Vlorë, Prokuroria mbyll hetimet për kompleksin ‘Jon’ dosja në gjykatë.

Postuar në 21 Qershor, 2014 13:09

Njësia hetimore Task-Forcë e Prokurorisë së Vlorës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim përsa i takon abuzimeve të konstatuara për dhënien e lejes së kompleksit “Jon”, të ndërtuar në bregdetin e Vlorës, nga vjehrri i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas dokumentimit të shkeljeve, Prokuroria ka dërguar të pandehur në gjykatë 8 zyrtarë për dhënien e lejes në një zonë ku pengohen ndërtimet sipas planit rregullues të qytetit të vitit 1996 dhe për regjistrimin e hapësirës detare si truall për ndërtimin e pallatit
 
Kompleksi është shembur me eksploziv nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për shkak të parregullsive dhe planit për ndërtimin e lungo-mares.
 
Të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës për dosjen e kopleksit “Jon” mësohet të jenë Kujtim Sulçe, në cilësinë e ish-Regjistruesit të Hipotekës në Vlorë; Darjan Hudhra, ish-Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë; Merita Tartari, punonjëse e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë; Blerina Dhrami, Mirela Muca, Lindita Jaupaj, ish-punonjëse e Hipotekës në Vlorë, si dhe dy inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendorë në Vlorë, Ruzhdi Zeneli dhe Mario Kalus.
 
Sipas vlerësimit të Task-Forcë janë kryer veprime të kundraligjshme lidhur me regjistrimin e pasurisë së paluajtshme me nr.16/8, zona kadastrale nr.8602, me sipërfaqe 1663 m², të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, si dhe lidhur me azhornimin e hartës treguese lidhur me këtë pasuri, të regjistruar fillimisht në bashkëpronësi të trashëgimtarëve të familjes Ndini, pasi në hartën treguese të Hipotekës në Vlorë është përfshirë në përbërje të kësaj pasurie sipërfaqja ujore e detit në masën 364.6 m².
 
Në këtë rast sipërfaqja ujore e detit prej 364.6 m² në hartën treguese është regjistruar si tokë truall dhe si pjesë përbërëse e pasurisë së paluajtshme nr.16/8, zona kadastrale nr.8602, të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
 
Të akuzuarit janë:
1.         Kujtim Sulce, në cilësinë e ish-Rregjistruesit të Z.Rr.P.P Vlorë, i akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
2.         Darjan Hudhra, në cilësinë e ish Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë, i akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
3.         Merita Tartari, në cilësinë e punonjëses së Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, e akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
4.         Blerina Dhrami, në cilësinë e ish punonjëses së Z.Rr.P.P Vlorë, e akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
5.         Mirela Muca, në cilësinë e punonjëses së Z.Rr.P.P Vlorë, e akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
6.         Lindita Jaupaj, në cilësinë e ish punonjëses së Z.Rr.P.P Vlorë, e akuzuar se ka kryer veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.