Jose Mourinho si kapiteni Schettino, që shpëtoi kryet e veta dhe e la tragetin të mbytej?

Reali i Madridit është në vend të parë në klasifikimin e kapmionatit kombëtar, La Liga (sapo mundi thellë, 4-1, skuadrën Athletic të Bilbaos),Barcelonën e ka lënë pesë pikë pas, në Champions League është kualifikuar lehtë-lehtë, mirëpo të gjitha këto nuk janë mjaft që tifozët madrilenë të kandisen për të çmuar punën e bërë nga Mourinho. Kanë zënë ta fishkëllejnë. Nuk ia kanë bërë kabull humbjen e n-të me Barçën e Guardiola-s e të Messi-t. Dhe the Special One ka zënë të mendojë ikjen. “Sezoni tjetër nuk e zë në Madrid”, po thonë. Madje, po flitet dhe për zëvendësuesin e tij, Rafa Benitez-in, ish trainerin e Valencias, Liverpool-it e Interit (e thosh sot e përditshmja sportive Barcellona Sport).
Në gazetën As, e afërt me kauzën madrilene, nuk ia falin këtë gjë. Në numrin e sotëm e kishin krahasuar me Francesco Schettino-n. Kush është Schettino? Ndonjë personazh fiction? Jo. Është kapiteni italian i anijes Costa Concordia që u përplas ca ditë më parë në sterénë e ishullit Giglio, dhe që pas përplasjes mendoi si të shpëtonte kryet e veta, duke lënë në mëshirë të fatit udhëtarët, një pjesë e të cilëve gjetën vdekjen. Kapiteni italian është bërë menjëherë mishërim i njeriut që i braktis të tjerët në momentin që barka po mbytet. Dhe spanjollët e kanë gjetur një të tillë mes tyre: është portugezi José Mourinho.
Ky i fundit nuk i ka konfirmuar zërat mbi ikjen e tij në fund të sezonit; por as i ka përgënjeshtruar.
E.G.
Add new comment