Tragjedia në Lecco, babai: Edlira vrau vajzat e mia, nuk do ta fal kurrë.

Postuar në 11 Mars, 2014 04:32

“Ishte një nënë e mirë, por vrau vajzat e mia. Nuk mund ta fal kurrë”. Kështu ka deklaruar pas kthimit nga Shqipëria babai i tre vajzave të vrara nga nëna e tyre, Bashkim Dobroshi.

Ish-burri i nënës vrasëse, babai i Simonës 14 vjeçe, Keisit 10 vjeçe dhe Sindyt 3 vjeçe është i pikëlluar nga ngjarja. “As nuk dua të mundohem ta kuptoj ish-gruan”, ka thënë ai gjatë dëshmisë për policinë italiane në Lecco, ku deri pak muaj më parë jetonte me familjen e tij.

Mediat italiane bëjnë me dije se, Bashkimi sapo ishte nisur për në Shqipëri me të dashurën e tij, më të re në moshë, të cilën donte ta prezantonte me prindërit.

Lajmin e rëndë e mori nga vëllai i tij, i cili në telefon i kishte thënë “Duhet të kthehesh, ka një problem, policia thotë që duhet të kthehesh”.

Në ato momente mendja e Bashkimit ka shkuar vetëm tek vajzat.

“Duhet t’i ketë ndodhur diçka vajzave”, i ka thënë ai një miku.

Bashkimi ka treguar më tej në polici se, ‘Vajzat e mia ishin të mrekullueshme dhe ajo ishte një nënë e mirë. E zonjë si të gjitha nënat. Edhe pse grindeshim shpesh, edhe pse nuk merreshim më vesh, nuk më shkonte kurrë në mendje që do arrinte t’ju bënte keq vajzave. Unë i takoja gati çdo ditë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Edlira, nëna vrasëse ka vazhduar të kurohet për plagët e marra gjatë tentativës për të vrarë veten. Gruaja nuk kurohej për sëmundje mendore, thonë ekspertët e mjekësisë, ndërsa asnjëherë nuk kishte abuzuar as me ilaçet qetësuese.

Do të jenë psikiatrit ata që duhet të sqarojnë shqetësimet që e bënë atë të mendonte që vajzat e saj i priste një fat mizor dhe ishin të destinuara të bëheshin prostituta. Pas tragjedisë së rëndë ajo ka thënë vetëm shprehjen ‘Bëra gjënë e duhur”.

  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.