Përgjysmohet prodhim i patateve të Kukësit, nuk ka treg

Mungesa e tregut të patates, por edhe kushtet jo të favorshme meterologjike, kanë bërë që në qarkun e Kukësit të ulet ndjeshëm këtë vit sasia e prodhimit së kësaj kulture bujqësore.Statistikat flasin se gjatë këtij viti fermerët nuk kanë mbjellë patate, sic kanë bërë vitet e mëparshme, pasi shumica e prodhimit hidhej në lumenj për shkak të kalbjes.Drejtuesit e bujqësisë në Kukës thonë se këtë sezon prodhimi i patates është 40 % më pak se vitin e kaluar.
"Sivjet ka rënë sipërfaqja e mbjellë me rreth 100 hektarë më pak se sa vitin e kaluar e cila ka të bëjë kryesisht me problemet e kushteve atmosferike gjatë periudhës së mbjelljes në pranverë, por njëkohësisht dhe me problemet e shitjes së prodhimit të vitit 2012 në treg. Këtë vit prodhimi i patates është gjithsej 11.300 ton patate që prodhohet në qarkun e Kukësit nga 15.300 ton që është prodhuar vitin e kaluar", thotë Arif Rexhmati, drejtor i bujqësisë Kukës.
Prej kohësh mungesa e tregut ka qenë shqetësimi kryesor për fermerët e zonës së thellë të Shishtavecit, Zapodit, Topojanit, Bushtricës etj, ku kultivimi i patates zë vendin kryesor të prodhimeve bujqësore. Vetëm vitin e kaluar rreth 9000 ton patate u kalbën edhe pse për këto zona malore është ngritur nga qeveria një magazinë e përpunimit dhe ruajtjes së patates, por që asnjëherë nuk u vu në punë.
Albanian Screen
Add new comment