Librazhd, rebelohen mësuesit, protestojnë për rimbursimin e transportit

Një grup mësuesish nga shkolla të ndryshme në nënprefekturën e Librazhdit kanë protestuar në mesjavë në Zyrën Arsimore,duke bojkotuar edhe procesin mësimor. Shkak i protestës së tyre është bërë mosrimbursimi i biletës së transportit, orëve suplementare dhe i vështirësive të punës.
Mësuesit e shkollave të fshatrave Orenjë, Zdrajsh Vërri, Zdrajsh Qendër dhe disa nga shkolla të tjera nëpërmjet protestës së zhvilluar në ambientet e Zyrës Arsimore të Librazhdit synonin që të sensibilizonin drejtuesit e këtij institucioni lidhur me shqetësimin e tyre, i cili është shqetësim edhe i gjithë kolegëve të shkollave të tjera në këtë nënprefekturë.
Nga ana e saj Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hequr të gjithë mjetet të cilat transportonin mësuesit në zonat ku funksionon transporti publik duke i kompensuar biletën mësuesve dhe një shumë prej 1800 lekë shtesë page. Ndryshe nga proçedurat e vjetra, që bëheshin me tendera në çdo drejtori arsimore, tani të gjitha linjat janë të liçencuara. Në fund të muajit sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mësuesit do të dorëzojnë biletat dhe do të marrin lekët. Kjo për mësuesit që udhëtojnë mbi 5km dhe nxënësit mbi 2 kilometra, për të tjerët transporti është parashikuar që të bëhet me tender. Por ky vendim ka sjellë probleme të shumta për mësuesit të cilëve nga mosrimbursimi i biletave të udhëtimit prej muajsh u janë boshatisur xhepat duke e rënduar situatën e tyre ekonomike deri në rebelim sikurse ka ndodhur së fundi me disa prej tyre që punojnë në shkollat e komunave të largëta të Librazhdit.
Ndërkaq Mati Çela Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit për Qarkun e Elbasanit bëri të ditur se është informuar për zhvillimin e protestës së disa mësuesve të Librazhdit në ambientet e Zyrës Arsimore të kësaj nënprefekture e cila ka ka konfirmuar zgjidhjen e menjëhershme të pretendimeve të tyre.
Balkanweb.com
Add new comment