Mendime të gjata për njerëz të gjatë
Qyteti këto ditë është mbushur plot edhe me disa reklama, varur kudo ku mund të varen, të cilat kanë fotografinë e një kali. Poshtë është shkruar diçka e tipit: çdo vit në Francë, si Pomponi, një“poulain”në katër vritet për të dhënë mish ( poulain = mëz). Është një fushatësensibilizimi ndërmarrë nga fondacioni Briggite Bardot (aktorja), slogani është“Unë nuk e ha mishin e kalit”; dhe ju këshilloj të përgatiteni psikologjikisht, nëse dëshironi të vizitoni sitin, sepse disa nga fotografitë janë vërtet të tmerrshme. Imazhet janë të dhunshme, sepse duan të na tregojnë qartë që ne jemi bashkëfajtorënë këtë gjenocid, siç e quajnë ambientalistët. Tregojnë kuaj me zorrë jashtë, kuaj të copëtuar, kuaj të vrarë, kuaj pa kokë*, kuaj të vrarë në të gjitha mënyrat e mundshme. Po, bën përshtypje. Evropianët janë mësuar aq shumë të shohin mishin të sistemuar mirë nëpër rafte superdyqanesh, saqë në kokën e tyre nuk e bëjnë më lidhjen e blerjes së mishit me aktin e vrasjes. Është një fitore e hidhur e epokës sonë (nga komunizmi në konsumizëm): i kemi larguar prodhimet nga burimi i tyre. Nëse unë do gënjej një fëmijë lindur e rritur në qytet duke i thënëqë mishi në fakt prodhohet aty brenda dyqanit, është e mundur që të më besojë sepse është gjithmonë e më pak i aftë të bëjë lidhjen midis Vrasjes, Ushqimit, Natyrës. Rafti i dyqanit është i bardhë, i bukur, i rregulluar. Të mëdhenjtë po e harrojnë, të rinjtë as që nuk e dinë fare. Thertoret janë të pista, vijnë era gjak, ndonjë kafshëqan para se të theret, ka miza kudo. Preferojmë dyqanin, eliminojmë thertoren. Është evolucion, thonë, edhe pse mua në fakt nuk më duket ndonjë përparim i madh.
Fushata ka për qellim të ndërgjegjësojë qytetarët mbi ketë fakt. Me sa duket, një ndër katër kuaj si Pomponi vdes për të na dhënë mish. Kali në fotografi është shumë i bukur (nga një anë besoj se kanë zgjedhur kinse një të bukur për ta bërë mesazhin sa më të fortë, nga ana tjetër amá unë s’mbaj mend të kem parë ndonjë kalë të shëmtuar) e, në mos gaboj, i përket racës pony.
Tani, duhet thëne që në fillim që kuajt kanë qënë me fat. Në fund të fundit një në katër nuk është shumë keq po të konsiderosh që s’kam dëgjuar kurrë për ndonjë derr a pulë që të ketë vdekur nga pleqëria. Pra, një në katër në fund të fundit mund të jetë edhe e pranueshme. Për mua, natyrisht. Nëse do isha kalë s’do ishte fare e pranueshme.
Një konsideratë tjetër, që ishte edhe e para që bëra, ka të bëjë me bukurinë e kafshës në foto. Po të pyesësh shumë njerëz se pse nuk duhet ngrënë mishi i kalit arsyeja e parë që do të shfaqin është tamam kjo: Sepse janë shumë të bukur e fisnikë, e është gjynah!” Është një arsyetim sipërfaqësor, sipas meje, dhe më shumë pa kuptim po të mendosh që nuk po e shohin kalin që po hanë; ndoshta ka qënë vërtet i shëmtuar. Por përveç kësaj, çfarë logjike ka të matësh të drejtën e një kafshe për të jetuar me bukurinë e kësaj? Mund t’i shuajmë të gjithë iriqët e derrat e krijojmë një botë të mbushur plot me kuaj, lepuj e fazanë?
Është e pakundërshtueshme që e bukura ka një rol vendimtar në jetën tonë e në vendimet që marrim. Ne preferojmë gjithmonë më të bukurën në një mall kur vetitë e tjera janë njësoj, e po ashtu jemi më të predispozuar të ndihmojmë një vajze të bukur në rruge, e detyrimisht më të sjellshëm. Nëse një vajzë e bukur na kërkon t’i ndezim cigaren gati-gati po na bën një favor, nëse një femër e shëmtuar na kërkon t’i ndezim cigaren jemi ne që po i bëjmë një favor. Është një fakt që mund t’ju konfirmojë edhe çdo njeri që ka pasur ndonjë farë pushteti për të bërë një nder: që mundohemi t’i bëjmë gjithmonë një favor më shumë një femre a mashkulli të bukur, të mbyllim një sy nëse lë makinën dy minuta më shumë pa leje në parking, t’i shërbejmë më shpejt në lokal nëse jemi kamerierë apo ta trajtojmë më mirë nëse jemi klientë. Nëse një lypsare e bukur do na kërkonte lekë automatikisht do mendonim se si ka mundësi që një vajzë kaq e bukur të lypë, nëse na i kërkon një e shëmtuar nuk e pyesim veten sepse, në fund të fundit, është normale.
Pse? Nuk e di. Me një vështrim të parë mund të mendoj që mendojmë se duke u bërë një favor do dukemi më simpatikë e femra do na lërë nr. e telefonit e do nisë një raport shumë i bukur dashurie (apo më mirë akoma, seksi). Nuk e di sa e besojnë këtë, por sipas meje pak apo aspak, duke e ditur që është një ëndërr e paformuar mire, e cila sidoqoftë nuk ka asnjë shpresë, pasi në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për njerëz që nuk do t’I shikojmë më në jetën tonë. Pra është e qartë që nuk ka të bëjë aspak me një fitim tonin personal, ne jemi thjesht të magjepsur nga e bukura, e njohim të bukurën si vlerë dhe duke e ditur apo pa e ditur fare bëjmë vepra që i lehtësojnë jetën. Zgjedhim gjithmonë më të bukuren, e shpresojmë që dhe më e bukura ta pranojë zgjedhjen tonë. Është edhe po aq absurde që e bukura është mësuar të trajtohet mirë e shpeshherë as që nuk e vë re fare mirësjelljen tonë.
Duhet të ketë diçka në ADN-në tonë që na bën kështu. Bukuria e jashtme e një njeriu a objekti i flet një ndjenje tonës të brendshme që ne nuk arrijmë të identifikojmë mirë, lëre më pastaj ta kontrollojmë. A do ishte e gabuar të thoshim se duket sikur një ndër misionet tona në jetë është të ndihmojmë të bukurën të arrijë misionin e saj, cilido qoftë ky mision? Kur mundemi blejmë stilolapsa të bukur, rroba të bukura, libra me lidhje elegante, mundohemi të rrethohemi gjithmonë nga objekte të bukura dhe nuk besoj se e bëjmë sepse kështu mendojmë që edhe ne do jemi të bukur. E bëjmë sepse jemi subjekti i bukurisë, jemi skllav i saj. Edhe sado që, herë pas here, mund të tërhiqemi edhe të blejmë diçka që për të tjerët është pa shije, groteske apo e ashpër, e bëjmë gjithmonë sepse ne aty kemi parë bukurinë sipas gjykimit tonë personal e jo sepse duam objektet e shëmtuara. Një objekt i shëmtuar duhet të jetë dyfish më i nevojshëm se sa ai i bukuri që të hyjë në dëshirën tonë. Ndryshe jashtë, kthehu në planetin tënd të Shëmtuar!
Lidhja me ndonjë teori nacional-socialiste është shumë e thjeshtë për t’u bërë, por është po aq e gabuar. Ne nuk jemi nacional- socialistë, ne jemi vetëm lodra të motorit tonë estetik. Nuk besojmë se me këtë zgjedhje tonën gjërat e shëmtuara do zhduken. Por mjafton të mendohemi pak e arrijmë në përfundimin që nëse askush nga ne nuk blen një lexues mp3-je të shëmtuar, atëherë ky do shesë pak fare e do e tërheqin nga tregu e do detyrohen të prodhojnë një të ri me një vizatim më joshës e me elemente të tjerë që e bëjnë elegant. Po, ne e eliminojmë ditë për ditë të shëmtuarën, i kemi shpallur një luftë që s’do mbarojë kurrë. Një femër e shëmtuar duhet të jetë dyfish inteligjente që të na tërheqë** me të njëjtën masë me të cilën na tërheq një femër e bukur. Kështu edhe me objektet. Është njësoj sikur të marrësh teorinë e abuzuar të Darwin-it edhe t’ia aplikosh objekteve, gjë që është nën kontrollin tonë. Në një fare mënyre njerëzimi ka marrë vendin e natyrës në raport me objektet, e për më shumë, më duket se jemi më të egër se sa ajo***. Shumë më të egër.
Arsyeja e dytë më e fuqishme që të radhisnin mbas estetikës së kalit është sociale, e kjo të paktën çoç i ka ca baza. Deri në shekullin e kaluar kali ishte një kafshë më se e nevojshme, historia e luftërave (pra e njerëzimit) është e lidhur me kalin. Indigjenët kishin frikë nga spanjollët, sepse mendonin se nuk ishin njerëz, mendonin se ishin çentaura, gjysëm njerëz e gjysëm kuaj. Mbretërinë time për një kalë, do thoshte mbreti Richard III, sipas Shakespeare-it. Sikur Maratonomaku të kishte një kalë historia do kishte përfunduar ndryshe.
(Ej, po hë re maratonomako, ça bëmë, fituam?
Eh fituam, sa klas! Po, po, fituam.
U lodhe duke ecur?
Jo mo, isha në kalë, s’u lodha fare.
Imagjino ta kishe bërë në këmbë gjithë atë rrugë, ëëë? )
Amerika është ndërtuar nga kuajt po aq sa është ndërtuar nga njerëzit, dhe filmat me sherifa kanë zëne vend thellë në kokën tonë. Një sherif nuk është një njeri me armë, një sherif është një njeri me armë që kalëron. Posta vinte me kuaj, Kastrioti erdhi me kalin e tij legjendar, të bardhë si bora e të shpejtë si rrufeja, Ismail Qemal beu do ketë ardhur me kalë. Boll. Shekulli i 1900 është kundër kuajve. Trena, biçikleta, makina, aviona. Për një ironi absurde, shumë prej këtyre mjeteve maten me “kuaj-fuqi”.
Ka pra edhe një arsye të fuqishme që vërtitet rreth nevojshmërisë së kalit, më shumë në histori se sa në periudhën aktuale. E qëndron, qëndron akoma e forte, edhe pse zbehet dita ditës. Ky këndvështrim (këndvështrimi i nevojshmërise së kalit), të paktën është më shumë egoist se sa arsyeja estetike, ndaj më pëlqen.
Për të nxjerrë ndonjë konkluzion (një shkrim disa faqesh supozohet gjithmonë të ketë një konkluzion, apo jo?) ne hamë e kemi ngrënë mish derri, qengji, e mos më thoni që qengji nuk është i bukur, lope, ketri; ushtarët francezë në Rusi kanë ngrënë kuajt e tyre, ne hamë kangurin, bretkosën, pulën, gomarin, qenin, macen, gjarprin, kush e di, ndoshta i kemi ngrënë ne të gjithë dinosaurët, hamë edhe majmunin, po në rast nevoje hamë edhe njëri tjetrin e nuk po flas për kanibalët, po flas për vitin 1972 (Avioni Fairchild F-227 bje në Ande, në një mal me dëborë, 29 pasagjerë vdesin, 16 të tjerët ushqehen me kufoma derisa i shpëtojnë, mbas dy muajsh. Sot kanë dhe një sit ku tregojnë eksperiencën e tyre). Hamë qenin, me vështirësi për të njëjtat arsye sociale (miku më i mirë i njeriut etj etj), hamë gati të gjithë krijesat detare, përfshirë karkalecat e detit, e një Z-t e di se sa mund do karkaleci për t’u ngrënë, është një torturë e vërtetë, në moment nevoje hamë edhe mizat; kjo ka ndodhur. Besoj se çdo gjë që mund të ecë e që ka mish ne e kemi përtypur, një pjese të mirë gjatë rrethimit të Stalingradit. Në Australi hanë kangurin, por, me sa thonë ata, e bëjnë edhe sepse kangurët janë shtuar shumë e nuk mund t’u garantojnë më ekzistencën e tyre. Kështu që e garantojnë ekzistencën duke i vrarë. E bukur!
Shtetet të cilët vrasin balena e foka, siç më kujtojnë herë pas here mesazhe në postën time elektronike, përgjigjen duke na thënë që protesta është një hipokrizi evropiane. Ne vrasim atë që mund të vrasim, ata gjithashtu. Sidoqoftë, duhet nënvizuar që protesta, sidomos ndaj vrasjeve të fokave, është e lidhur më shumë me mënyrën se si këto bëhen këto vrasje mizore, e jo aq shumë me faktin që vdesin.
Unë personalisht s’kam asnjë problem me asnjë mish, ne si njerëzim nuk kemi asnjë problem me asnjë mish. S’kam asnjë problem me ata që e hanë apo nuk e hanë mishin e qenit, kalit apo ku e di unë, mishin e shqiponjës. Kam probleme ama me ata që i gjykojnë gjërat në mënyrë kaq sipërfaqësore.
______________________________________________________
*Meqë ra fjala, kushedi se ku ka përfunduar koka e famshme e Godfather-it? A do kishte pasur të njëjtin impakt sikur në vend të kokës së kalit të ishte përdorur koka e ndonjë kafshe tjetër?
Ulërima që dëgjoni në atë skene kur aktori sheh kokën e prerë të kalit është reale. Aktori quhej John Marley dhe nuk e dinte që koka do ishte e vërtetë duke qënë se gjatë provave kishin përdorur një ekzemplar fallco. Por në moment të fundit Coppola vendosi të përdorte atë që shohim në film. Koka u ble në një dyqan ushqimesh për qentë.
Edhe në Baaria, filmi i fundit i Giuseppe Tornatore-s, kandidati italian për Oskar si filmi më i mirë i huaj (i huaj sipas amerikanëve), ka një skene po kaq të fuqishme, dhe është vrasja e një demi. Skena në fjalë ka krijuar shumë (pak) polemikë në Itali. Midis të tjerave, meqë ligji italian ndalon vrasjen e kafshëve në atë mënyrë, skena është xhiruar në Tunizi ku ligje të tilla nuk ekzistojnë.
**Cilët janë përjashtimet? Nuk më vjen ndër mend asnjë përjashtim i vërtetë. Mund të mendoj që tifozët, 10 sekondat e para mbasi shënohet goli, as që duan t’ia dinë nëse ishte i bukur apo i shëmtuar, mjafton që u fut në portë. Por këtu futet emocioni i momentit, dhe kjo është e vërtetë sepse e dimë. Prova më e mirë është fakti që çdo vit kur bëhen klasifikimet për 10 golat më të bukur, nuk fusin në listë asnjë gol të shëmtuar. Një gol i shëmtuar mund të futet aty vetëm nëse është shënuar në minutë të 96 në finalen e Ligës së Kampioneve nga një skuadër e cila nuk e fitonte prej vitit 1965. Por edhe aty vijnë në lojë emocione të tjera. “Falet” shëmtia e golit sepse zëvendësohet me bukurinë e fitores.
MatthewLe Tissier p.sh është një futbollist që sot e respektojnë të gjithë, edhe kundërshtarët. Arsyet janë shumë, e një nga këto është që Le Tissier në karrierën e tij ka bërë shumë gola të bukur.
***Një mik që dëshiron të qëndroje anonim – ciao Matteo! - më shpjegonte se, sipas tij, raca njerëzore bëhet gjithmonë e më e bukur. Kjo ndodh – gjithmonë sipas tij - sepse është një fakt që popullsia mbi toke ka kaluar 6 miliardë, dhe shumica e kësaj popullsia përbëhet nga femra. Duke qënë pra se ka një shpërpjestim midis femrave e meshkujve, disa femra nuk do çiftëzohen kurrë, e këto janë femrat e shëmtuara. Femrat e bukura do çiftëzohen gjithmonë me meshkuj të bukur për të bërë fëmijë të bukur (e për të rritur mundësitë që të paktën njëri në familje të fitojë titullin Miss Bota, them unë) që do çiftëzohen me fëmijë të tjerë akoma më të bukur derisa të përmirësojmë gjithmonë racën tonë. Kështu jo vetëm eliminojmë të shëmtuarën, kështu ndryshon koncepti jonë mbi bukurinë e bëhemi gjithmonë e më kërkues. E bukura normale e sotshme bëhet e shëmtuara e së nesërmes. Kjo ka ndodhur historikisht, kjo ndodh akoma. Vetëm para një shekulli në disa zona malore të Shqipërisë bukuria ishte një femër e shëndetshme, e madhe dhe e aftë që të bënte të gjitha punët e shtëpisë, nga gatimi e deri të korrja e barit, mbajtja e druve etj etj. Perveç kësaj, sot ne kemi edhe mundësinë teknologjike për ta bërë këtë me anë të kirurgjisë estetike.
I njëjti mik, edhe pse nuk është e as ka qënë kurrë racist, mendon me forcë se xhuxhët duhet të çiftëzohen vetëm me xhuxha të tjerë. Nuk e di se pse.
Për të mos shkuar shumë larg – mendime të miat, shoku iku – mjafton të rishikoni fotot e zbarkimit të shqiptarëve në brigjet italiane aty nga fillimi i viteve 90. Do vini re, ndoshta me habi, që ato fytyra nuk ekzistojnë më në Shqipëri. Do shikoni që kanë disa fytyre të tjera, të gërvishtura nga vuajtjet, jo komplet të bardha e jo komplet të errëta, fytyra të thara nga dielli, fytyra si libra të hapura. Mirë, kanë kaluar 20 vjet, që nuk janë shumë, për një komb 20 vjet s’janë asnjë gjë. Provoni e shikoni kalimtaret në rrugë, s’po them ata të bllokut në Tiranë, por ata që ke në lagje, komshinjtë e tu në çdo qytet. Do vesh re që ka një ndryshim të jashtëzakonshëm. Është merita e mirëqenies, por për mua ishim më të bukur atëherë (Por edhe unë, nëse i dua, nuk i dua sepse janë të shëmtuar, por sepse në të shëmtuarën e tyre shoh qartë që janë të bukur).
Ashtu si mund të vihet re psh që amerikanët, njëherë e një kohe të kuq, sot janë të bardhe, të zinj etj. I ndryshuan kuajt plus gjenocidi. Gjenocidi, që shpesh ne me hipokrizinë tonë e likuidojmë si “një histori amerikane”, në fakt na përket më shumë se sa na pëlqen të mendojmë. Kush ishin amerikanët në shekujt e kaluar? Thjesht evropianë që migronin : britanikë, italianë, francezë, portugezë. Nuk mund t’i lajmë duart kaq thjesht e kaq shpejt.
Postuar për Respublica.al nga tiranacalling.wordpress.com
Add new comment