Trojka sot në Greqi, fillon vlerësimin për këstin 31 mld euro

Postuar në 24 Korrik, 2012 03:20

Mes presionit të Brukselit dhe Berlinit që paralajmërojnë se kësti i ardhshëm i kredisë për Greqinë nuk do të lirohet para shtatorit, deklaratave gjermane për dalje të Greqisë nga euro dhe pasigurive që shkaktoi publikimi i Spiegel sipas të cilit, FMN nuk ka ndërmend të japë para më shumë në Greqi, mbërrin sot në Athinë ekipi i Trojkës, ndërkohë që ekipi ekonomik grek po lufton për të mbyllur paketën prej 11.5 miliardë euro. 

Ekipi i trojkes shkon në Athinë për fillimin e vlerësimit do të çojë, nëse gjithçka shkon mirë, në disbursimin e 31 miliardë eurove, deri në fund të shtatorit. Stafi financiar i qeverisë vazhdon konsultimet e njëpasnjëshme me objektiv gjetjen e 3,5 miliardë eurove, që nevojiten për plotësimin e paketës së kursimeve me vlerë 11,5 miliardë, për dy vitet e ardhshme. Kjo paketë, procesi i privatizimeve dhe ndryshimet strukturore do të jenë në qendër të takimit të kryeministrit me liderët e dy partive të tjera pjesëmarrëse të koalicionit qeveritar, Venizelos dhe Kuvelis.

Krerët e Trojkës do të kenë të enjten një takim me ministrin e Financave Stournaras, prej të cilit do të dëgjojnë propozimet mbi masat për kursimin e 11.5 miliardë euro dhe të premten me kryeministrin Antonis Samaras, për të finalizimin e masave që do të marrë qeveria. 

Propozimet përfshijnë shkurtimet horizontale në paga, në pensionet mbi 1000 euro, ndalimin e rekrutimit të punonjësve të rinj në administratën shtetërore, reduktimet e kostove ne shëndetësi dhe arsim, shkurtime në përfitimet sociale, në shërbimet publike, tatimin e fitimeve të Kishës, reduktim të pensioneve të ish ministrave dhe ish kryeministrave, të kompensimeve parlamentare etj. 

Në Athinë dhe Romë, zëvendësministri i Financave i SHBA-së 
Një vizitë në Greqi dhe Itali do të bëjë nga sot e deri të enjten, zëvendësministri i Financave i SHBA-së, Charles Collins, një lëvizje e Uashingtonit që tregon shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet në Evropë dhe intensitetin e krizës së borxhit në eurozonë. Ministri i Financave i Shteteve të Bashkuara, Timothy Geithner shpesh përmend në deklaratat e tij ndikimin e krizës së borxhit të eurozonës në ekonominë globale. Sipas një deklarate për shtyp të ministrisë amerikane të Thesarit, qëllimi i zv/ministrit amerikan është që të diskutojë me autoritetet e dy vendeve për përpjekjet që bëhen lidhur me kufizimin e krizës ekonomike. "Zëvendësministri i Financave i SHBA-së, Charles Collins do të udhëtojë në Athinë dhe Romë për të patur konsultime në lidhje me përpjekjet konsensuale, me objektiv stabilitetin ekonomik, por edhe rritjen në Evropë", thuhet në deklaratën e ministrisë amerikane. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.