Santorum përdor mesazhe telefonike elektorale; Romney thotë se kjo është një hile e ndyrë

Gjatë fushatave tona elektorale (zakonisht ditët e fundit të fushatës) na ka qëlluar të gjithëve të na vijë një thirrje nga një numër i panjohur, dhe kur e kemi hapur kemi dëgjuar zërin e Berishës, Ramës, Bashës, etj, që na ftojnë “të votojmë për ta”. Janë thirrje që të bëjnë të ndihesh i dhunuar në privacy-në tënde, dhe palët, duke qenë se janë në diskutimet mbi reformën zgjedhore, do bënin mirë të binin dakord ta ndalonin të drejtën e politikanëve në garë për të bërë telefonata të tilla, për të cilat amerikanët kanë një fjalë të veçantë: robocalls.
Mirëpo, kjo gjë po ndodh dhe në SHBA, në garën mes kandidatëve republikanë. E ka bërë Rick Santorum, i cili u ka dërguar një mesazh në rrugë telefonike votuesve demokratë të Michiganit, me anë të të cilit i fton të votojnë për të në këto zgjedhje, që në fakt janë vetëm për republikanët. Kjo nuk është e paligjshme në SHBA, por prapëseprapë nuk ka lënë shije të mirë. Kandidati Romney nuk bëri asnjë përpjekje për të zgjedhur fjalët, teksa iu desh ta komentonte këtë ngjarje: “Është fjala për një truk që e zbret fushatën në nivelin më të ulët të mundshëm. Është një hile e ndyrë”.
Gara në Michigan, që finalizohet sot, parashikohet të jetë e fortë, dhe me rezultat shumë të ngushtë.
Re.Pu.
Add new comment