Shiu shpëton buxhetin për energjinë.

Reshjet e fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në kaskadën e Drinit, duke lehtësuar buxhetin nga barra urgjente për blerje masive energjie.
Të dhënat zyrtare nga KESH tregojnë se kuota e ujit në basenin e Fierzës është rritur në mbi 285 metër mbi nivelin e detit, kur në fillim të muajit ishte afër pikës minimale. Sipas KESH vetëm gjatë prillit rezervat hidrike në vend u rritën me mbi 50 për qind duke arritur në 920 gigavatore.
Gjendja e vështirë hidrike në tre muajt e parë të vitit, e vuri në alarm Qeverinë. Sipas Ministrisë së Financave, kriza mund të vinte në rrezik buxhetin, të cilit sipas vlerësimeve parprake do t’i duhej të shpenzonte 100 milionë euro për të blerë energji nga importi për këtë vit.
Para, të cilat do të merreshin hua nga KESH, përmes garancive të Qeverisë, duke rritur sërish borxhin e vendit. Por burime nga Ministria e Energjisë thonë se përmirësimi i rezervës gjatë muajit prill, i ka ulur nevojat për import deri në fund të vitit të paktën me 25 për qind deri tani duke e zbritur fondin e kërkuar në 75 milionë euro.
Sipas tyre kjo shifër ka gjasa të lehtësohet më tej, pasi rezerva në Fierzë vazhdon të rritet. Ndërkohë përvec kësaj, reshjet e shiut kanë përmirësuar rezervat energjetike në të gjithë rajonin, çka ka sjellë edhe uljen e çmimeve të energjisë nga importi me gati 20 për qind, sipas KESH.
Add new comment