Veliaj në Gjermani nënshkruan marrëveshje për arsimin profesional

Veliaj ka nënshkruar një marrëveshje për arsimin profesional në ditën e dytë të vizitës së tij në Gjermani. Marrëveshja e bashkëpunimit është arritur me Institutin për Arsim dhe Formim Profesional të Landit të Hamburgut dhe Zyrës gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Sipas marrëveshjes Gjermania do të japë eksperiencën e saj për ringritjen e shkollave profesionale shqiptare.
Ministri Veliaj është shprehur se në Gjermani, 50% e të rinjve shkojnë në arsimin profesional ndërkohë, në Shqipëri vetëm 14-15 % e të rinjve zgjedhin arsimin profesional, duke theksuar se synimi ynë është që ta çojnë këtë shifër në 40%. Sipas Veliajt kjo është arsyeja pse Gjermania është partneri strategjik për rimodelimin e arsimit dhe formimit profesional.
“Sot në Gjermani, 50 për qind e të rinjve shkojnë në arsimin profesional ndërkohë, në Shqipëri vetëm 14-15 për qind e të rinjve zgjedhin arsimin profesional. Synimi ynë është që ta shpiem këtë shifër në 40 për qind, prandaj Gjermania është partneri ynë strategjik për rimodelimin e arsimit dhe formimit profesional sipas sistemit dual gjerman”, u shpreh ministri Veliaj.
Pikat kryesore të marrëveshjes së bashkëpunimit do të jenë çështjet e menaxhimit të rrjetit të riorganizuar të ofruesve të arsimit dhe formimit profesional, fuqizimi i institucionit përgjegjës për administrimin e ofruesve të arsimit dhe formimit profesional.
Instituti i Hamburgut për Arsim dhe Formim Profesional (HIBB) punon prej vitit 2007 si një institucion autonom nën varësinë e Senatit për Shkollat dhe Arsimin Profesional të Landit të Hamburgut. Me një buxhet prej 485 milion euro në vit, HIBB është përgjegjës për menaxhimin, këshillimin dhe mbështetjen e 44 shkollave profesionale publike në Hamburg dhe për zhvillimin e sektorit të arsimit dhe formimit profesional në përgjithësi.
Add new comment