Në turravrapin e çmendurisë

Postuar në 26 Nëntor, 2013 04:55

BARD CAMAJ/

Ndërkohë që semafori është i kuq, prapa teje, në rreshtin e dytë apo të tretë të makinave do të gjendet gjithnjë dikush që me buri  të shkurtra e nervoze të mban në vigjilencë konstante që kur semafori të të dhurojë jeshilen, të hapësh rrugën sa më shpejt. Dhe nëse për një të mijtën e sekondës je përhumbur në kokëçarjet e tua ditore, apo ke fluturuar nëpër ëndërrime  çfarëdolloj, duke mos vënë re që semafori tashmë të lejon të kalosh, një pëllitje e gjatë e paralizuese autobuzi apo kamioni, ose kakofonia e zhurmshme  e shoferëve mbrapa e përanash, do të të flakë përdhunshëm në realitetin e rrëmujshëm kryeqytetas. Pa parashutë.

Le t’ia kursejmë njëri -tjetrit hipokrizinë  aq sa për të mos folur gjithnjë në vetë të tretë; personi që tendos  nervat e kalimtarëve deri në këputje duke i rënë burisë vend e pavend, rastis ndonjëherë të jemi  unë edhe ti. Nëse kjo është e vërtetë, ka shumë të ngjarë që i gjithë ky spektakël  frenezie në trafik të jetë simptomë e një patologjie emocionale që në literaturën bashkëkohore njihet si STK(Sindroma e Turravrapit Kolektiv). Kjo patologji, përveç  simptomës së përshkruar më sipër, ka edhe të tjera po kaq interesante, të mirëdokumentuara në literaturën bashkëkohore, ndër të cilat, më e rëndësishmja është prirja për t’i trajtuar të tjerët jo si qënie njerëzore, por si pengesa në rrugën e realizimeve të qëllimeve tona, të cilat në njëfarë mënyre duhen shmangur apo eleminuar. Ta bësh makinën të pëllasë në mes të qytetit për ta shkarkuar  nervozizmin tënd te të tjerët, ka në esencë një dozë sadizmi pervers: Nëse nuk do të doje të bëje të tjerët të vuajnë, si ndryshe do të mund të shpjegohen ato të bërtitura e të shara ndërkohë që makina që të ka zënë rrugën  shkruan në xhamin e pasëm: ”Shofere e re”?

Në themel të këtij turravrapi kolektiv qëndron një vetëdije tmerruese për kohën që gjithnjë është e pamjaftueshme. Koha që nevojitet për të realizuar diçka është standarti i fundmë me të cilën njeriu modern mat vlerën e gjërave. Nëse të merr shumë kohë, atëherë ai qëllim nuk vlen. Ose, duhen gjetur rrugë të tjera më të shkurtra për ta realizuar. Por edhe kjo vetëdije ka esencën e vet patologjike: Njerëzit nuk e kanë për gjë të harxhojnë jetët e tyre nëpër kafenetë e kryeqytetit me muhabete korr e mos lidh, por janë të gatshëm të shkaktojnë fatkeqësi e të rrihen me grushte me bashkëvuajtësit për të fituar qoftë edhe një minutë, ndërsa rendin drejt kafeneve, telenovelës së pasdites, facebook-ut  apo kokëçarjesh të tjera mikroskopike.

Individi  që nxiton në trafik duke rrezikuar jetën e tij e të tjerëve, nuk kërkon  një çikë më shumë kohë; ai do ta ketë të gjithën për vete. Duke rendur gjithë kohës, në këtë trafik që i mbështillet kryeqytetit si një anakondë i mbështillet presë së vet, ai ka humbur jo pak nga elementët thelbësore që e bëjnë të ndryshme  gjininë njerëzore prej bagëtisë;  Ai ka humbur dhembshurinë, nervat, vullnetin, durimin. Ka humbur fenë e besën. Ka humbur  shijen për mirësitë elementare . Ai nuk fle dot. Ai nuk nuk rri dot zgjuar. Në i ardhtë ndonjëherë për të bërë seks kjo është vetëm ngaqë nuk i bëhet më dashuri. Ai nuk është më në gjendje të dallojë diferencën thelbësore mes një hamburgeri dhe një delikatese të gatuar nga një guzhinier i zoti. Sepse, siç mund të pohohet, shija e hollë është e lidhur ngushtësisht me të qënit i ngeshëm, dhe me aftësinë për ta perceptuar rendjen e gjërave në slow motion. Kjo besoj vlen për të shpjeguar arsyen përse zinxhirët multinacionalë të fastfood-eve i ndërtojnë pikat e tyre të shitjes anash autostradave; atje turravrapi është më intensiv. Njeriu modern nuk ka kohë.

Para nja dy vitesh, në dalje të autostradës, në hyrje të Durrësit, më rastisi të lexoja në një tabelë të stërmadhe: “ Prodhojmë verë pesë vjeçare”. Nuk besoj që autori i atij mbishkrimi kundërthënës  të ketë dashur të demonstrojë  me këtë pasazh sensin e tij të humorit . Më shumë, ai më duket serioz në premtimin e tij. Ai mbase nuk mund të bëjë verë të vërtetë pesëvjeçare(ajo kërkon së paku pesë vjet të bëhet), por  e sigurtë është që ai mund të “prodhojë”  verën që  u përshtatet  myshterinjve të tij  që rendin drejt vdekjes me shpejtësi skëterre. Në çast, po të jetë nevoja.  

Nëse do të mund të realizohej një analizë e zhvillimit emocional të individit dhe raportin e tij me kohën e hapësirën   që në fillimet e Revolucionit  Industrial e këtej, analiza do të shëndrrohej në një rrëfim historik sesi instinkti  i të sunduarit mbi botën e jetën  evoluoi në një akt përdhunimi e plaçkitje masive.  E gjej këtë evolucion të reflektuar në heronjtë e kinemasë moderne:  Ideali  romantik i personifikuar  në fytyrën rrëzëllitëse të Elizabet Taylor të vitetve  ’50,  ka evoluar në ekstazën absolute të Sharon Stone në Basic Instinct. Që të jesh një individ funksional në këtë univers rrokopujë, mbase do të duhet të heqësh dorë nga idealizimi i qënies njerëzore, e të pranosh logjikën e akullt darviniane që në fund të fundit, njeriu në evolucionin e tij ka humbur vetëm pak qime nga gëzofi i majmunit.

Tani pothuaj arrij të jap një interpretim (marr përsipër riskun e të qënit i pasaktë) të asaj çka donte të thoshte Sartre me sentencën e famshme “Ferri janë të tjerët” (L'enfer c'est les autres ). Në turravrapin e perfeksionit personal e të zotërimit total të gjërave që përbëjnë kozmosin që na rrethon, në ngutjen për të ndërtuar mbi faqen e dheut një parajsë private, dalëngadalë, me zell e pa e kuptuar, i kemi ndërtuar njëri tjetrit një ferr kolektiv. Një ferr për të gjithë.

Dyndja drejt  kryeqytetit, për një jetë më të mirë, po pasohet me një eksod masiv drejt kodrave të periferisë. Në njëfarë pikëvështrimi, eksodi i atyre që ua mban xhepi të kenë një copë tokë apo një vilë në periferi, do të mund të interpretohej si braktisje e iluzionit që ky vend mund të bëhet. Apo mos vallë ky iluzion nuk ka ekzistuar ndonjëherë? Mos vallë, që në krye të herës, e kemi konsideruar këtë vend një arenë beteje permanente e plaçkitjeje reciproke nga cilësitë e fundit njerëzore, duke ëndërruar që parajsën ta ndërtojmë, siç ndodh rigorozisht me të gjitha utopitë, tjetërkund dhe më vonë? Te rrosh vetë  e të tjerët le të vdesin(“Live and let die”) do të mund të quhej kjo, nëse do të na lejohej një klishe’  tashmë e stërpërdorur.

Comments

Submitted by kujtim (not verified) on

<p>Te verteta te hidhura, por c&#39;ti besh jane realiteti yne. A mund te kete ndonje cike drite ne fund te ketij tuneli? Pse autori nuk thote mendimin e tij ne se e ka? Githsesi pershendes autorin.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.