Qeveria e SHBA-së në prag të falimentimit financiar

Postuar në 26 Korrik, 2011 03:51

Në një fjalim të drejtpërdrejtë në televizion, Presidenti Barak Obama deklaroi mbrëmë se qeveria amerikane nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimet e saj financiare pas 2 gushtit, në qoftë se Kongresi nuk aprovon një ligj për ngritjen e tavanit të borxhit federal. Ai u bëri thirrje amerikanëve të thjeshtë që të ushtrojnë trysni të fortë ndaj përfaqësuesve të tyre në Kongres, në mënyrë që të shmanget falimentimi financiar i SHBA-së. Në qoftë se kjo gjë ndodh, interesat në tregun e bonove të thesarit amerikan do të rriten ndjeshëm, gjë që mund të ketë një efekt shkatërrues për ekonominë amerikane dhe të të gjithë botës. Shumë ekonomistë e krahasojnë krizën që do të pasojë një falimentim të mundshëm financiar të SHBA-së me krizën ekonomike botërore që pasoi falimentimin e bankës amerikane “Lehman Brothers” në vjeshtën e 2008-ës.

Në fjalimin e shtatë televiziv si president, Obama i drejtoi shigjetat e kritikës kryesisht ndaj republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët këmbëngulin që ngritja e tavanit të borxhit  të lidhet vetëm me shkurtimin e ndjeshëm të shpenzimeve buxhetore në të ardhmen. Republikanët në Senat kanë dhënë shenja se mund ta pranojnë propozimin e Obamës, që ulja e shpenzimeve të shoqërohet edhe me rritjen e të ardhurave nga taksat.

Në përgjigjen e tij televizive, republikani John Boehner, Kryetar i Dhomës së Përfaqsuesve, deklaroi se propozimi i Obamës nuk zgjidh një problem themelor të SHBA-së – qeveria federale shpenzon më tepër se sa merr. “E vërteta e hidhur është se presidenti deshte një çek të bardhë gjashtë muaj më parë dhe ai do po një çek të bardhë sot. Kjo nuk ka për të ndodhur” – tha Boehner.

E.Z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.