Luftë me fishekë manovre

Pardje dhe dje, si rrallëherë, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh dy ditë rresht në seanca plenare. Pas toneve të ulura e melankolisë së kuptueshme që solli vdekja tragjike e Sokol Olldashit, ishte rasti për të tatuar pulsin e politikës shqiptare. Pa shumë surprizë kuptuam se nuk ka vdekje apo ngjarje madhore, që e ndryshon kodin e komunikimit të atyre që ulen në institucionin më të lartë të vendit. Por kjo, gjithsesi është një temë tjetër. Po aq e vjetër sa edhe çështja që do të trajtojë ky artikull. E që ka të bëjë me atë që Erion Braçe dhe Ben Blushi, dy deputetë tashmë të vjetër të mazhorancës, e kanë ngritur me forcë në orët e fundit. Fjala është për pandëshkueshmërinë. Një fjalë e gjatë në fakt, për një nocion të shkurtër e cinik: askush nuk dënohet! Blushi dhe Braçe kanë qenë prej kohësh zëra kritikë brenda së majtës. Por kësaj radhe kritikat e tyre, si kurrë më parë, janë parimore dhe shkundëse për një qeverisje, e cila po jeton më gjatë se duhet me hijen e gjatë të mëngjesit – fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Dy deputetët socialistë, njëri nga foltorja e Parlamentit dhe tjetri përmes faqeve të shtypit, pyetën hapur e drejtpërdrejtë se kur do të ketë akuza konkrete për ish-ministrat, ish-drejtorët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të qeverisjes së shkuar, për të cilët pasardhësit e tyre vijojnë të tregojnë “gjysmëbarsoleta” në Kuvend apo podiume të tjera publike, pa marrë hapa konkretë për të denoncuar ligjërisht atë që kanë të shkruar e zeza mbi të bardhë, në dosjet që kanë marrë në dorëzim nga qeverisja tetëvjeçare. Shumica e 23 qershorit po vijon të ushqehet në inercinë e fitores së saj elektorale. E kanë bërë këtë gjë edhe demokratët para saj, në vitet 2005-2009. Madje-madje, vijoi ta bëjë edhe Lulzim Basha pas ngjitjes në fronin bashkiak, teksa i përmendte Edi Ramës në mënyrë të përsëritur, sesi qytetarët e kishin rrëzuar “me votë”! Një deklaratë që përtej ironisë së rastit, nuk ka asgjë tjetër brenda. Por krahasimi me paraardhësit mund të jetë, në rastin më të mirë, një pjesë e retorikës politike së një mazhorance, e jo vetë retorika. Për t’u kthyer te qeveria aktuale, duket qartë se ajo po fillon të ndiejë peshën reale të një pushteti që sot lundron në ujëra të turbullta. Ministrat po prekin me dorë dimensionet e krizës financiare në sektorët që mbulojnë, por edhe përmasat dhe peshën e detyrave që kanë marrë përsipër, pa harruar që të gjithë së bashku po nisin të përballen gradualisht, me listën e gjatë të premtimeve që kanë bërë. E njëri prej këtyre premtimeve, padyshim ndër më të deklamuarit gjatë tetë vjetëve të qëndrimit në opozitë, ka qenë ai i ndëshkimit ligjor për të gjitha zullumet që qeveritë e vjetra të djathta, kanë bërë, sipas tyre, gjatë drejtimit të shtetit. Tani, thuajse tre muaj pas ardhjes në pushtet, situata për Ramën e ministrat e tij, është pak më e ndryshme sesa atëherë kur mjaftonte të kapje podiumin e Parlamentit e të mbaje fjalimin opozitar të radhës. Tashmë shteti ka mbi krye ata që dikur premtuan drejtësi dhe dënim për ata që shkelën ligjet e futën dorën në xhepat publikë. E kotë të radhisësh sot listën e akuzave publike që u janë bërë ish-ministrave të Berishës nga opozita socialiste. Nuk do të dilte hapësira e një shkrimi të vetëm. Por po fillon të jetë gjithashtu një gjë e kotë të rrish e të dëgjosh edhe sot, sesi zyrtarët aktualë i nisin fjalimet e tyre publike me togfjalëshin “dëgjoni çka bërë paraardhësi im”! Qeveria “Rama” ka marrë përsipër të rikthejë drejtësinë në Shqipëri. Një barrë e rëndë dhe me shumë gjasë e parealizueshme nga një shumicë e vetme parlamentare, aq më tepër brenda një mandati katërvjeçar. Por përtej kompleksitetit të sfidës, është mirë që më në fund koncepti i pandëshkueshmërisë, i cili gjendet në të gjitha raportet serioze që hartohen rreth Shqipërisë (përfshirë kriteret për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE), të marrë goditjet e para. Kush ka qeverisur keq, bazuar në prova konkrete, e jo në llafe kafenesh, duhet të marrë dënimin e parashikuar në ligj. Kush ka vjedhur, kush ka favorizuar në tenderë, koncesione e licenca, kush ka shpërdoruar fondet publike e kush ka dëshmuar se është i lidhur me krimin – duhet të fillojë të zbulohet me emër dhe mbiemër, teksa paditet penalisht në organet e drejtësisë.Kjo është procedura që ndiqet në të gjitha vendet demokratike, ku për kundërvajtje ku e ku më të vogla sesa mynxyrat që dëgjohen në Kuvendin e Shqipërisë, politikanë të shquar e shtetarë të zotë, kanë lënë karrierat politike e janë dënuar nga gjykatat e vendeve të tyre. Një i tillë, ish-kryeministri Silvio Berluskoni, u largua dje me votë nga politika italiane, ndër të tjera edhe për akuza korruptive. Përndryshe e gjithë kjo “lojë luftash” me fishekë manovre, që shohim përditë të luhet mes politikanëve shqiptarë, nuk do të ishte asgjë më tepër sesa një skenë filmi me aksion, ku aktorët, pasi përgjaken me bojë të kuqe e theren me thika kauçuku, ngrihen e shkojnë në shtëpi pa pësuar asnjë gërvishtje. Nevoja për drejtësi është shtruar më me forcë se kurrë në skenën politike shqiptare. Si një provë për standardin e ri ku demokracia e re e këtij vendi pretendon të hyjë, por edhe si një procedurë, e cila do të davaritë më në fund mjegullën e dendur që rrethon konceptin e fajit e të përgjegjësisë në klasën tonë politike. Nuk mund të jetë një emision televiziv (mjaft i respektuar) si Fiks Fare, zbulues më i madh i korrupsionit e paligjshmërisë sesa vetë shteti. Të gjithë fajtorë, asnjë i dënuar, është një situatë paradoksale, e cila u vlen vetëm atyre që pasi vodhën e shpërdoruan, u fshehën mes turmës. Apeli i dy deputetëve të PS-së shënon një fazë delikate në qeverisjen e re të 23 qershorit. Inercia e fitores së pushtetit tashmë është kthyer në përgjegjësi për të përmbushur premtimet nga pozita e pushtetarit. Është koha që shqiptarët të marrin vesh se cilët janë ata që meritojnë dafinat, e cilët ndëshkimin. Të dyja kategoritë nuk mund të ndajnë më, së bashku, të njëjtën çati.
Nga Gazeta "Shqip"
Comments
Skënder ! Ka nje barco;ete

Skënder ! Ka nje barco;ete amerilane me tre Zarfat qe presidenti ne hikje i dorezon presidentit te ri duke i thene qehap sot te parin pastaj çdo tre muaj te tjeret. Dhe presidenti hapi te parin ku shkruhej "ne se punet nuk shkojne mire fajeso paraardhesin". Pas tre muajsh hapi te dytin ku thuhej " tash e tutje fajin e kane te tute". Kur u mbushen gjashte muajt hapi te tretin zarf ku shkruhej : "Tash e tutjte fajin e ke ti". Nga 15 shtatori kane kaluar dy muaj e gjysem dhe po ndegjojme vetem sharje e qesçndisje te Saliut me shoke, kam frike se do vije shpejt koha e zarfit te dyte pa filluar ende punen (perjashto policine, tatimet dhe doganen qe ecin vete). Keshtu nuk jane ristrukturuat ministrite(thone se eshte hile deri sate marrim Statusin), e shume e shume te tjera pune qe nuk po levizin, harrova konferencat ketu e daljet jashte shtetit. Per kujtese ne vitin shume te larget 1992 pas me pak se dy muaj e gjysem filloj teresisht Reforma qe ishte nje permbysje e sistemi te vjeter. Ne jemi mesuar te presim prandaj dhe kemi mbetur gati ne vend, por nuk eshte mire dhe mbi te gjitha duam drejtesi, edhe sepse u angazhuat, dhe jo tallje me opoziten si dikur Saliu.

Shkrim i sakt. ka ardh koha

Shkrim i sakt. ka ardh koha qe rama te gjuaj peshqit e medhenj dhe boll u morr me drejtora koti. te gjuaj ministra ose te shkoj deri te Familja nqs ka b.. dhe nqs ka ndermen te beje pune tamam. se mesa duket po fillojn dhe keto te rinjt te marrin huqet e te vjeterve duke mbajt Kocorera e Zamirera etj etj

Edhe nje here po e them: Nuk

Edhe nje here po e them: Nuk denohet njeri me fjalime ne parlament dhe me artikuj ne shtyp. Ne se ka fakte per shkelje te ligjeve, cfare prisni mor zoterinj, denonconi ne prokurori dhe lerini por.dhet propagandistike, se keshtu po harxhoni plumba kot neper kufoma........

Add new comment