Lajme të mira nga Bulqiza…

Postuar në 01 Gusht, 2011 14:14
Afrim Karoshi

Në dhjetë vitet e fundit nuk kam dëgjuar asnjë lajm të mirë nga Bulqiza. Të afërmit e mi në atë qytet jetojnë në varfëri e në tension social. Varfëria, puna e lodhshme dhe mungesa e shpresës e rëndojnë mendjen e njeriut dhe shtojnë konfliktet. Si shumë të tjerë, të afërmit e mi rrojnë nga puna në minierë.

Lajmet e tjera të hidhura vijnë nga mediat. Këto të fundit i kanë pasqyruar gjerësisht “lajmet e këqija” nga Bulqiza. Nuk ndalem te kronologjia e ngjarjeve. Sa për faktet, me siguri keni dëgjuar që 700 minatorët e minierës së kromit në Bulqizë kanë lënë punën prej disa javësh. Ata kërkojnë 20% rritje page. Kërkojnë mirëmbajtjen dhe mirëshfrytëzimin e minierës së kromit. Kërkojnë përmirësimin e kushteve të sigurisë në minierë. Kërkojnë investime. Me siguri keni dëgjuar për kompaninë austriake ACR që është “pronarja” e minierës, keni dëgjuar për rreth 300 milion dollarët që fitohen në vit nga kjo kompani, keni dëgjuar edhe për korrupsionin në menaxhimin e kësaj pasurie kombëtare nga njerëz të veshur me pushtet lokal e kombëtar, keni dëgjuar edhe për nja dy tentativa të Ministrisë së Ekonomisë për të pezulluar pjesërisht punimet në Zonën D dhe për një gjobë të vendosur kompanisë ACR për mosmbajtje të premtimeve për investime në minierë – dhe në gjithë ato që keni dëgjuar me siguri ju ka rënë në vesh heshtja e dukshme e qeverisë dhe e kompanisë ACR.

Meqë të gjitha këto i keni dëgjuar unë po hedh një këndvështrim tjetër mbi grevën e minatorëve që ndoshta s’jua a ka zënë shumë syri e veshi…

Lajmi i parë i mirë: “zanafilla e shpresës”

Herën e parë që i pashë në ekran minatorët në këtë grevën e fundit ishte dita kur zbarkuan në Tiranë. Kamera kishte fiksuar një grup prej 30 a 40 prej tyre që rrinin të heshtur në pritje të zyrtarëve të ministrisë. Nga pamja m’u kujtua një dokumentar i kanalit TV amerikan ABC, dokumentar i cili flet për Shqipërinë e vitit 1991. Kur pashë dokumentarin u trondita nga “stili” i keq i veshjes së shqiptarëve të asaj kohe, nga flokët e palara e të pakrehura të të rinjve, nga gjurmët e thella të vuajtjes në fytyrat e njerëzve. Atëherë ishte viti 1991 dhe Shqipëria kishte dalë nga një izolim i tmerrshëm. E megjithatë u trishtova nga fytyrat e minatorëve se më përngjasuan me atë pamje. Veçse këtë herë jemi 20 vjet më vonë. Por nuk është çudi që mjerimi të dallohet në fytyrat e minatorëve. Ata paguhen pak, kalojnë një pjesë të mirë të ditës në thellësitë e 1400 metrave nën tokë, bëjnë një punë të rëndë, me siguri me pagën që kanë nuk përballojnë koston e lartë të jetës në qytetin gri të Bulqizës, punojnë në të njëjtën mënyrë si në vitin 1990 “duke nxjerrë krom me karroca dore si atëherë” siç tha një minator, dhe përditë, ndërsa dërrmohen nën këto kushte pune, flasin për “pronarët” e rinj të minierës që pasurohen për ditë. Si të mos mjaftojë barra e rëndë e punës në minierë, minatorët dërrmohen nga mungesa e shpresës kur shikojnë abuzimin që i bëhet minierës dhe atyre vetë. A është ky lajm i mirë? Greva e minatorëve më rikthen përshtypjen se aty ku shpresa zhduket e asgjë e mirë nuk duket në horizont, pikërisht aty në varfërinë ekstreme lind shkëndija se dikush do të reagojë. Minatorët kanë vendosur të reagojnë.

Lajmi i dytë i mirë: Të sakrifikohesh “për të tjerët”

Në listën e kërkesave të minatorëve dallohet kërkesa për rritje page prej 20%. Nëse një punëtor i thjeshtë miniere paguhet 30.000 lekë të reja, ai po kërkon që paga e tij të bëhet 36.000 lekë të reja. Si ka mundësi që një kërkesë kaq e thjeshtë financiare nuk plotësohet dot kur pronarët konçesionarë fitojnë rreth 300 milion $ në vit nga eksporti i kromit? Sikur minatorët të kishin kërkuar vetëm rritjen e pagës kërkesa e tyre do të ishte përmbushur tashmë. Por minatorët kanë kërkesa të tjera: rritje sigurie në punë, ndalimin e shfrytëzimit abuziv dhe korruptiv në zonën e pasur D të minierës, dhe investimin në minierë në mënyrë që ajo të shfrytëzohet mirë dhe të ketë jetëgjatësi. Këtu mendoj që kompania ACR është vënë në vështirësi. Përpara 3 viteve minatorët ishin përsëri në grevë për të njëjtat kërkesa. Atëherë kompania vendosi të bëjë investimet e nevojshme, por duket se në tre vjet nuk ka mbajtur premtimet. Kuptohet që investimi në minierë ka kosto të lartë përballë oreksit të pambarimtë për të shfrytëzuar gjithçka për përfitim të shpejtë personal. Në Shqipërinë e 20 viteve të fundit duket se gjithkush do të fitojë shumë jo në funksion të punës së lodhshme e parimeve të tregut, por në kurriz të më të dobtëve dhe me mashtrim. Këtu e ka zanafillën, mendoj, gjithë përpjekja korruptive e zyrtarëve të kësaj kompanie konçesionare dhe gjithashtu heshtja e pakuptimtë e zyrtarëve shtetërorë rreth mungesës së investimeve.

Minatorët vendosin të vetë sakrifikohen në një grevë urie sepse kompania private ACR nuk ka investuar për shfrytëzimin afatgjatë të minierës. Ky më duket se është një lajm i jashtëzakonshëm që nuk gjendet shpesh në motivet e grevave të këtij lloji – e me siguri kjo është arsyeja që greva e minatorëve ka arritur edhe në dyert e mediave ndërkombëtare. Në Shqipëri edhe lëvizjet qytetare kanë pasur zanafillë egoiste dhe përfitimi personal. Greva e minatorëve të Bulqizës më duket nga të pakta lajme të mira ku dikush vendoset të sakrifikohet për përfitimin e të tjerëve.

Lajmi i tretë i mirë: minatorët kundër korrupsionit

Minatorët me siguri shpresojnë që pagat e tyre do të rriten. Në të njëjtën kohë ata vetë e kanë kuptuar që korrupsioni është një plagë e rëndë që dëmton jetën e tyre tani dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Në rastin e Bulqizës abuzimi dhe korrupsioni i kanë lënë vend shfrytëzimit pa kriter të galerive më produktive të minierës (siç është Zona D). Abuzuesit nuk mjaftohen vetëm me vjedhje. Por janë aq të pangopur sa janë gati të shkatërrojnë edhe të ardhmen e minierës. Me fjalë të tjera, “të ha unë për vete, pas kësaj gjithë bota le të shembet”. Dukshëm korrupsioni dhe abuzimi nuk shkojnë me ardhmërinë e një punëtori në minierën e Bulqizës – ashtu siç nuk shkojnë me të ardhmen e askujt. Kjo është një arsye tjetër që e bën këtë grevë unike: punëtorët shqiptarë të minierës së Bulqizës, përveçse janë në një grevë për interesat e tyre familjare, janë vënë në ballë të shoqërisë shqiptare për të reaguar ashpër ndaj korrupsionit që megjithëse direkt nuk duket se na prek ne të tjerëve, në të vërtetë shkatërron shpresën tonë për një të ardhme më të mirë.

Greva e tyre, greva jonë

“Të punosh në galeri, do të thotë të zbresësh në ferr”, i tha një minator një të përditshmeje shqiptare. Kësaj rradhe një grup i vogël minatorësh me mbështetjen e gjithë të tjerëve kanë zbritur përsëri “në ferr”.  Kjo zbritje, në ndryshim nga monotonia e përditshme e punës së minatorëve, përçon një mesazh që shkon përtej galerive të minierës së Bulqizës. Kjo zbritje “në ferr” është një thirrje për shoqërinë shqiptare për ta kuptuar peshën e rëndë të korrupsionit që e vuajmë të gjithë pavarësisht se nuk na duket, është një thirrje për ta dëgjuar mirë heshtjen e zyrtarëve që gjithashtu na e rëndon jetën të gjithëve, edhe është një zbritje që në thelb, formëzon më në fund, një lajm të mirë që vjen nga Bulqiza.

Epilogu i dëshiruar: A mund të ketë lajme më mira?

Rreth një vit më parë një grup minatorësh ngecën në nëntokën e vendit të punës. U deshën 69 ditë që këta minatorë të nxirreshin në sipërfaqe të tokës në një operacion që tërhoqi gjithë vëmendjen e botës dhe sipas CNN kushtoi rreth 20 milion dollarë. Presidenti i Kilit, Pinera, i cili ishte i përfshirë direkt në operacionin e shpëtimit të minatorëve iu tha kamerave në ditën e shpëtimit se “miniera nuk duket të kishte funksionuar në gjendjen e mjerueshme që ishte” dhe se në minierë “kishte pasur një histori të gjatë shkeljesh”. Menjëherë pas këtij operacioni Pinera deklaroi gjithashtu se qeveria do të merrte masa për të mos lejuar shkelje të tilla të sigurisë dhe investimeve të ndodhnin përsëri në Kili.

Epilogu i historisë sonë do të ishte shumë më i thjeshtë. Nxjerrja e minatorëve nga 1400 metrat thellësi ku janë futur në grevë është një operacion shumë pak më i kushtueshëm se operacioni kilian. Zyrtarë të lartë shqiptarë mund të vizitojnë minatorët, të nxisin ACR-në të rrisë pagat siç e meritojnë punëtorët, të mos lejojnë asnjë lloj shkelje të plan-programit të investimeve në minierë dhe përfundimisht të dënojnë abuzuesit me pasurinë kombëtare.

Ky do të ishte lajm i mirë për Bulqizën e shenjë shprese për gjithë Shqipërinë. Dhe ashtu si Presidenti kilian deklaroi  se ishte “krenar që ishte kilian” ne do të mund të themi me plot gojën se “jemi krenarë që jemi shqiptarë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.