Legalizimet, kush paguan menjëherë përfiton 20 % ulje.

Postuar në 23 Mars, 2014 05:53

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë këtë javë, ligjin për Legalizimet, sipas të cilit pritet të ketë zbritje prej 20 % të faturës financiare për ata qytetarë që do të paguajnë menjëherë koston e caktuar nga qeveria.
Zbritje deri në 20% të vlerës së faturuar për parcelën ndërtimore nëse ajo kryhet menjëherë, ristrukturim të mënyrave për shlyerjen e tarifës, ndryshim në përllogaritjen e detyrimit financiar, si edhe më shumë objekte të përfshira në proces legalizimi janë pjesët e ndryshuara të kësaj pakete ligjore.

ZBRITJA DERI NË 20%
Familjet të cilat do të kryejnë të plotë dhe menjëherë detyrimin financiar për parcelën ndërtimore që kanë në posedim do të përfitojnë deri në 20% ulje të vlerës së përcaktuar. Burime nga Agjencia e Legalizimeve bëjnë me dije se në draftin e ri që pritet të marrë dritën jeshile nga qeveria, për çdo qytetar që bën tërheqjen e faturës dhe e shlyen atë pa vonesë, do t’i zbritet deri në 20% të shumës së faturuar. “Nëse një familje e cila ka ndërtuar në tokë shtetërore apo pronë e pronarëve të shpronësuar do të duhet të paguajë 50 mijë lekë tëreja si kosto për truallin ku ka ndërtuar, me ndryshimet e propozuara, vlera do të shkojë në 40 mijë lekë.
Lehtësira do të krijohen edhe në mënyrën e pagesës, ku krahas alternativës për shlyerje të tarifës së plotë, do të jetë dhe shlyerja me këste të reduktuara”, thanë burimet.

TAKSA E TRUALLIT
Ligji i ri do të sjellë ndryshime jo vetëm në vlerën e truallit, e cila nuk do të jetë më e unifikuar, por edhe në formulën me të cilën do të bëhet përllogaritja e faturës për parcelën ndërtimore. Burimet nga ALUIZNI thonë se, nëse me ligjin e vjetër paguhej bazuar mbi sipërfaqen standarde (si brenda vijave të verdha, ashtu dhe jashtë tyre), me ndryshimet e reja, cdo person do të paguajë vetëm për sipërfaqen e saktë që ka në posedim. Në këtë mënyrë, nëse një familje kërkon të legalizojë një sipërfaqe prej 270 m2, kostoja apo detyrimi financiar që do të duhet të paguajë, është ai që do të përftohet nga shumëzimi i kësaj vlere me çmimin për metër katror që do të dalë nga harta me vlerat e tokës që është duke u hartuar. Në ndryshimet e propozuara, tarifa do të paguhet për atë sipërfaqe që është në zotërim, e verifikuar dhe e matur nga grupet e punës që kanë nisur procedurat në terren.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.