Pylli i Sodës shkatërrohet nga mbetjet inerte

Drejtoria e Shërbimit Pyjor të Vlorës është e pafuqishme për të ndalur ndotjen e pyllit të Sodës. Si masë të fundit për ndalimin e kamionëve që shkarkojnë në mes të pyllit ajo kërkon nga Kontrolli i Shërbimit të Automjeteve, mosrinovimin e dokumentacionit të kamionëve të identifikuar që ndotin pyllin e Sodës. Pas procedimeve penale dhe gjobitjes kjo ishte masa e fundit që mund të merrte drejtoria e shërbimit pyjor të Vlorës për frenimin e shkatërrimit të pyllit.
"Është e vërtetë që ky fenomen është evident. Ka hedhje inertesh, mbeturinash në pullin e Sodës. Është zonë e mbrojtur dhe është park kombëtar. Për këtë një muaj që unë jam në krye të drejtorisë së pyjeve, kemi pasur disa raste, proces verbale konstatimi, kemi çuar në gjykatë kemi bërë kallëzimin penal. Për ne për parqet kombëtare kjo përbën vepër penale", tha Sokol Hodaj, drejtor i Shërbimit Pyjor, Vlorë.
Drejtoria e shërbimit pyjor nuk ka gjetur mbështetjen e policisë bashkiake për ndalimin e këtij fenomeni që po e shkatërron në mënyrë të pakthyeshme pyllin e Sodës. Inspektorët e kësaj drejtorie mbeten vetëm në nivelin e konstatimit të ndotjes së përditshme që i bëhet pyllit nga firmat e ndërtimit që shkarkojnë tonelata të tëra mbetjesh inerte në mes të gjelbërimit.
Albanian Screen
Add new comment