Kërbaçi i regjimit votëplaçkitës

Sulmi i policisë së Kosovës kundër qytetarëve që dolën për të protestuar në mbrojtje të një vendimi të Kuvendit të Kosovës ishte reagim i pritshëm i një regjimi, i cili pasi zaptoi institucionet e shtetit me vota të vjedhura, tash rrah shqiptarë e nesër ndoshta edhe mund t’i vrasë. Dhe për këtë terror psikik dhe fizik përherë do të gjejnë arsyetim leckat publicistike të pushtetit. Pas gjithë kësaj rrëmuje opinioni duhet të shtrojë pyetje edhe për “Vetëvendosjen”, e cila duket se i ka ngatërruar qëllimet politike me veprime të papërshtatshme.
I.
Një pamje nga Podujeva flet më shumë se një mijë fjalë. Kur para 22 vjetësh, në një ditë dimri, policia serbe e vrau Ylfete Humollin në Lupç të Llapit, shqiptarët e Kosovës e dinin se për ta kishte nisur një fazë e vështirë e historisë – ballafaqimi i gjithanshëm me terrorin e Beogradit. Kryesisht duarthatë, por në epërsi morale ndaj një regjimi kriminal shqiptarët e fituan njëherë lirinë, pastaj edhe pavarësinë. 22 vjet më vonë dhe sërish nga Llapi policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, e cila, tekembramja, dominohet nga ata që e quajnë apo e ndiejnë veten shqiptarë, i ofroi publikut të Kosovës, me apo pa dashje, skena pothuaj të njëjta si atëbotë kur u vra Ylfete Humolli. Natyrisht, rrethanat janë krejt të ndryshme, nuk mund dhe nuk po krahasohen këtu pushtetarët e sotëm të Prishtinës me sundimtarët e atëhershëm jugosllavë dhe puthadorët e tyre shqiptarë, nuk mund të krahasohet as policia e sotme e Republikës së Kosovës me milicët e atëhershëm. Por, megjithatë, nganjëherë një pamje flet më shumë se një mijë fjalë dhe publiku i gjerë televiziv i krahason ngjarjet me thjeshtësinë më të madhe të mundshme. Duket se qeveritarët e Kosovës, të cilët të shtunën e përcillnin me komoditet demonstrativ spektaklin brutal pranë pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për peshën e pamjeve. Dhe si të jenë, kur kujtesa e tyre historike është rrudhur në tenderin e pardjeshëm dhe keqpërdorimin e djeshëm të arkës së shtetit.
II.
Mund të diskutohet nëse shefi i “Vetëvendosjes” me shokë e zgjodhi rrugën e duhur të shtunën për të protestuar në mbrojtje të një vendimi, i cili, sidoqoftë, nuk është votuar nga bashkësia lokale e Muçibabës, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. A u shfrytëzuan të gjitha instrumentet e angazhimit brenda institucioneve? A u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për denoncim publik të të gjithë atyre biznesmenëve që sjellin mallra nga Serbia në Kosovë, ku e realizojnë ekstra-profitin? A e kanë sa duhet të qartë liderët e “Vetëvendosjes” dallimin mes protestës që nuk kanos rendin publik dhe nuk shkakton dëme që në fund kompensohen nga xhepi i taksapaguesve, në emër të të cilëve kjo lëvizje thotë se po proteston, dhe monopolit që ka shteti për përdorimin e forcës legjitime? (Me forcë legjitime nuk mendoj assesi brutalitetin policor të së shtunës, por monopolin shtetëror në kuptim të asaj që kanë shkruar e shtjelluar Jean Bodin, Thomas Hobbes dhe Max Weber. Është e pabesueshme që partia e lexuesve të pasionuar, siç është “Vetëvendosja”, të mos ketë dijeni për këtë detaj politik, filozofik dhe sociologjik). A nuk do të kishte qenë më mirë sikur aktivistët e “Vetëvendosjes” të shpërndaheshin para vetëshërbimeve e dyqaneve nëpër Kosovë dhe të bënin kampanjë aktive kundër prodhimeve të padëshiruara? Lëvizja “Vetëvendosje” pretendon të jetë shumë kreative në organizimin e aksioneve politike. Kësaj radhe, për fat të keq, ajo nuk i dëshmoi këto aftësi kreative. Shumë pyetje mund t’i shtrohen drejtuesve të subjektit të tretë politik të Kosovës.
III.
Por edhe një mijë pyetje për “Vetëvendosjen” nuk e arsyetojnë brutalitetin e policisë së Kosovës, e cila të shtunën ose u urdhërua të veprojë ashtu si veproi ose nuk pati kush ta urdhëronte dhe e kaloi ditën duke u shfryrë në djem e vajza shqiptarë – kinse në përpjekje të mbrojtjes së rendit dhe ligjit. Ata policë që tundnin kërbaçin në emër të pushtetit, që gjakosnin qytetarë, që rrihnin e burgosnin deputetë të Kuvendit të Kosovës mund të pyeten – dhe kjo nuk është pyetje populliste – nëse do të vepronin me vendosmërinë e njëjtë ndaj strukturave paralele në veri ose ndaj atyre serbëve që edhe gati 13 vjet pas luftës në Kosovë qarkullojnë me vetura me tabela “UR”, “PR”, “PZ”, “DJ”, “GL” etj.?
Është e kuptueshme që njerëzit, qytetarët anekënd Kosovës të jenë të zemëruar me këtë sjellje të policisë, e cila paguhet me para të taksapaguesve. Të shtunën reagimi i policisë ishte joprofesional, agresiv, me një fjalë: ishte keqpërdorim i ligjit nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit. Këta janë fqinjët tanë, kushërinjtë tanë, miqtë tanë. Nuk janë armiq tanët. Edhe pse policët nuk mund t’i lajnë duart tërësisht në pafajësi, mllefi i qytetarëve të Kosovës duhet të drejtohet kundër urdhërdhënësve të këtij brutaliteti. Ata kanë emër e mbiemër dhe ushtrojnë funksione në qeverinë e Kosovës. A do të bëhej hata sikur protestuesit të rrinin dy-tri ditë afër pikave kufitare? Jo. Në Gjermani njerëzit bllokojnë me ditë të tëra hekurudhën, madje lidhen me zinxhirë për binarë për të penguar transportin e mbetjeve radioaktive. Ose ndalin trafikun për të protestuar kundër ndërtimit të ndonjë autostrade. Por policia nuk ndërhyn ashtu si kjo e jona të shtunën. Çdo polici profesionale përgatit dhe zbaton planin për deeskalimin e situatës. Përdorimi i forcës është mjeti i fundit. Në policinë e Kosovës është ndryshe, sepse ajo i nënshtrohet urdhrave të një tarafi politik, i cili në kuadrin e të gjitha deformimeve që i ka bërë deri më tash ua ka kaluar të gjitha pushteteve të pasluftës duke vendosur në disa pozita udhëheqëse agjentë të nëntokës, figura të lidhura me krimin e organizuar dhe pinjollë udbashësh.
Prandaj ajo çfarë pa Kosova të shtunën ishte reagim i pritshëm i një regjimi, i cili nuk ka asnjë synim tjetër përveç se qëndrimin në pushtet me çdo mjet duke mos përjashtuar as dajakun për qytetarët, të cilëve gjoja u shërben. Dhuna afër pikëkalimeve kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë u ushtrua rrafsh 13 muaj pasi garnitura e tanishme sunduese erdhi në pushtet me vota të vjedhura. Një parlament me legjitimitet të cunguar zgjodhi një qeveri pothuaj pa legjitimitet demokratik. Rrjedhimisht një regjim i tillë – dhe kjo s’duhet ta befasojë askënd – për të ruajtur pushtetin sot është i gatshëm të rrahë qytetarë e nesër ndoshta edhe t’i vras. Tekembramja, atmosferës së dhunës dy-tri ditë para protestës i kontribuuan vetë eksponentët e regjimit, duke filluar nga kryeministri e deri te kalemxhinjtë e tij, të cilët tashmë e kanë pranuar tërësisht rolin e leckave publicistike, që zakonisht përdoren për çdo punë të fëlliqur. Por edhe për ta vlen porosia e Adem Demaçit që në vitet 90-të ia kishte dhënë një figure publike: “Bacit, ti ke me u ba ikajl me e hongër krejt tirazhin e gazetës”.
IV.
Në krejt këtë rrëmujë një rol të neveritshëm luajti edhe qeveria e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Çdokush mund të ketë 1001 vërejtje e kritika me vend për Albin Kurtin dhe lëvizjen e tij, por të krahasosh forcën e tretë parlamentare të Kosovës me serbët që bllokojnë rrugët në veri të vendit, siç veproi Ministria e Jashtme e Shqipërisë, është nonsens. Është primitivizëm t’i krahasosh krerët e “Vetëvendosjes” me Zvonko Veselinoviqin, kryeshefin e kriminelëve serbë në veri, i cili madje ka marrë rrogë nga Postë-Telekomi i Kosovës, që kontrollohet nga Qeveria e Kosovës. Sjellja e Shqipërisë zyrtare është përzierje flagrante në punët e brendshme të një vendi sovran. Paternalizmi i Tiranës mbi Prishtinën ka arritur me këtë ndërhyrje kulmin dhe nuk duhet të durohet më.
Nuk është mirë që kryeministri Hashim Thaçi të vazhdojë të marrë yrnek në Tiranë për të qeverisur në Kosovë, sepse Shqipëria nuk është model, por është antimodel i demokracisë. Në verbërinë e tyre në favor të Berishës jo pak kosovarë nuk duan t’i shohin edhe anët e errëta të qeverisë së tanishme në Tiranë: Sali Berisha nuk do të mbahet në mend nga shqiptarët vetëm pse gjatë qeverisjes së tij shtetasve të Shqipërisë iu hoqën vizat për vendet e Schengenit. Berisha do të mbahet në mend për 26 të vdekur në Gërdec, për viktimat e 21 janarit 2010 në Tiranë, për koalicionin me Ilir M., i cili madje u incizua duke bërë pazare me pasuritë e shtetit, do të mbahet mend Berisha edhe për krijimin e një skene mediale me gazetarë oborrtarë e lecka publicistike, të cilat përdoren, njëjtë si në Kosovë, për të fshirë çdo fëlliqësi. Do të mbahet në mend Berisha edhe për shtrirjen e pushtetit familjar madje deri te vija bregdetare dhe lumenjtë e Shqipërisë. Të gjithë kosovarëve mund t’u pëlqejë ajo që po quhet rruga e kombit, por të paktë janë ata që shtrojnë pyetje rreth keqpërdorimeve të mëdha financiare që supozohet (nga drejtësia!) se janë bërë pikërisht në emër të rrugës së kombit. Gazeta e famshme franceze “Le Monde diplomatique” e pati quajtur “autostrada e korrupsionit nacional”.
V.
Sali Berisha sa herë që e ka pasur punën pisk në Tiranë është përpjekur të përdorë e keqpërdorë Kosovën për interesa të tij. Në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, kur Shqipëria ndodhej para shembjes së piramidave financiare – dhe këto i kishte lejuar qeveria e atëhershme -, Berisha u përpoq që krizën ta bart në Kosovë, duke e ndërsyer, mes shumë të tjerëve, edhe folësin Reis Çiço që në TVSH-në e atëhershme të këndojë komente në stilin: “Kosovarët duhet t’i përkrahin demonstratat e opozitës serbe në Beograd... Studentët serbë do të fitojnë... Demokracia në Serbi do të fitojë”. Sipas kësaj logjike shqiptarët e Kosovës, të terrorizuar nga Serbia, duhej të dilnin në rrugë jo për të kërkuar lirinë e tyre, por për t’i ndihmuar Vuk Drashkoviqit të demokratizojë Serbinë. Që nga atëherë Reis Çiço ma kujton Hajrije Spikericën e Televizionit të Prishtinës të pushtuar nga regjimi serb. Ky rol destruktiv i atëhershëm i Berishës ndikoi në keqësimin e marrëdhënieve të tij me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Këta dy nuk u takuan kurrë në truallin e Kosovës. Në këtë mes dhe nga perspektiva e sotme duket vetëm qesharake ajo që Berisha kishte thënë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në mars të vitit 1997: i pyetur nga revista “Der Spiegel” se ç’mendonte për aksionet e UÇK-së, ai së pari kishte shprehur dyshimin e tij nëse këto “të ashtuquajtura grupe terrori” vërtet përbëheshin nga shqiptarët, pastaj kishte supozuar se prapa sulmeve të UÇK-së qëndronte vetë Arkani, shefi i bandave paramilitare serbe. Kjo i bie se Arkani paskësh qenë shef i Hashim Thaçit. Është mirë që kryeministri i tanishëm i Kosovës t’ia shpjegojë homologut të tij shqiptar si ka qenë puna, nëse takohen këto ditë për t’i dhënë këshilla njëri-tjetrit dhe për të shkëmbyer eksperiencën e begatshme për atë se si luftohen “armiqtë e brendshëm”.
VI.
Nga gjithë ajo që ndodhi të shtunën duhet të nxirren disa mësime e përfundime: së pari qeveria e Kosovës duhet të merret vesh se ç’janë protestuesit e “Vetëvendosjes” – “faqezi” (sipas Hashim Thaçit) apo “patriotë të sinqertë” (sipas hyzmeqarit të tij të parë Hajredin Kuçi?) “Vetëvendosja” dhe sidomos Albin Kurti duhet ta pyesin veten nëse politika është vetëm art i asfaltit dhe gurëhedhjes, i cili në fund më shumë u kushton qytetarëve se sa qeveritarëve, apo art i së mundshmes dhe i krijimit të alternativave e aleancave që i bëjnë të arritshme ndryshimet. Albin Kurti po ashtu do të ishte mirë të koncentrohej në politikën e prekshme dhe ta linte njëherë ad acta idenë e tij për bashkim kombëtar, sepse kjo s’bëhet me entuziastë që zënë vend në dy autobusë, as me monopolizim të patriotizmit dhe në kundërshtim frontal retorik me politikën ndërkombëtare. Mbi të gjitha “Vetëvendosje” dhe partitë tjera opozitare në muajt në vijim duhet të formulojnë një plan të përbashkët për evitimin e plaçkitjes së votave në zgjedhjet e ardhshme dhe një platformë për një qeverisje të pastër. Nëse opozita nuk është e vendosur dhe e organizuar, atëherë ky regjim sërish do t’i vjedhë zgjedhjet, sepse kjo është njëra prej shkathtësive më të rrezikshme të tij. “Vetëvendosje” ka bërë njëherë gabim duke hyrë symbyllur në parlamentin që doli nga votat e vjedhura.
Rruga drejt pushtetit është e gjatë – Joschka Fischerit, aktivistit majtist dhe gurëhedhës kundër policisë gjermane, i janë dashur 20 vjet derisa arriti në kulm të pushtetit. Në këtë rrugëtim ai modifikoi e modernizoi shumë qëndrime, duke u bërë politikan i moderuar: prej urrejtësit të NATO-s u bë përkrahës i intervenimit të NATO-s në Bosnjë dhe Kosovë, prej armikut të kapitalizmit të egër u bë mbështetës i një shoqërie të majtë liberale. Në ditët në vijim Albin Kurti është mirë të lexojë disa libra të Joschka Fischerit dhe jo pak tekste mbi karrierën politike të gjelbëroshit gjerman, nëse nuk dëshiron të qëndrojë 20 vjet në opozitë.
* Botuar te “Koha Ditore”, më 16 janar 2012
Comments
ENVER Robelli kam katër
<p><span style="">ENVER Robelli kam katër pyetje per ju- a e përbaltni vendin dhe popullin tuaj kur shkruani për gazeta gjermane? I lexoj shkrimet tuaja në gazetat gjermane dhe zvicerane dhe çdoherë I përbaltni shqiptarët. Po ju kujtoj shkrimin kundër Ismail Kadaresë për librin mbi Skënderbeun. Po ju kujtoj shkrimin kundër Fatmir Limaj kur keni shkruar për (vet)vrasjen e dëshmitarit X në Gjermani. Po ju përkujtoj për shkrimet që keni bërë për gjoja ndjekjen e serbëve nga shqiptarët pas luftës. Enver Robelli ju jeni dyfytyrësh. Kur shkruani për gazeta të huaja ju I bini popullit shqiptar sit ë ishit serb. Pse Enver Robelli? Pyetje e dytë- cili është shkollimi juaj? A keni të kryer më shumë se gjimnazin? A keni shkruar ndonjëherë në shkollë të lartë? Çfarë ju kualifikon të shkruani, kur jeni I pashkollë?! Pyetja e tretë – pse disa miq që ju njohin mire sin ë Zvicër sin ë Gilan si në Prishtinë thonë që ju kur shkruani artikujt tuaj përktheni dhe plagjiarizoni nga gjermanishtja deri në 70% ? Dhe pyetja e fundit- pse babai juaj u emërtoi ENVER- a mos është prë shkak të ENVER HOXHËS? I tregoni opinionit shqiptar përgjigjet z. Robelli se mjaft me mashtrues që hedhin baltë në popiëëin e tyre për 5000 euro. Dhe po edhe një pyetje kur po ju hedh jashta pune Suddeutsche Zeitung?</span></p>
Add new comment