Ramushi “ringjall” skenën politike

Postuar në 30 Nëntor, 2012 03:54

Vetëm pak kohë pasi lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është liruar nga të gjitha aktakuzat, bashkëpartiakët e tij kanë paralajmëruar ndryshime të mëdha në skenën politike.

Nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala, është shprehur i sigurt se politikës kosovare do t’i ndryshojë “formacioni”, ndërsa ka pohuar se Haradinaj është i gatshëm që t’i prijë qeverisë, madje edhe me partinë e kryeministrit aktual, Hashim Thaçi.

Shala ka thënë se Haradinaj do të mund ta marrë “timonin” e qeverisë pa organizuar fare zgjedhje parlamentare, ndërsa ka pohuar se i tërë procesi i rikthimit të tij nga Haga në Prishtinë, është duke kaluar nën patronazhin e kryeministrit, Hashim Thaçi.

“Kthimi i Ramush Haradinajt në Kosovë, do të shënojë një paralajmërim të ndryshimeve të mëdha në politikën kosovare, është një figurë e pakontestueshme politike që mund të kontribuojë shumë që vendi të ecë shumë më shpejt sesa që ka ecur deri sot, dhe që Kosova të mbërrijë caqet e synuara”, është shprehur Shala, gjatë një takimi me gazetarë, ku ka folur për lirimin e kryetarit të AAK-së.

Ai ka theksuar se Haradinaj ka vullnet të takohet me të gjithë liderët e partive politike në vend, ngase, siç ka thënë ai, koha po e kërkon atë dhe angazhimin e tij.

“Aleanca nuk e ka ndërmend të rrijë, nëse ka mundësi pra të aktivizohet në qeveri, në pushtetin ekzekutiv, këtë do ta bëjë sepse ne mendojmë se vendit i duhet një ndryshim shumë i madh politik për të mirë”, ka thënë i dyti i Aleancës.

Por, qeveritarët e vendit as nuk e pohojnë dhe as nuk e mohojnë nëse janë të gatshëm ta “sakrifikojnë” Thaçin për Haradinajn.

“Është me rëndësi që është liruar (Haradinaj) dhe është legjitimuar lufta e drejtë e UÇK-së, një pjesë e lavdishme e historisë tonë. Ai (Haradinaj) do të jetë pjesë aktive e ndërtimit të shtetit”, është përgjigjur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kur është pyetur nëse PDK-ja dhe Qeveria është e gatshme t’i thotë “po” Ramush Haradinajt në krye të qeverisë, pas një koalicioni me AAK-në.

Në fakt, edhe analistët politikë parashikojnë ndryshime në skenën politike kosovare. Të paktën, nëse jo në përbërjen e qeverisë, rikthimi i Haradinajt, sipas tyre, do të ndikojë direkt në dinamikën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Skena politike, besoi se do të bëhet më dinamike nga dinamizmi i Ramushit. Sigurisht që do të ketë më shumë dinamizëm, dhe kjo është shumë mirë për skenën politike”, thotë analisti politik Nexhmedin Spahiu.

Kohën e fundit në opinion është përfolur mundësia që sapo të kthehet në Kosovë, partia e tij të futet në koalicion qeverisës me PDK-në, vetë Haradinaj ta drejtojë qeverinë, ndërsa kryeministri aktual, Hashim Thaçi, të bëhet president i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, Spahiu thotë se një gjë e tillë nuk është aq e lehtë të ndodhë, ngase, siç thotë ai, për ta hequr nga Presidenca presidenten Atifete Jahjaga, nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve kosovarë, aq sa nuk i kanë së bashku partia e Thaçit dhe ajo e Haradinajt.

Disa muaj më parë Instituti KIPRED pati paralajmëruar se në një të ardhme të afërt PDK-ja dhe AAK-ja do të bëjnë koalicion qeverisës, dhe më pas “UÇK qeveria” do të vendosë për fatin e veriut.

Shpend Kursani nga kjo organizatë, thotë se nëse analizohet “zbutja” e anëtarëve të AAK-së karshi qeverisë, shihet se “prognoza” e tyre ka qenë shumë e saktë, dhe se koalicioni PDK-AAK mund të ndodhë së shpejti.

“Unë besoj se gjithë kjo do të varet edhe nga negociatat që këto dy parti do të kenë në ndarjen e pozitave qeveritare. Dhe çështje tjetër kryesore është se a do të pranojë kryeministri Thaçi ta japë postin e kryeministrit pa u qartësuar se çka do të bëhet me postin e Presidentes, kur dihet se Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se ajo ka mandat pesëvjeçar”, thotë ai.

AAK-ja dëmtohet nga koalicioni me PDK-në

Shoqëria civile në Kosovë konsideron se hyrja e AAK-së në koalicion me PDK-në, pa u organizuar zgjedhjet e rregullta do ta dëmtonte shumë partinë e Ramush Haradinajt.

“Hyrja në qeveri do të ishte e dëmshme për vetë Haradinajn dhe AAK-në, sepse nuk do të ketë shumë kohë që t’i bëjnë ndryshimet në Qeveri, ato që po thonë se do t’i bëjnë, sepse e ka vetëm një vit kohë deri në zgjedhjet e vitit 2014, e një vit është pak për ndryshime. Nuk e kuptoi pse nuk presin të hynë në koalicion pas zgjedhjeve”, ka thënë Kursani i KIPREDI-it.

Jeton Llapashtica, Zeri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.