“Serbia na pranoi”. Sa të marrë që jemi!

Postuar në 02 Mars, 2012 04:52
Astrit Gashi

Pas një faze defetizmi e paniku, “optimistët patriotikë” kanë filluar të shpërfaqin imagjinatën e tyre lidhur me fusnotën. Pas cilësimit poetik të fusnotës, si “fjollë e borës”, nga kryenegociatorja Edita Tahiri, “armata”, së cilës po i shtohen radhët, ka filluar jo vetëm të deklarojë, por fatkeqësisht edhe të besojë në gënjeshtrën e saj se, me marrëveshjen e fundit, me të vërtetë Serbia na ka njohur.

Nuk ishte “hangër” prej së miri, sikur të ishte kështu. Do të çliroheshim që të gjithë, edhe ne, edhe Serbia, por edhe vetë Rusia. Tingëllon si përrallë e bukur, por me të do të rehatohej për sot e shtatëqind vjet Ballkani, ku shqiptarët dhe serbët sot janë të vetmit që po masin peshat. Nuk do t’ia shihnin hairin asaj duke i lënë pa mend dhe pa rrogë vetëm diplomatë të pensionuar perëndimorë nëpër institute botërore, të cilët qe sa e sa vjet po kërkojnë rehatimin e kësaj ane të Evropës përmes vrimës së gjilpërës e birës së miut, por ende nuk e kanë gjetur si.

Por, ja që nuk është, e në të vetëm të marrët mund të besojnë – kategori kjo e pafajshme madje edhe para ligjit. “Pozitivistët patriotikë” tanë, për çudi, sot janë në një vijë me “pesimistët” nga Beogradi, të prirë nga Vojisllav Koshtunica, babai shpirtëror i teorisë politike të shpalljes së tradhtarëve e atdhetarëve, e që përkufizohet në moton e njohjes së Kosovës nga Serbia. Kush mund të thotë tash se shqiptarët e serbët janë armiq e nuk mund të bashkëpunojnë e të jenë në frekuenca të njëjta politike? Dallimi i bashkon.

E dhimbshme është të shikosh shpërfaqjen e komplekseve sociale të këtij “optimizmi patriotik” (dhe ata pesimistë të papërmirësueshëm), duke u thirrur e shpërndarë si argumente deklaratat e Koshtunicës me shoqëri, të atyre forcave pra që, si po na thonë sot, po e mbajnë të izoluar veriun e Kosovës me armë, me para e me struktura të sigurisë. Po e qartësoj dhe po e përsëris, nuk janë këta as proserbë e as tradhtarë, janë një kategori tjetër shumë më e rrezikshme, janë të marrë, besimtarë e shpërndarës propagande, herë të njërës e herë të tjetrës palë.

Është thënë e është shkruar shumë për fusnotën këto ditë, sa që nuk e vlen të thellohesh hiç në të. Më kundërshtuesit janë “akademikët”, ata që s’e përdorën kurrë një të tillë nëpër punimet e tyre të doktoratës. Më së paku atë e kundërshton populli, qytetari i thjeshtë, sepse nuk e kupton, e ndoshta as që ka dëgjuar ndonjëherë më parë për të.

Ky popull sot ka synim mbijetesën e gjallërimin ekonomik, shoqëror e familjar. Shefat e marketingut frikësohen se ajo është e njëjta me fusnotat që ua qesin reklamave të mëdha për përgjysmim çmimesh në secilin artikull e në fund del që vlen vetëm nëse i merr dy palë ose copë produktesh. Në fakt, interpretimi më real i prezantimit të vendit tonë nëpër iniciativa rajonale si Kosova*, është më së afërmi me këtë. Është përgjysmim çmimi, por vetëm nëse i blen dy palë çorapë.

Nga ajo që kam arritur të kuptoj duke dëgjuar të gjitha palët, ato që nuk besojnë e as nuk shpërndajnë propagandë, është se ligjërisht “*” nuk ka asnjë pasojë, ose të paktën nuk përbën ndonjë fakt të ri negativ; politikisht ka, sepse e kemi pranuar me gojën tonë se hala nuk jemi tamam shtet dhe me këtë u kemi dhënë mjaftueshëm material atyre që nuk na pëlqejnë të mos na konsiderojnë si të tillë edhe për një kohë; ekonomikisht prezenca jonë nëpër forume ndërkombëtare mund t’i bëjë madje edhe optimistë disa investitorë potencialë që vazhdojnë të na shohin si ishull të izoluar e që më parë i fusin paratë në një “ishull taksash” se në një “ishull korrupsioni”, së paku për eksport.

Të gjitha këto argumente “pro et kontra” sot mund t’i shohim vetëm si potencialisht pozitive apo negative, duke i lënë kohës ta japë dëshminë e saj. Ajo ku më së paku duhet të kemi dyshim është se potencialisht kemi thyer Kushtetutën e vendit që parisë sonë nuk u lejon asgjë më pak se ta trajtojnë Kosovën jashtë e brenda ekskluzivisht vetëm si shtet sovran e jo me “fjolla bore”.

Kjo marrëveshje, para së gjithash, nuk na i mbyll problemet me Serbinë, prandaj ajo kurrsesi nuk mund të interpretohet si njohje, e aq ma pak si marrëveshje e karakterit historik. Se, nuk është e tillë dhe as nuk i ngjason. Fusnota nuk do ta bëjë shtetin serb që të mos na luftojë në secilin institucion të huaj publik e jopublik, zyrtar e jozyrtar, korporatë e dyqane, në Bashkim Evropian, në “Evrovision”, në UEFA e në FIFA, ashtu si ka bërë edhe deri më sot. Përkundrazi, do të na luftojnë edhe më ashpër. Këtu e kudo që mundet, shteti serb do të provojë të na i mbyllë dyert edhe me fusnotë në krah, ashtu si ka bërë sot, përmes diplomacisë e përmes miqve dhe armiqve të tyre e armiqve tanë.

Prandaj, entuziazmi e gëzimi këtu në total është fëmijëror dhe i marrë, ndërsa diletant kur vjen nga qeveria a zyrtarët e saj. Ky entuziazëm marroq tejkalon edhe pesimizmin, sepse të bën të verbër ndaj pasojave që të tjerët mundet se i stërmadhojnë.

Në pikë të fundit, problemi më i madh i Kosovës nuk është fare Serbia. Maja e të këqijave tona është brishtësia jonë ekonomike, politike e shoqërore, që paraqet edhe kryeargatin e Serbisë kundër nesh. Kjo brishtësi prodhon edhe fusnota e këso etiketimesh të tjera.

Si fëmijët e lazdruar, ne jemi sherri i vetvetes. Marritë tona nuk kanë nevojë për fusnotë, se janë të vetëkuptueshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.