Edukimi i munguar dhe reforma

Dy ditë më parë, z. Ndriçim Kulla shtjelloi në të përditshmen MAPO idetë e tij për një “revolucionim” të edukimit në vend të revolucionimit vetëm të “mësimdhënies”. Mendoj si ai, për përmirësimin e thellë të cilësisë në arsim, por, nuk ndaj të njëjtin mendim me të, për mjaft prej ideve të tjera që ai ofron, ide bazale këto për reformimin e arsimit.
a) Fillimisht, në vend të termit “revolucionim”, unë po përdor termin “evoluim”, duke nënkuptuar me këtë zhvendosjen hap pas hapi drejt një arsimi më cilësor për të gjithë, pavarësisht kushteve dhe rrethanave vetjake të subjekteve. Gjë që buron nga vetë natyra e sistemit arsimor, e cila i ngjan oqeanikut që, edhe pse kapiteni rrotullon timonin, ruan për njëfarë kohe, për inerci, drejtimin e lëvizjes së mëparshme. Natyrë që pengoi, të themi, për 31 vjet teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit të futej deri në programet e së famshmes Shkollë Politeknike në Francë.
b) Më tej, mendoj se është me interes të komentohet veçimi që autori u bën dy kuptimeve bazale për një sistem arsimor: edukimit dhe mësimdhënies. Citoj: “Por, gjithsesi, … s’mund të ketë asnjë rezultat konkret përmirësimi në të gjithë sistemin tonë arsimor, nëse nuk fillohet procesi i rritjes së standardeve të edukimit, krahas atyre të mësimdhënies”.
Ndarja e koncepteve edukim – mësim, sot, nuk përkon me realitetin dhe tendencat bashkëkohore në arsim. Ajo i takon asaj kohe, kur edukimi e përfshinte mësimin/nxënien dhe konsiderohej proces i qëllimshëm me pikësynime të qarta ideologjike. Proces që kishte aktor kyç pedagogun, të ndihmuar jo pak nga një infrastrukturë propagandistike e larmishme që synonte t’i përgatiste të gjithë “me një kut”. Asaj kohe, kur edukimi nënkuptonte më shumë ndikimin e qëllimshëm të dikujt mbi dikë, ndikim që orientohej nga ajo që duhej ngulitur tek i edukuari, pavarësisht nevojave, dispozitave, prirjeve dhe interesave individuale. Asaj kohe, kur, nxënia synonte zhvillimin mendor të subjektit, përmes riprodhimit të saktë të kumtimeve të pedagogëve dhe të dijeve të kodifikuara në teksteve mësimore.
Në dallim nga këto, reformat bashkëkohore, flasin për arsimin dhe e konceptojnë atë si tërësi procesesh përmes të cilëve shoqëritë krijojnë dhe menaxhojnë kushtet ku, të rejat dhe të rinjtë, të ndihmuar nga pedagogu, ndërtojnë dhe zhvillojnë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet, vlerat dhe forma të tjera të sjelljes që shoqëritë i konsiderojnë të nevojshme. Ky kuptim, në planin e njohjes, shpreh zhvendosjen revolucionare nga teoritë bihejvioriste dhe ato kognitiviste drejt teorive socio-konstruktiviste. Ai sjell në fokus kuptimin gjithëpërfshirës të “nxënies gjatë gjithë jetës” që kërkon kurrikula dhe stafe akademike të reformuara thellësisht. Kuptimin që konsideron se mendja e njeriut është e pajisur më së miri për të mbledhur informacion për botën, duke vepruar në të, më shumë se sa duke lexuar për të, duke dëgjuar leksione për të apo duke studiuar modele abstrakte të saj. Kjo nxënie e reformuar ka si parakusht lirinë dhe zgjeron më tej kufijtë e saj.
c) E konsideroj të drejtë idenë e z. Kulla, sipas së cilës “reformimi kryesor që i shkon më përshtat cilësisë së edukimit është reformimi i kurrikulave”. Por nuk mendoj si ai, sa u takon pikave të referimit dhe përmbajtjes së konceptit.
Më së pari, referimi te Platoni. Sistemi i propozoi prej tij, edhe pse do të ishte i hapur për të gjithë, u projektua posaçërisht për të edukuar “mbretërit filozofë” dhe ligjvënësit e ardhshëm të shtetit ideal. Kurrikula e këtij sistemi ishte e bazuar qartësisht mbi dijen. Platoni mendonte se, duke i ekspozuar individët kundrejt një lloji të posaçëm dijeje, dijes më të mirë dhe më të vyer që kishte prodhuar mendja njerëzore, do mund arrihej që zhvillimi intelektual i individëve të pasqyronte zhvillimin e mendjeve më të mira të së shkuarës. Dhe, nëse është e vërtetë që modeli i ofruar nga Platoni u bë themeli i kurrikulës akademike tradicionale në sistemet arsimore perëndimore, për më shumë se 2500 vjet, po kaq i vërtetë është dhe fakti që, gjatë kësaj kohe, vetëm një përqindje shumë e vogël e popullatës mori arsim formal. Në dallim nga ky koncept, zhvillimi i kurrikulave të reja orientohet nga kuptimet bashkëkohore për inteligjencën, për njohjen/nxënien, për organizimin e punës, për rritjen e ndërvarësive dhe lëvizshmërinë, për zhvillimin e qëndrueshëm etj. Nëse duam breza që të përshtaten me ndryshimin, duhet ta rimendojmë arsimin, duke riorganizuar themelet, duke ripërcaktuar perspektivat dhe qëllimet e tij, çka kërkon nga të gjithë, që nga rektori, dekani, pedagogu e më gjerë të zhvillojnë një vizion imponues për kurrikulat dhe për nxënien në këtë shekull, ta komunikojnë atë me pasion dhe të mundësojnë që ky vizion të konkretizohet në të gjithë qelizat e institucionit arsimor. E, për t’i zbatuar praktikisht ide të tilla, do duhet të ndryshojmë modelet mendore mbi të cilët zhvillohen kuptimet tona për arsimin, por dhe të kuptojmë pse duhet të mendojmë ndryshe.
Si ilustrim të nevojës për ndryshim, po sjell kuptimin e z. Kulla për kurrikulën, “Dihet – thotë ai – që një element gati kryesor i cilësisë së një universiteti është jo vetëm kurrikula, por edhe literatura mësimore që i ofrohet studentit”. E konceptuar kështu, kurrikula identifikohet vetëm me programet e studimit dhe me tekstet mësimore. Ndërkaq, ndërlikimi i proceseve reformuese dhe kërkesat e reja për profilet e studentëve kërkojnë që të mos reduktohet kurrikula e programeve dhe tekstet mësimore. Përtej tyre, kurrikula, sot, po perceptohet gjerësisht si pasqyrim i shoqërisë për të cilën aspirojmë (bazat, objektivat, konceptet, teoritë kryesore etj.); si plan veprimi pedagogjik dhe administrativ mbi bazën e të cilit funksionon sistemi/institucioni arsimor (kornizat kurrikulare, planet mësimore, strukturat, mjetet mësimore etj.); si mjet dhe si proces i zhvillimit pedagogjik dinamik, jo të vijueshëm dhe ndërveprues (përmbajtjet mësimore, strategjitë e nxënies, vlerësimi dhe rezultatet e nxënies) dhe si zhvillim administrativ (konceptimi, zbatimi, ndjekja dhe vlerësimi në vijimësi i kurrikulës).
Për të siguruar profilin e dëshirueshëm të studentit të së ardhmes, na kërkohet të sendërtojmë një marrëdhënie të re dialektike ndërmjet përmbajtjeve, strategjive, aksesorëve të tjerë arsimorë dhe nivelit të arrirë në zhvillimin e subjektit, të kapaciteteve dhe të mundësive të tij ndërtuese dhe realizuese. Këndej, institucionet tona do mund t’u ofrojnë të rejave dhe të rinjve shërbime që i arsimojnë, i shoqërizojnë dhe i kualifikojnë.
Ndërkohë, ju mund të keni ide të tjera. Konsiderojini, atëherë, gjithë sa u tha, përpjekje për të filluar të mendojmë rreth llojeve të ndryshimit që kërkohet, nëse duam të përgatitim gjenerata për jetë të suksesshme në shoqërinë demokratike dhe ekonominë e dijes.
Pëllumb Karameta
“SHQIP”
Add new comment