shqiptar ka pak aftësi ta kontrollojë këtë korporatë, ndërkohë që ajo ushtron presion mbi shtetin dhe e detyron KESh-in t’i shesë energji me çmim mjaft të lirë.
Literatura ekonomike dhe përvoja e Shqipërisë rekomandojnë monopolin publik në raport me atë privat edhe për shkak se dëmtohen qytetarët, pasi që monopoli privat synon thjesht maksimizimin e fitimit pa marrë parasysh dëmtimin e qytetarëve. Në Republikën e Shqipërisë korporatat si Albtelekom dhe CEZ e kanë kthyer në traditë abuzimin me faturat e telefonit dhe të energjisë, duke iu faturuar qytetarëve më shumë se sa ata harxhojnë. Abuzime të niveleve të tilla nuk kanë ndodhur më parë kur këto ishin asete publike, pasi këto asete ishin më të ndjeshme ndaj ankesave të qytetarëve që ushtronin presion mbi partitë politike.
Privatizimi i aseteve kyçe vështirëson edhe krijimin e politikave sociale edhe krijimin e politikave zhvillimore. Së pari, e vështirëson krijimin e politikave sociale, për shembull energjinë me çmim të ulët për shtresat në nevojë. Së dyti, vështirëson edhe krijimin e politikave zhvillimore, për shembull energjinë me çmim më të ulët për industri të caktuara. Prandaj, shumë pak shtete dhe gjithnjë e më pak shtete heqin dorë tërësisht nga asete të tilla, siç po bën kjo Qeveri me Distribucionin e KEK-ut dhe PTK-në. Po them edhe gjithnjë e më pak shtete përveçse shumë pak shtete, sepse në kushtet e krizës globale kur mungon likuiditeti, sigurisht që nuk është ky momenti për të shitur asete madhore. Minimalisht duhet pritur sa të përmirësohet tregu.
Me asete si KEK-u që kanë humbje të mëdha në rrjet dhe që nuk arrijnë të mbledhin të ardhurat, shteti ka rëndësi shumë të madhe në mobilizimin e forcave të rendit dhe strukturave shtetërore për të mbledhur të ardhurat. Kur firma të tilla privatizohen ato kanë më pak kapacitete për t’i mbledhur të ardhurat pasi policia dhe organet shtetërore nuk varen prej tyre. Pas privatizimit të distribucionit në Shqipëri nëpërmjet CEZ-it, humbjet në rrjet dhe ato nga arkëtimet janë rritur dhe nuk janë zvogëluar. Në kushtet kur segmente të mëdha të popullatës nuk paguajnë rrymën ose e vjedhin atë, si në Shqipëri e në Kosovë, është e nevojshme të kombinohen politikat sociale, domethënë ulja e çmimit për ata që nuk paguajnë dot çmimin e plotë me politikat shtrënguese të shtetit për të ndaluar vjedhjen dhe abuzimin. Diçka e tillë bëhet shumë më mirë nga shteti sesa nga privati, dhe sërish rasti i Shqipërisë e dëshmon këtë. Pra, nuk i nevojitet vetëm KEK-u shtetit të Kosovës por edhe shteti i Kosovës i nevojitet KEK-ut. Privatizimi nuk e lë vetëm shtetin e Kosovës pa KEK-un por e lë edhe KEK-un pa shtetin e Kosovës.
Sovraniteti i një shteti nuk vlen nëse nuk shprehet në mundësinë për përcaktimin popullor të formave të organizimit ekonomik apo nëse populli nuk ka asnjë lloj vendimi mbi organizimin e ekonomisë. Në fakt, një zgjedhje në Kosovë është bërë për një strukturë të caktuar ekonomike – kjo zgjedhje është asgjësimi i plotë i sektorit publik industrial dhe kalimi i tij në pronësi të kapitalit të huaj. Ky është qëndrimi ekstremist, jo kundërshtimi i privatizimit. Ky është vendim që është marrë pa pajtimin, pa pëlqimin dhe pa sqarimin e pasojave afatshkurtra dhe afatgjatë të qytetarëve të Kosovës. Ky privim nga ky lloj sovraniteti është më i kobshëm se sa vetë shpronësimi nga asetet publike dhe i paraprin atij.
Shteti si Republikë dhe Publikja si pronësi janë shumë ngushtë të lidhura. Nuk mund ta dëmtosh njërën pa e dëmtuar edhe tjetrën. Kësaj Qeverie më shumë po i dhimbset koncepti dhe projekti i privatizimit sesa Kosova. Sot, të jesh kundër privatizimit akuzohesh shumë më tepër sesa të jesh kundër Kosovës. Në fakt, kjo Qeveri që është kundër Kosovës akuzon ata që janë kundër privatizimit në Kosovë. Këta po përpiqen ta shpëtojnë privatizimin abstrakt më parë sesa Kosovën konkrete, ta shpëtojnë idenë e privatizimit më parë se Kosovën aktuale. Kundërshtuesit e këtij privatizimi në Kosovë dhe deputetët që diskutojnë në këtë seancë që nuk janë kundër privatizimit në përgjithësi, i kisha lutur vetëm një gjë: mos u zmbrapsni në defansivë dhe le të mos dukemi që më të rëndësishme e kemi ta shpëtojmë privatizimin prej këtyre privatizuesve sesa ta shpëtojmë Kosovën prej privatizimit. Qëllimi ynë nuk është që ta bllokojmë privatizimin sepse gjërat janë mirë kështu siç janë pa të, por sepse mund të jenë më mirë, kurse me këtë linjë që po e ndjek Qeveria do të bëhen edhe më keq. Për ta kuptuar këtë nuk është me rëndësi nëse je i majtë, i djathtë apo edhe i papërcaktuar ideologjikisht.
Ne jemi të privuar nga sovraniteti ekonomik. Ky privatizim është po ashtu privim. Është privim nga diçka. Është negativ. Është privim nga publikja. Ne do të arrijmë ta mbrojmë Kosovën nëse e duam publiken e Kosovës dhe jo vetëm privaten në Kosovë. Publikja është hapësirë dhe shërbim. Publikja është gjuha dhe komunikimi; energjia, posta dhe telefonia; publikja është arsimi, shëndeti dhe institucionet publike; publikja është policia dhe ushtria, gjykatat dhe burgjet; publikja është ajri dhe uji, territori i shtetit tonë dhe nëntoka nën këmbët tona; publikja është liqenet dhe lumenjtë, minierat dhe mineralet, sheshet dhe trotuaret, parku dhe parkingu, rrugët dhe bibliotekat, korridoret dhe lifti. Publikja është e përgjithshmja, sepse publikja është e përbashkëta dhe gjithpërfshirësja, ajo që është midis nesh pa e përjashtuar asnjërin prej nesh. Publikja është demokracia, publikja është Republika. Publikja është vetë qenia e qytetarit në Republikë. Prandaj, pyetja është ajo e vjetra: duam të jemi apo nuk duam të jemi?
Comments
O Albin burri, kontrolli i

O Albin burri, kontrolli i permbajtjes dhe zbatimit i kontrates duhet te permirsohet e jo privatizimi. Keto dy kompani jane cerdhe punesimi e hajnie i kujtdo qe do te qeverise me Kosoven e resurset e saja. Patjeter qe duhet privatizuar. E ke ne kushtetute, ne ligj, ne rendin shoqeror. Nuk ke ti mjete e as qe do te kete dikush tjeter per te ndalu malverzimet me parane publike ne profitin e ktyre kompanive e besa edhe me investimet qe jane bere ne te. Na lodhe me retorike.

E edhe nese arrihet qe te ndalet kjo, politikat shperndarse te parase qe mblidhen nga po keto kompani perseri jane ne duarte e qeverise. Per cfare te mire po flet ti ?

Korporata Energjetike qe prej paslufte gelltite me dhjetra miliona ne vit nga bugjeti i Kosoves, bugjet te cilin poashtu e mbushe qytetari i Kosoves, e i cili njejte paguan edhe faturen (dmth. pagese e dyfishte). Si ndahet fitimi nga keto kompani ? kush kontrollon e kush kerkon llogari per monopolin e gjertanishem te PTK-se? per cmimet ? per fitimin ?

Hulumto ne politikat e punesimit ne keto kompani, edhe thuaje si do ndalohej kjo nese kompanite titullar e kane perseri qeverine (edhe nese kete akutalen jo), dhe tregona mekanizmat.

Eshte klishe ajo e jotja se 'nuk jemi kunder privatizimit ne parim' po menyres se si po behet. Mendon ti se cmimet per keto germadha ekonomike ti e ne mund ti caktojme? epo gabim. Tregu eshte ai qe vlerson. Edhe keto e edhe konceptet tua ekonomikopolitike.

Vertete nuk e di se pse nuk e sheh qe duhet privatizuar sa me shpejt qe eshte e mundur.

Nuk eshte e domosdoshme ta duash publiken e Kosoves perderisa nuk e percakton kush cka eshte sakte publike. Edhe qeverisja eshte publike. Publikja e Kosoves duhet ti sherbeje qytetarit te Kosoves e pastaj ta duash, kjo eshte edhe arsyeja e ekzistences se publikes.

Vec opinioni yt eshte individual, me shume doze manipuluese e paqartesi te sqarimit te ndertimit te sistemit ekonomiko-shoqeror qe themel kane keto ide.

Add new comment