Merkel: Kush jam unë të ankohem, se grekët protestojnë?

Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se ka arritur të bindë një publik tepër skeptik se duhet t’i jepet Greqisë më shumë kohë, që ky vend të arrijë qëllimet e veta financiare.
Duke folur nga konferenca e Unionit Kristiano Social (CSU) që është simotra e partisë së kancelares, Merkel ka bërë një deklaratë të papritur në lidhje me Greqinë.
Angela Merkel tha se demonstruesit që mbushën rrugët e Athinës gjatë vizitës së saj në Greqi, ushtruan të drejtën e tyre për të protestuar, demonstruan vlerat dhe liritë që e bëjnë Evropën të madhe. "Unë vetë prita 34 vjet për të protestuar. Kush jam unë që të ankohem, sepse njerëzit ankohen?" tha Merkel, duke iu referuar viteve kur jetonte në Gjermaninë Lindore para rënies së Murit të Berlinit.
Anëtarët partisë i rezervuan një pritje entuziaste kancelares dhe pas fjalëve të saj delegatët u ngritën në këmbë për më shumë se një minutë. CSU njihet për qëndrimet të ashpra ndaj Greqisë, megjithatë, në kongresin vjetor këtë fundjavë, bavarezët adoptuan tone më pajtuese ndaj problemit grek, duke përmbysur qëndrimet e mbrojtura deri një muaj më parë.
Ndërkohë Greqia ka përpara një periudhë përcaktuese për të ardhmen e saj. Kryeministri ka vetëm 16 ditë në dispozicion, deri në takimin vendimtar të Eurogrupit dhe deri atëherë duhet të bëhen një seri veprimesh. Gjithçka do të fillojë nga marrëveshja përfundimtare me Trojkën, duhet të kalohet me notë pozitive konferenca e Ministrave të Financave të zonës euro, të miratohen masat e ashpra në parlament, të ndryshohet drafti i buxhetit për vitin 2013, të bëhet promovimi i privatizimit, publikimi i raportit të Trojkës dhe në fund, takimi vendimtar i Eurogrupit.
Në Luksemburg më 12 nëntor shënohet e ardhmja e ekonomisë greke. Bazuar në raportin e Trojkës ministrat e financave zonës euro do të vendosin mbi disbursimin e këstit 31.5 mld euro dhe për zgjatjen e kohës së shlyerjes së borxhit.
Ballkanweb.com
Add new comment