Marku: Premtimet e rreme për Shqipëri etnike, poshtërsi e marrëzi

Postuar në 08 Dhjetor, 2012 12:15

Marrëzi ose poshtërsi! Kështu i cilëson deputeti i PD-së, Mark Marku premtimet e rreme për krijimin e një Shqipërie etnike. “Serbia e Millosheviçit mendoj se është një shembull i mjaftueshëm për ta konkretizuar rrezikun e një aventure nacionaliste”, – pohon ai, i kujdesshëm në theksimin e diferencës mes tezës së relativizimit të kufijve të Kryeministrit nga retorika e atyre që Marku i quan “liderë qesharakë të partive inekzistente”. Në këtë intervistë për MAPO-n ai komenton mundësitë reale për bashkimin e shqiptarëve, reagimin e fqinjëve, por edhe suksesin që mund të ketë karta nacionaliste në fushatën zgjedhore.

Ky vit i 100-vjetorit të Pavarësisë ka sjellë një rritje të retorikës nacionaliste, artikuluar fillimisht nga një lëvizje e re si Aleanca Kuqezi. Por pakkush e kishte marrë seriozisht një projekt për “Shqipërinë e Madhe”, derisa kjo tezë u shpreh me zë të lartë nga kryeministri Berisha, fillimisht në Shkup, e më pas edhe në ditët që pasuan festimet e 100-vjetorit. Si e vlerësoni ju këtë ndryshim kursi në retorikën e Kryeministrit? Shumë po ngrenë pyetjen pse krejt papritur, e pse tani?

Për të qenë të saktë, duhet të saktësojmë se tezat e hedhura nga zoti Berisha në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk janë teza për Shqipërinë e madhe, as për Shqipërinë etnike. Deri tani, me sa di unë, ai ka folur për bashkim të shqiptarëve në Evropën e Bashkuar, tezë kjo që nuk paralajmëron ndryshimin e kufijve, por relativizimin e kufijve siç ka ndodhur me të gjithë kufijtë e vendeve evropiane pas hyrjes së tyre në BE. Më duket se ka një ndryshim thelbësor mes relativizimit të kufijve dhe ndryshimit të kufijve. Është e vërtetë pra, që kemi të bëjmë me një ndryshim të retorikës politike, por jo edhe të politikës dhe rolit të Shqipërisë në rajon.

A e shikoni të mundur një bashkim të shqiptarëve, këtej e andej kufirit, duke pasur parasysh edhe konventat ndërkombëtare apo reaksionin që mund të shkaktojë në Perëndim një çështje e re shqiptare në Ballkan?

Pavarësisht dëshirës, e shoh të vështirë një zgjidhje tërësore të çështjes shqiptare, sidomos një zgjidhje të tipit klasik nacionalist. Zgjidhje klasike nacionaliste do të thotë (dhe me këtë rast kur flas për nacionalizëm i referohem kuptimit që i japin këtij termi Hobsbaun, Gellner apo edhe studiues të tjerë të nacionalizmit) bashkim i njësisë shtetërore me njësinë etnike, domethënë krijimi i një shteti shqiptar që të përfshijë të gjitha territoret ku popullsia shqiptare është shumicë. Mendoj se një zgjidhje e tillë mund të arrihet ose me një kompromis të përgjithshëm të vendeve të tjera ballkanike, gjë që është e pamundur, pasi secili vend pretendon se është i diskriminuar në këtë drejtim, ose me forcë, domethënë me luftë. Kjo e fundit besoj se për këdo që nuk e ka humbur logjikën elementare, është një opsion i përjashtuar. Kështu që mendoj se kushdo që premton një zgjidhje tërësore të problemit të shqiptarëve, domethënë krijimin e një shteti etnik shqiptar ose është i marrë, ose i poshtër. Askush, e theksoj askush në Ballkan nuk e ka fuqinë për ta realizuar një projekt nacionalist të këtij lloji dhe ajo që pësoi jo më larg se 10 vjet më parë Serbia e Millosheviçit, mendoj se është një shembull i mjaftueshëm për ta konkretizuar rrezikun e një aventure nacionaliste. Në këtë kuptim, unë them se shqiptarët edhe pse të pakënaqur me plot të drejtë me vonesën e zgjidhjes së çështjes shqiptare, duhet të dinë të përfitojnë nga procesi i integrimit në mënyrë që këtë hapësirë të përbashkët të kombeve të lira ta shndërrojnë në një hapësirë ndërshqiptare. Mendoj se edhe për momentin ndarja e kufijve është gati simbolike dhe megjithatë, kjo liri nuk shfrytëzohet sa duhet.

Në të vërtetë duket sikur Kryeministri ka kuptuar trendin e shoqërisë, e cila ka një vetëdije më të madhe për çështjen shqiptare. Por shumë shtrojnë pyetjen, si do të bëhet ky bashkim?

Siç e saktësuam më sipër, kryeministri Berisha besoj se i referohet më shumë ndryshimit de facto të kufijve sesa ndryshimit de jure, ose të paktën kështu e lexoj unë deklaratën e tij.

Kemi parë tashmë reagimet e para të fqinjëve: presidenti i Maqedonisë refuzoi pjesëmarrjen për shkak të incidentit me Gruevskin, por edhe nervozitetin e Athinës zyrtare dhe anulimin e vizitës së Avramopulos. Sa ia vlen që Shqipëria të hyjë në një konflikt të ri me fqinjët dhe bashkësinë ndërkombëtare, apo të vështirësojë rrugën e vet drejt BE-së?

Mendoj se reagimi i tyre ka të bëjë më shumë me problemet e brendshme që vendet e tyre kanë sesa me deklaratat e Berishës. Nga ana e tyre, grekët i bëjnë vazhdimisht jo vetëm deklarata të tilla që kanë të bëjnë me historinë, por edhe deklarata që shprehin edhe pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera. Nuk besoj se kjo do të çojë në një konflikt me fqinjët.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë duan më shumë shqiptarët në këtë vit jubilar? Bashkimin kombëtar, integrimin europian, një shtet dinjitoz e të drejtë, apo të gjitha këto aspirata mund të ecin paralelisht me njëra-tjetrën?

Unë mendoj se shqiptarët duan si gjithë kombet e tjera, realizimin e objektivave maksimalë, por besoj se si pjesa më e madhe e kombeve e kanë kuptuar se asnjë komb, sado i fuqishëm qoftë, nuk mund t’i realizojë të gjitha ambiciet, pasi kjo gjë çon në përplasje me kombet e tjera. Le të mos harrojmë se kombe shumë më të mëdha e të fuqishme si gjermanët, francezët, rusët, kinezët etj., kanë qenë të detyruar të bëjnë kompromise dhe lëshime historike, pasi të gjitha këto kombe kanë territore dhe popullsi të përfshira në etnitete të tjera shtetërore. Shqiptarët i kanë tashmë dy shtete dhe duhet të punojnë që këto dy shtete të shndërrohen në shtete moderne, janë përcaktues në dy shtete të tjera, në Maqedoni dhe Mal të Zi, janë në kërkim të zgjidhjes së problemit çam. Mendoj se objektivat e kombit shqiptar realizohen më mirë duke vepruar në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në rajon, jo duke deklaruar ambicie që i vënë në diskutim edhe këto arritje.

Ndryshimi i retorikës së lidershipit të PD-së ka zëvendësuar rrufeshëm sloganin “Shqipëria po ndryshon” me atë të bashkimit kombëtar. Cila është jehona e kësaj “karte” brenda PD-së, dhe a ka pasur diskutime apo debate në këtë frymë?

Nuk besoj se ka ndodhur dhe do të ndodhë një gjë e tillë. Edhe pse qëndrimi kombëtar është në thelb të politikës së një partie të djathtë, nuk mendoj se fushata mund të sjellë rezultat me propagandë nacionaliste. Qytetarët na votojnë edhe për këtë, por jo kryesisht për këtë. Aq më tepër që nuk është e ndershme t’u premtosh qytetarëve gjëra që nuk i kemi në dorë ne. Nuk ka kuptim të biem në nivelin e propagandës banale të disa partive inekzistente dhe të liderëve të tyre qesharakë që mendojnë se shqiptarët janë aq të trashë, sa të besojnë se bashkimi mund të realizohet me deklarata njerëzish delirantë e të papërgjegjshëm.

 

Intervistoi: Aleksandra Bogdani, Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.