Për çfarë po bujtin politikanët shqiptarë në Washington? Flasin Çili e Minxhozi

Në Washington po i presin me radhë ‘këta tanët’. Pritën në fillim Lulzim Bashën, pastaj Edi Ramën e Kreshnik Spahiun, tash Ilir Metën e në prill Sali Berishën. Ç’është kjo paradë e eksponentëve të politikës shqiptare në zyrën e Philip Reeker-it (fotoja që shoqëron lajmin është e tij)? Henri Çili përpiqet t’i japë një përgjigje kësaj pyetjeje në shkrimin e vet të publikuar në Mapon e sotme, dhe aty thotë se gjithçka lidhet me momentin presidencial. Amerikanët, sipas tij, janë të shqetësuar, pasi “[nëse maxhoranca] merr dhe presidentin, [atëherë] krijohet një vertikale e plotë e pushtetit në këtë vend; nga Presidenti i Republikës deri tek Bashkia e Tiranës”. Po pse i kanë ftuar të gjithë? Në këtë mes kemi të bëjmë, thotëai, “me kujdesin sistematik të diplomacisë amerikane për të mos i dhënë avantazh dikujt dhe disavantazh dikujt tjetër”.
Skënder Minxhozi nuk është kaq i sigurtë sa Çili në leximin e kësaj situate. “Mund të jetë e gjitha një qokë pa asnjë kosto e kokëçarje për Reeker-in e pa ndonjë rëndësi për lojën politike në Tiranë. Por mund të jetë dhe krejt e kundërta, dmth Reeker-i, i shqetësuar për zhvillimet në Tiranë, ka dashur t’u tërheqë veshin të gjithëve; më vonë do të mund të bëjmë leximin e saktë të këtyre vizitave”, thotë Minxhozi i kapur në telefon nga respublica.
Re.Pu.
Add new comment