Rritet mosha e nënave, 9% e fëmijëve lindin para kohe

Postuar në 18 Nëntor, 2012 05:43

Rreth 9 për qind e grave në vendin tonë lindin fëmijë të parakohshëm. Mosha në rritje e nënave, kequshqyerja gjatë shtatzënisë dhe ndotja e mjedisit janë disa prej faktorëve që ndikojnë në këtë fenomen që vitet e fundit është rritur në vendin tonë. 

“Rreziku për shëndetin dhe jetën e këtyre fëmijëve është shumë i madh, ndaj është detyra jonë si mjekë që të ndërgjegjësojmë prindërit e rinj për të bërë kujdes”, tha dje drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu. 

Ndërsa drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” theksoi se është e domosdoshme që të vihet theksi te diagnozat perinatale, duke mundësuar kështu kapjen në kohë të një sërë patologjish. Pikërisht tendencat e reja për diagnozën prenatale, progesteroni në parandalimin e lindjes para kohe dhe abortit, si dhe shtatzënitë me risk të lartë, ishin temat kryesore që u bënë dje pjesë e diskutimeve të mjekëve më të njohur të obstetrikë-gjinekologjisë. Vendi ynë ka një mortalitet perinatal në nivelin dy për qind, ndërsa këto shifra në Europë nuk kalojnë 1.1 për qind. Në Kongresin VI Ndërkombëtar të Perinatologjisë, që organizohet nga departamentet e patologjisë së shtatzënisë në maternitetet “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë”, referuan specialistë vendas e të huaj. 

I pranishëm në hapjen e punimeve të këtij aktiviteti ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo. “Ky kongres përkon edhe me 70-vjetorin e një prej institucioneve legjendë të shërbimit shëndetësor në Shqipëri, Maternitetit të Tiranës. Zhvillimi i kujdesit prenatal është pjesë e zhvillimit të politikave të sotme të zhvillimit”, tha Tavo. Sipas tij, sfida e politikave shëndetësore qëndron në akomodimin e kënaqësisë emocionale të prindërve potencialë e, në të njëjtën kohë, të mos komprometohet reduktimi impresiv në vdekshmërinë amtare e perinatale që është arritur në dy dekadat e fundit. “Gruaja e kryen plotësisht fatin e saj fiziologjik nëpërmjet mëmësisë; aty qëndron prirja e saj natyrore, përderisa i tërë organizmi i saj është drejtuar drejt përjetimit të llojit. Por, prej më se një shekulli, funksioni riprodhues nuk drejtohet vetëm nga rastësia biologjike. Ngjarjet thelbësore të ekzistencës – lindja, shëndeti, sëmundjet, vdekja – kërkojnë përkufizime të reja nga momenti që ndryshohen në ciklin vital nga bioteknologjitë”, tha ministri. 

 

 

Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.