Zbulohen arkivat britanike, konsujt: U kemi bërë gjëmën shqiptarëve

Janë mbi 20 mijë kopje dokumente që historiania Valentina Duka përzgjodhi nga Arkivi Kombëtar Britanik, me synimin për të ngritur teza të reja për rishkrimin e historisë nga këndvështrimi i arkivave të huaj. 1800 prej tyre ajo i përzgjodhi për t’i sjellë në një botim të veçantë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, titulluar “Shqipëria dhe shqiptarët në dokumentet britanike” (tetor 1913-dhjetor 1913). “Kam punuar për një kohë shumë të gjatë, aq sa kur mbaronte dita nuk shihja mirë nga sytë”. Në këtë botim me dokumente, Prof. Dr. Valentina Duka ka përfshirë materiale të rëndësishme dokumentare, që në pjesën më të madhe sillen në shqip për herë të parë. Ato janë marrë në Arkivin Kombëtar Britanik, si rezultat i një ekspedite kërkimore që është mbështetur nga Instituti i Albanologjisë falë një projekti madhor që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për t’iu krijuar mundësinë historianëve shqiptarë që të bien në kontakt edhe me arkivat e huaj. “Në këtë kuadër kërkimet nuk janë bërë vetëm në Londër, por ekipe historianësh kanë kërkuar në arkivat amerikanë, italianë dhe francezë. Unë personalisht isha e prirur të shihja Arkivin Kombëtar Britanik për të parë se si ka gjykuar arbitri ndaj Shqipërisë dhe kam arritur të marr pjesën më të madhe të dokumenteve që përfshijnë vitet 1912-1939”, – thotë zonja Duka. Por periudha që e ‘joshi’ më shumë për të sjellë këtë botim me rastin e 100-vjetorit ishte pikërisht tetor-dhjetor 1913.
Zonja Duka, ju thoni se në këtë botim me dokumente që sillni me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, përfshihen materiale të rëndësishme dokumentare, që në pjesën më të madhe sillen në shqip për herë të parë. Çfarë është e re në këto dokumente?
Të gjitha dokumentet në tërësinë e tyre janë të panjohura për shqiptarët, sepse ato përkthehen në mënyrë integrale ashtu sikundër janë krijuar nga arkivi londinez. Por kur them që disa prej tyre janë të njohura, kam parasysh lexuesin e kualifikuar, i cili ka patur mundësi ashtu si dhe unë të kontaktojë me Arkivin Britanik dhe t’i shohë këto dokumente. Ndonjë prej këtyre dokumenteve është pjesë e disa volumeve që ndodhen në arkivat britanikë, të botuara nga ata në anglisht. Këto dokumente u përkasin ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë që pasuan shpalljen e Pavarësisë. Janë nga tetori i 1913-ës deri në dhjetor të 1913-ës dhe ngjarjet kryesore që rrokin lidhen me figurën e Ismail Qemalit, marrëdhëniet e këtij të fundit me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, figurën e Esat Toptanit, situatën reale në Shqipëri që raportohet nga konsujt anglezë, ardhjen e Princ Vidit dhe debatet për të etj.
Të ndalemi me radhë. Si shihej Ismail Qemali nga britanikët?
Ka shumë dokumente që e përshkruajnë figurën e Ismail Qemalit. Në një letër që Harry Lemb, konsulli anglez në KNK i dërgonte Edëard Grey-t, e përshkruan Ismail Qemalin si njeri inteligjent që nuk krahasohej nga pikëpamja patriotike me politikanët e tjerë shqiptarë, që fliste disa gjuhë të huaja, por e cilësonte si shumë të vështirë në negociata për t’u ulur dhe për të negociuar me faktorët e tjerë politikë shqiptarë. Ata deshën që ta ulnin me Esat Toptanin, por sigurisht që Ismail Qemali kishte arsyet madhore të mos pranonte, megjithatë, në këndvështrimin e tyre kjo shihej si një mungesë e madhe tolerance nga ana e Ismail Qemalit. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e tij me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) kanë qenë që në fillim të acaruara.
Për cilat arsyeje?
Për shumë arsye të rëndësishme. E para, komisioni erdhi në Vlorë dhe Ismail Qemali ndjeu nga afër peshën e këtij komisioni. Që do të thotë se supervizori i huaj europian, ky institucion i dalë nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimet e 29 korrikut, i erdhi në vendlindje dhe në vendin ku ai kishte selinë e qeverisë së tij, kontaktet me të cilën do të ishin të vazhdueshme, por edhe të acarta. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit kur erdhi, zhvilloi mbledhjen e parë më 16 tetor dhe sipas dokumenteve që unë sjell në këtë botim, Ismail Qemali u lajmërua për këtë mbledhje vetëm mëngjesin e 16 tetorit. Mbledhja do të zhvillohej në orën 14:00 në selinë e Bashkisë së Vlorës dhe Ismail Qemali nuk do të njoftohej për këtë mbledhje. Informacionin e parë ai e mori vetëm atë mëngjes, ku një prej përfaqësuesve të Komisionit, ai i Austro-Hungarisë shkoi në shtëpinë e Ismail Qemalit për ta informuar për mbërritjen e përfaqësuesve të KNK-së dhe mbledhjen e orës 14:00. Dhe, që në mbledhjen e parë të KNK-së mollë sherri u bë çështja e Ismail Qemalit dhe e qeverisë së tij. Konferenca e Ambasadorëve nuk e kishte njohur qeverinë e Vlorës si legjitime. Në këto kushte dhe me këtë frymë zhvillohej edhe mbledhja e Komisionit. Por përfaqësuesi austro-hungarez i mbështetur edhe nga ai italian, këmbëngulën në atë mbledhje që të njihej si qeveri legjitime ajo e Ismail Qemalit nga KNK-ja, sepse niseshin nga ideja se ai e krijoi atë në një kuvend me përfaqësues mbarëkombëtarë. Por përfaqësuesit e grupit të Antantës, mbështetur nga arbitri Angli, nuk pranuan kurrsesi propozimin e Austro-Hungarisë.
Cilat janë arsyet sipas britanikëve?
Ky grup që nuk pranonte të njihte qeverinë e Vlorës, ekspozoi gjatë mbledhjeve të KNK-së një sërë alibish, por në fakt edhe realitete në Shqipërinë e kohës, si argumente për të mos e njohur qeverinë e Vlorës. E para ishte fakti se Ismail Qemali, politikisht dhe gjeografikisht, qeveriste një territor shumë të ngushtë politik të asaj kohe, që ishte trekëndëshi Vlorë-Berat-Fier dhe e dyta sipas tyre, tashmë në Shqipëri kishte autoritete të tjera politike, dhe si shembull merrnin senatin e Shqipërisë së Mesme, të cilën e kishte Esat Toptani. Ky i fundit jo më kot e krijoi katër ditë para se të fillonte punimet, KNK-ja për ta përdorur si gur të fuqishëm kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë së tij. Në këto dokumente flitet për një letër të gjatë, që Esat Toptani i dërgoi KNK-së dhe që u përmend shpesh në mbledhje, ku thuhej se Esat Pasha duhet të respektohet njësoj dhe të ketë të njëjtin status si Ismail Qemali. Letra kishte firmën e disa personaliteteve të kohës, por unë përmend vetëm Esat Toptanin sepse ai e drejtonte atë në emër të Senatit të Shqipërisë së Mesme. Argumentet që jepeshin në letër thoshin se dhe ai kishte krijuar një qeveri, e cila nga pikëpamja gjeografike kishte një territor po aq të madh dhe rreth tij ishin mbledhur një grup politikanësh që kishin influencë në Shqipërinë e kohës. Esat Pasha sillte në vëmendje të KNK-së edhe shumë problematika, që sipas tij ishin vënë re në qeverisjen e Ismail Qemalit, si çështje të burokracisë otomane, nepotizmit madje dhe të korrupsionit, një çështje që ai e shtronte në 2-3 pika. Por këtu dua të theksoj se kur KNK-ja ka marrë në dorë pas dorëheqjes së Ismail Qemalit gjithë buxhetin e qeverisë së Vlorës, nuk kishte asnjë dokument që ata të evidentonin korrupsionin e qeverisë së Vlorës, ashtu sikundër pretendonte Esat Toptani. Por kishte dhe një entitet të ri që filloi të qarkullonte menjëherë pasi erdhi KNK-ja në Vlorë. Zona e Lezhës drejtohej nga një prijës, Ded Coku, i cili dhe ky i kërkonte KNK-së të njëjtin status si Esat Toptani dhe Ismail Qemali, gjithashtu ishte dhe Komisioni Ndërkombëtar i Admiralëve në Shkodër. Kjo pra ishte situata politike në Shqipëri, e cila në dokumentet që unë ekspozoj paraqitet në mënyrë të hollësishme dhe mjaft të këndshme, sepse gjuha dhe pena e konsujve britanikë kanë qenë ekselente, çka e bën atë lehtësisht të perceptueshme jo vetëm nga historianët por dhe për lexuesin e thjeshtë. Është interesant fakti se ata u kushtojnë një vëmendje të madhe vështirësive që hasi Ismail Qemali gjatë qeverisjes së tij përgjatë nëntorit dhe dhjetorit. Sa e sa herë atij iu kërkua dorëheqja, sa e sa herë ai u bë gati të jepte dorëheqjen. Në këto dokumente lexon se Ismail Qemali këshillohej nga austro-hungarezët që të jepte dorëheqjen, por konsujt anglezë e ndalonin. Pas 4 nëntorit të 1913-ës shihet se Ismail Qemali nuk kishte më mbështetjen e Austro- Hungarisë.
Arsyeja?
Ishte loja e Esat Toptanit dhe intrigat e brendshme që ndodhnin në elitën politike shqiptare. Austro-hungarezët mendonin se figura Esat Toptanit ishte fuqizuar më shumë se ajo e Ismail Qemalit dhe ata duhej të kapeshin pas tij për të konturuar një qeveri shqiptare që të kishte pushtet në gjithë Shqipërinë politike para se Princ Vidi të vinte në Shqipëri. Të gjithë këto janë të qarta dhe hollësisht të shpjegueshme në këto dokumnete. Pastaj ka biseda të hollësishme të Ismail Qemalit jo vetëm për dorëheqjen, por edhe për mosmarrëveshjet që kishin për anëtarin e shtatë të kontrollit, i cili do të ishte shqiptar. Dokumentet tregojnë se është bërë një debat i madh se kush duhej ta propozonte. Austro-hungarezët mbështesnin idenë që ta propozonte Ismail Qemali, por të tjerët mendonin se kjo do të bënte që qeveria e tij të merrte automatikisht statusin e një qeverie legjitime. Letra të shumta kundër kësaj i drejtonte KNK-së Esat Toptani nga njëra anë dhe Ded Coku nga ana tjetër. Esat Toptani gjatë kësaj kohe filloi të organizonte luftime në dy kahet, në mënyrë që të rriste gjeografikisht zonat e influencës. Shumë interesante janë edhe marrëdhëniet e Ismail Qemalit me atë që në histori njihet si komploti i Beqir Grebenesë.
Si përshkruhen këto marrëdhënie? Cila ishte loja e Beqir Grebenesë?
Personalisht më ka bërë përshtypje fakti se Beqir Grebeneja ose xhonturqit, luajtën si me Esat Toptanin, ashtu dhe Ismail Qemalin. Por ky i fundit ishte kaq paranojak në lëvizjet e tij, sa vërtet kur lexoja këto dokumente më habiste dinakëria politike e tij. Sigurisht, nga përbrenda ai nuk donte që në Shqipëri të vinte një princ protestant (në këtë kohë ishte caktuar Vidi). Ai donte që Shqipërinë ta kishte të vetën dhe ta qeveriste me çdo kusht me të gjitha mjetet.
Ishte i pari Esat Toptani që filloi të propagandojë në Durrës dhe të lobojë kundër Vidit dhe të bashkëpunojë me Beqir Grebenenë, i cili erdhi nga Turqia në mbështetje të një aleance që u quajt turko-bullgare, për sjelljen e një princi mysliman në Shqipëri. Bashkëpunimi i tij me Grebenenë ra në sytë e konsujve të huaj që ndodheshin në Durrës dhe e këshilluan Esat Toptanin që të hiqte dorë nga kjo propagandë sepse rrezikonte politikisht veten. Esati për t’u mbrojtur, ia hodhi gjithë fajin Faik Konicës, i cili në atë kohë bënte lojën e Esat Toptanit në Durrës. Ky e akuzoi Konicën që po organizonte një kryengritje kundër Vidit në Durrës dhe pastaj për të shpëtuar veten me kërkesë të konsujve austro-hungarezë dhe italianë, e dëboi atë nga Durrësi. Kështu, Konica largohet si një njeri që po prodhonte tension dhe po përgatiste një kryengritje kundër Vidit. Beqir Grebeneja, i ndodhur në këto kushte të vështira në Durrës, lëviz drejt Vlorës, ndoshta i këshilluar edhe nga Esat Toptani për të futur në këtë intrigë edhe Ismail Qemalin. Vetë Esat Toptani filloi në Durrës të bënte propagandë pro Vidit, por në zonat rurale myslimane përreth Durrësit bënte propagandë kundra Vidit- konstatojnë konsujt në këto dokumente. Kështu, Grebeneja niset në Vlorë dhe takon Ismail Qemalin. Këtë të fundit e gjen të degustuar nga jeta politike. Ismail Qemalin në këtë kohë e kishin lënë pothuajse të gjithë miqtë e tij politikë. Ishin nga qeveria miku i tij Hasan Prishtina, Lef Nosi, Vehbi Dibra etj., miq të ngushtë që ai i kishte përkrah gjatë gjithë aksionit të tij politik për shpalljen e Pavarësisë. Ismail Qemali mbeti kaq pa përkrahje brenda elitës, sa e kishte të vështirë të gjente ndonjë politikan me reputacion për ta bërë pjesë të qeverisë, aq sa -thonë konsujt- njerëz refugjatë që s’i njihte njeri, u bënë pjesë e qeverisë së tij vetëm e vetëm për të thënë se qeveria ekziston. Në këto kushte, ai mendoi vërtet dorëheqjen sepse mësoi se dhe Syrja Vlora po lëvizte shpesh në drejtim të një latifondisti shqiptar, një ish-mik i ngushtë i Ismail Qemalit, që quhej Omer Pashë Vrioni, në mënyrë që t’i jepnin këtij postin e Kryeministrit. Ismail Qemali kishte humbur edhe mbështetjen e Austro-Hungarisë. Anglezët po ashtu nuk kishin besim tek ai, sepse e shihnin si vegël të austro-hungarezëve. Në momentet e fundit të gjithë “e tradhtuan” Ismail Qemalin. Mbeti vetëm. Në këto kushte, ai ra në prehrin e Beqir Grebenesë, i cili edhe i shtyrë nga Esat Toptani, i premton Ismail Qemalit mbështetje politike që ky i fundit të jetë kryeministri i ardhshëm i një Shqipërie me një princ turk. Madje Grebeneja koordinon edhe një takim të Ismail Qemalit me Izet Pashën, ish-ministër turk që pretendonte të vinte në krye të fronit shqiptar. Por komploti funksionoi në Vlorë jo më shumë se një javë, sepse ata që e nisën Beqir Grebenenë nga Durrësi, i çuan informacion KNK-së dhe menjëherë ushtarët në mbështetje të Grebenesë u arrestuan dhe më pas dhe ai vetë. Kur iu hap çanta Beqir Grebenesë që kishte me vete, KNK njohu nga afër të gjithë dramën tragjikomike që ai kishte luajtur me elitën shqiptare. Të gjithë këto përshkruhen në mënyrë të hollësishme të fotografuar nga konsujt anglezë.
Po për kufijtë e copëtuar, çfarë qëndrimi mbajnë britanikët?
Për këtë çështje, ashtu si për të gjitha çështjet e tjera gjen dokumente të fotografuara në mënyrë profesionale por dhe të paanshme nga të gjithë përfaqësuesit e diplomacisë angleze që ndodheshin në terrenin shqiptar. Ishin përfaqësuesit anglezë të Komisionit të Përcaktimit të Kufijve në Veri dhe Jug, që fotografonin dhe i raportonin ministrit të Jashtëm anglez, Edëard Grey, njërit nga politikanët më të fuqishëm të kohës, realitetin ashtu si kundër ai rridhte, ashtu si ekzistonte. Përfaqësuesit anglezë në Komisionin e Përcaktimit të Kufijve Veriorë dhe Jugorë kanë dërguar me dhjetëra telegrame në qendër, ku ata i thonë Grey-t që i keni bërë gjëmën këtij populli. Nuk gjejmë as arsye ekonomike dhe as etnike në terren për këtë ndarje që është bërë si në veri dhe jug. Nuk është marrë për bazë asgjë, as etnikisht, as ekonomikisht. Keni lënë jashtë territore të mëdha totalisht shqiptare që po ia kaloni Malit të Zi dhe Serbisë. Territore që janë totalisht të banuara nga shqiptarë. Nga rrugëtimi ynë s’kemi gjetur asnjë familje të etnive fqinje, por vetëm të etnisë shqiptare. Kemi vënë re se është copëtuar ekonomia e këtij vendi, sepse keni lënë zona rurale të palidhura me qendrat kryesore ekonomike që ua keni lënë vendeve fqinje. Përveç arsyeve strategjike ne e quajmë tragjedi këtë që ka ndodhur me shqiptarët,.- shkruajnë përfaqësuesit anglezë të Komisionit. Konsujt anglezë i dërgonin vazhdimisht letra Grey-t, që ata nuk ishin dakord të copëtohej Shqipëria. Vetëm për Malin e Korabit janë bërë disa dhjetëra mbledhje të Komisionit të Veriut, sepse për çdo centimetër të atij mali është bërë luftë e ashpër midis konsujve, ku roli arbitrar i anglezëve ka qenë vendimtar në ruajtjen e atyre territoreve që Konferenca e Ambasadorëve i kishte lënë Shqipërisë. Ka nota therëse dhe shqetësime të mëdha të shprehura nga konsujt për tragjeditë që u ishin shkaktuar shqiptarëve. Ata përshkruajnë me hollësi terrorin serb në Veri; fshatra që digjeshin, njerëz që vriteshin vetëm për të eliminuar etnikisht kombin shqiptar. Madje në një letër të tyre ata thonë se gjëra të tilla mund të kenë ndodhur në Mesjetë në Europë dhe që ato të ishin prezente tani në Ballkan, kjo i habiste konsujt por edhe vetë Grey-n kur merrte letrat e tyre. Aty përshkruhet se si shqiptarët kanë qenë viktima të ushtrive paramilitare të vendeve fqinje. Jepen me hollësi për qëndrimin e priftërinjve ortodoksë, që sipas tyre kanë patur përgjegjësi dhe një rol shumë negativ ndaj popullsisë shqiptare dhe pro-organizatave paramilitare greke për copëtim të Shqipërisë.
Po përgjigjet e Grey-t si ishin?
Përgjigjet e Grey-t ishin se i vinte keq për situatën, por thoshte se patën një arsye madhore, që ishte ruajtja dhe stabiliteti i Evropës dhe frika se mos Evropa kalonte në një luftë botërore dhe e dyta, Grey mendonte se duke vepruar kështu ruante ekuilibrin brenda vendeve të Antantës. Anglia vërtet nuk e mbështeti çështjen shqiptare si Austro-Hungaria dhe Italia, por nga këto dokumente unë shoh se veprimi anglez nuk është në unison me veprimet e rusëve dhe francezëve. Ka dhjetëra telegrame të diplomatëve anglezë që nuk bien dakord me kërkesat e konsujve rusë dhe francezë në komisionet e përcaktimit të territoreve për ndryshimin e kufirit në dëm të Shqipërisë, të cilët donin që edhe toka të tjera t’i kalonin Serbisë dhe Malit të Zi. Dhe këto territore janë shpëtuar nga këmbëngulja e Austro-Hungarisë dhe italianëve, por edhe nga qëndrimi anglez.
Po figura e Esat Toptanit si përshkruhet nga konsujt anglezë?
Që në fillim, një nga arsyet përse anglezët nuk e konsideronin legjitime qeverinë e Ismail Qemalit ishte se ai shihej si njeriu i Austro-Hungarisë dhe se ata mbështesnin Esat Toptanin dhe do t’i jepnin atij të njëjtin status, sepse ai shihej si njeriu i Antantës. Ky mendim ishte vetëm në muajin e parë, sepse shumë shpejt britanikët panë se Esat Toptani ishte i të gjithëve dhe i asnjërit. Në telegramet që konsujt kanë dërguar në periudhën nëntor-dhjetor jepen karakteristika brilante për figurën e Esat Toptanit me këtë devizë: njeri i paskrupullt, njeri i tmerrshëm politikisht që krijon probleme të mëdha politike dhe ushtarake për Shqipërinë. Sigurisht që ata e përkrahën në fillim, por pastaj panë se kjo mund të përbënte rrezik të madh dhe për vetë anglezët në prag të ardhjes së Vidit në Shqipëri. Në këto dokumente ka edhe detaje shumë interesante, të gjitha orët dhe minutat e zgjedhjes së Princ Vidit. Si e propozoi Austro- Hungaria, si e mbështeti Italia. Ka pastaj një debat të madh se kush do t’ia jepte informacionin Vidit, si do të konfigurohej xhandarmëria shqiptare etj. Por nga këto 20 mijë fletë zbulon sesi neutraliteti i Anglisë ka qenë shumë i rëndësishëm për ruajtjen e Shqipërisë që kemi sot.
Mapo, Aida Tuci
Comments
Shume interesante kjo
<p>Shume interesante kjo interviste. Vecse me kete fjaline e fundit "<em>Por nga këto 20 mijë fletë zbulon sesi neutraliteti i Anglisë ka qenë shumë i rëndësishëm për ruajtjen e Shqipërisë që kemi sot</em>" mos ka dashur te thote historania se tani duhet te falenderojme edhe Angline per egzistencen tone? </p>
Add new comment