Lëvizja e lirë, shqiptarët e Preshevës kundër taksës 60 euro

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi e cilëson të papranueshme dhe të papërballueshme për qytetarët e Luginës së Preshevës vendosjen e tarifave të reja të kalimit kufitar, sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë që nis zyrtarisht të zbatohet sot.
Siç raportojnë mediat në Kosovë, makinat e vogla që futen në Kosovë nga Serbia do të paguajnë siguracion prej 60 euro, i cili do të jetë i vlefshëm për 15 ditë.
“Ky moment i ri i paraqitjes së tarifave për policat kufitare të sigurimit nuk është një veprim konkret për të lehtësuar lëvizjen e lirë, por përkundrazi do të kemi një embargo të dyfishtë. Deri tani kosovarët ishin ata që nuk udhëtonin dot në Serbi, për shkak të pengesave administrative, të cilat tashmë po shndërrohen në pengesa financiare të patejkalueshme.”- deklaroi Halimi për agjencinë PreshevaNews.
Sipas Halimit, duke qenë se pagat mesatare janë 200-300 euro, shuma 60 euro për 15 ditë është e papërballueshme.
“Rezultati do të jetë embargo e plotë, pasi jo vetëm që kosovarët nuk mund të vijnë në Serbi, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës bëhet e paarritshme që të hyjnë në Kosovë.”- u shpreh Halimi.
ballkanweb.com
Add new comment