Alkimia e njoftimeve kryeministrore

Postuar në 31 Janar, 2012 08:01

Është shkencë më vete mënyra hileqare e përpilimit të informacionit që del nga kryeministria jonë. Ja, fjala vjen, në njoftimin e dalë lidhur me takimin e Berishës me kryeprokurorin britanik, Keir Starmer, përcillej ideja, me gjasa e saktë, se “[Starmer] vlerësoi vullnetin politik të kryeministrit dhe qeverisë së tij në mbështetjen e dhënë ndaj organeve ligj-zbatuese në kuadër të bashkëpunimit shumë të mirë midis të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.” Mirëpo mjeshtrat e trukimit të informacionit në kryeministri nuk e jepnin frazën kështu si më sipër; përkundrazi, e kishin ndarë në dy pjesë këtë vlerësim të mikut nga Britania e Madhe: 1. “Zoti Starmer shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar; dhe 2. Starmer vlerësoi vullnetin politik të kryeministrit dhe qeverisë së tij në mbështetjen e dhënë ndaj organeve ligjzbatuese në këtë bashkëpunim.

Dhe shpresa e spin-idiotëve të kryeministrisë është që njerëzit ta marrin të veçuar mesazhin e mbështetjes së Starmer-it ndaj mbështetjes që kryeministri medemek u jep organeve ligj-zbatuese, alias institucioneve të pavarura. Berishës i iku jeta duke bërë marifete të tilla, që në fakt, s’kanë asnjë vlerë.

E.G.     

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.