Bariu që mblodhi delet e humbuna…!

Postuar në 02 Gusht, 2011 11:54
Ardian Preçi

Javën që shkoi, Dom Simon Jubani i mbylli sytë e shkoi në jetën e pasosun. Nuk u tremb aspak e infermieren e pyeste me t’qeshun – a keni gjet ilaç kundra pleqnisë?

I tillë ishte Dom Simoni: i qeshun, shakaxhi, i drejtpërdrejtë, e shumë i dashtun. E donte të drejtën, moralin, progresin dhe i përçmonte veset.

Unë kam pasun fatin me e njoftë personalisht Dom Simon Jubanin. Për herë të parë e kam takue në nji të diele mbasdite nder vorre në Markatomaj t’Lezhës. E kishte vendos nji tavoline tek hija e qarrit të madh në mes të vorreve.  Aty nder vorre në Markatomaj asht nji qarr aq i madh e i moçem, që i ban hije gati krejt vendit. Ky qarr duket sikurse t’dekunve u ban hije diten e naten u ban roje – ndersa shpirtnat e tyne prehen.

E per me u kthye tek Dom Simoni sikurse i thirshin tetane. Ka kenë viti 1991, apo 1992, nuk e mbaj mend fort mirë. Ishte hapë fjala neper katund se ka ardhë Dom Simoni e ka me dhanë meshë në oren 3 mbasdite.  Prej katundit e te vorret janë nja 10 minuta udhë, e krejtë vendi ishte mbush me njerëz të veshun sikur të kishte ndoj festë të madhe. Kurrë s’kam pa ma shumë njerëz se atë ditë nder vorre. I vuni krejt fmijtë në rresht të parë e plakat e pleqtë mbas fmijve; e ju të tjerët rrini ku të doni, tha.

Iu merrte goja e mundohej me folë avash, nuk e kishte asnjë dhamb në gojë e na fmija filluem me qeshë. E hapi predikimin me fjalet: “Unë jam plak e m’qeshin fmija, asnjë dhamb s’ma ka bulshija”. E krejt qeshen. Mbasandej u kthye në serioz e tregoi se si ia kishin thye krejtë dhambtë neper burgje e sa shumë kishte vuejtë, por i qeshte buza e ishte aq i gzuem sa u dukte sikur krejtë vendit i jepte dritë, jo nji dritë të zakonshme, se asokohe ishte ditë me diell e kishte plot dritë, por sikurse prej tij vinte nji dritë  tjetër, që ta rrezatonte shpirtin e jo veç sytë. Fjalët i kishte të ambla, prej gojës tij dilshin do fjalë që i kisha ndigjue veç nder pleqtë e vjeter, kur bajshin kuvend.

Më kujtohet kur gjatë predikimit tha, se “krejt kto vite burgu e kto vuejtje që kam pasë, nuk m’lodhin kur shoh se si komunizmi nuk ia mbrrini me e mbytë besimin nder popull”, e  iu ba zemra mal atë dite kur pa fmijtë tuj thanë uratë. A shikoni tha, kto fmij kanë msue me thanë urate pa pasë prifta e liturgji fetare; eh pra çdo shpi gjatë komunizmit paska kenë kthye në kishë. E gjyshet tona me krejtë krenari, u kullshin lehtë në shenjë mirnjohje për fjalët e Dom Simonit.

Mbas meshe tha – të gjithe ato fmijë të pa pagzuem të dalin para elterit. E krejt vendi u mbush me fmijë e me të rinj.  Nji plake i tha – si do me na i pagzue fmijtë pa nuna (kumbarë) e Dom Simoni i’u kthye plakes: Do t’i pagëzoj në emen të Atit e të Birit e të Shpirtit Shejt, në prani të krejt juve e të madhit Zot, sikurse Gjon Pagzori kish pagzue Krishtin. E mori nji shishe me ujë të bekuem e tuj u ba kryq, i pagzoi krejt fmijtë.

Iku atë ditë tuj na thanë, pastroni veten prej vesit, e mundohuni me ba veç mirë se “Herë me hiri e herë pa hiri, shtatë herë n’ditë mkatnon ma i miri”.

E kallxova këtë “relike personale”, se m’u kujtue kur mora vesh se Dom Simoni kishte dekë, e m’u duk sikurse më kishte dekë nji i afërm i emi.

E kam taku disa herë ma vonë Dom Simon Jubanin, kur i palodhun bekonte shpia, pagzonte, jepte meshë neper vorret e krejtë malsive të Mirdites, Dukagjinit e Shkodres. Predikonte me zell, ishte armik i betuem i së keqes, armik i politikes Shqiptare. Shpesh here i quante “pjellë e keqe, prej pjelles keqe”.

Dom Simoni rrnoj i thjeshtë gjatë viteve të demokracisë. Nuk kishte grada, punonte me përkushtim të madh për popullin, udhëtonte jashtë vendit, e kudo shkonte tregonte historinë e jetës vet, që përfaqësonte dhunen e komunizmint kundra popullit. Kërkonte ndihma nëpër Europë e nëpër Amerikë… E shpesh herë thoshte; “Unë s’kam marre me i kërku ndihma Europes, se ata duhet me na ndihmue ne, për me u kthye në rrugë t’mbarë”.

Dom Simon Jubani edhe pse doli i gjallë nga  burgjet e komunizmit asht pjesë plejades së martirëve te kishës, në rezistencë ndaj komunizmit. E si i gjallë ne demokraci ishte njikohësisht: drita e shëlbimit dhe bariu që mblodhi delet e humbuna, e shpirtnat e bjerrun.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.