Kreu i ISHP-së inspekton minierën e Bulqizës: Rritje të standardeve në punë.

Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli inspektoi sot minierën e Bulqizës.
Gjatë kësaj vizite kreu i Inspektoriatit të Punës, u takua me drejtues të kompanisë Albchrome që administrojnë minierën, me përfaqësues të sindikatave të minatorëve, si dhe bashkëbisedoi me disa prej minatorëve që punojnë në këtë minierë.
Drejtuesit e Inspektoratit u njohën nga afër me masat që kishte marrë kompania për pajisjet individuale mbrojtëse dhe veshjet përkatëse për minatorët, për kushtet higjienike siç janë dhomat e ndërrimit të rrobave, dushet, ngrohja, etj. Nga ana tjetër drejtuesit e Inspektoratit kërkuan të njihen në mënyrë të detajuar me praninë e shërbimit të kontrollit mjekësor, që është një domosdoshmëri në një proces të tillë pune me risk të lartë përsa i perket aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale.
Ndërkaq Kryeinspektori Dritan Ylli në një prononcim për mediat u shpreh se: “Industria minerare aktualisht është ndër sektorët më të vështirë të ekonomisë, për vetë natyrën e punës, e cila ofron një risk të lartë për aksidentet dhe dëmtimin e shëndetit të punonjësve, do të jetë gjithnjë në kontroll të vazhdueshëm dhe monitorim nga inspektorët e punës”.
Gjatë 3 muajve të fundit në Burrel janë evidentuar rreth 350 subjekte të palicencuara me 415 punonjës që punonin në të zezë, kontribues të munguar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në buxhetin e shtetit. Më pas Kreu i Inspektoratit Dritan Ylli se bashku me drejtues të tjerë të institucionit zhvilluan një takim në Burrel me rreth 50 përfaqësues të biznesit të zonës së Matit dhe Dibrës.
Add new comment