Ushqimet e karburantet, më shtrenjtë se në rajon

Postuar në 06 Dhjetor, 2012 02:36

Shqipëria ka çmimet më të kripura për ushqimet dhe karburantet në raport me rajonin. E, në këtë situatë, konsumi sigurisht që do të ketë limitet e veta, e diktuar kjo edhe nga kriza. Panorama raporton sot se edhe pse për këtë nuk mund të hiqet një paralele, një farë kuptimi e kanë të dyja. Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon se shqiptarët e postkrizës blejnë pak nga ato që kushtojnë shtrenjtë dhe kursejnë shumë.

Ushqimet dhe lëndët djegëse në Shqipëri kushtojnë më shtenjtë se sa në rajon. Banka e Shqipërisë u është referuar të dhënave të Eurostat- it ndër vite dhe ka dalë në përfundimin se pavarësisht se për këto dy grupe çmimet mbeten poshtë mesatares europiane, në rajon udhëheqim. Kjo sigurisht që nuk na favorizon, pasi në një llogari të thjeshtë del që shumicën e portofolit të shpenzimeve në një familjeje në një muaj e zënë pikërisht ushqimet dhe karburantet. Ushqimet në vendin tonë kushtojnë mesatarisht sa 70 për qind e mesatares europiane (BE 27-s), që si referencë merret 100. Ndërsa në rajon lëmë pas një sërë vendesh që janë më të lira.

“Në krahasim me vendet e rajonit dhe ato të Lindjes, niveli i çmimeve në Shqipëri për dy nga grupmallrat kryesore ‘ushqime dhe pije joalkoolike’ dhe ‘lëndë djegëse dhe energji’, është më i lartë se në disa nga këto vende. Për grupin e parë, niveli i çmimeve në masën 70% të mesatares europiane lë pas vende të tilla si Maqedonia, Bullgaria, Rumania, Polonia”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë që sipas po të njëjtit raport, për grupin e dytë të lëndëve djegëse, niveli 55% i Shqipërisë është më i lartë se ai i Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë dhe e barabartë me atë të Bullgarisë. Grupet më të lira në Shqipëri, në ndryshim nga BE-ja, duket se janë grupet e “luksit”, që lidhen me restorantet, hotelet apo shërbime të tjera të kësaj natyre. Banka e Shqipërisë vëren se mesatarja e këtyre shërbimeve në vendin tonë është sa 40 për qind e mesatares europiane. Rekord “mbajmë” për elektroshtëpiaket që janë më të shtrenjta edhe se në BE.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.