"S'bëjmë dot transplante", pa mjekë të kualifikuar e pa aparatura

Shqipëria nuk ka as mjekë të kualifikuar dhe as numrin e nevojshëm të aparaturave në spitalet publike për të bërë transplantet e organeve. Pak ditë pas njoftimit për çeljen e Bankës së parë të Organeve, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë pohojnë këtë fakt. Madje sipas shefit të Nefrologjisë, Nestor Tereska, kjo është edhe arsyeja, që prej gati një viti në QSUT janë pezulluar edhe transplantet e veshkave. Sipas tij, edhe në dy transplantet e vetme të kryera në spitalin publik, kanë asistuar edhe mjekë italianë.
"Ekipi i Urologjisë për disa ndërprerje që bëri gjatë vitit të fundit për arsye objektive, kërkon në këto momente një rifreskim, ose ardhja e disa specialistëve të huaj. Kjo ka qenë arsyeja kryesore, ka pasur edhe disa kërkesa nga ekipi i Urologjisë për disa aparatura që janë të domosdoshme për kryerjen e transplantit",-tha Thereska.
Nëse këto problematika zgjidhen, Thereska thotë se çdo vit të paktën 15 persona mund t?i nënshtrohen transplantit të veshkave. Aktualisht në vendin tonë rreth 600 persona kryejnë dializë, ndërsa 50 prej tyre kanë nevojë të menjëherëshme për transplant veshkash.
"Ne kemi mbi 600 të sëmurë që bëjnë dializë, por jo të gjithë mendohet që të bëjnë transplant. Në Shqipëri mund të kenë nevojë në momentin që po flasim mbi 50 të sëmurë. Një numër 15-20 transplante në vit do të jepte një zgjidhje afatshkurtër të problemit",-theksoi ai.
Ligji i miratuar një vit më parë parashikon transplantin e organeve, indeve dhe qelizave. Por në Shqipëri vetëm trasplanti i veshkave dhe ai i retinës së syrit është arritur të realizohen. Për këtë arsye, specialistë të QSUT-së janë nisur këto ditë për në Qendrën e Transplanteve në Itali, për të marrë përvojën e duhur për realizimin e transplanteve.
Julia Bardhushi
Albanian Screen
Add new comment