Kisha Ortodokse nis regjistrimin fetar për Krishlindje

Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin kanë festuar ditën e Krishtlindjes, që simbolizon lindjen e Krishtit. Qindra besimtarë katolikë i janë drejtuar mesnatën e së hënës Katedrales së “Shën Palit” në kryeqytet për të marrë pjesë në meshën që u mbajt nga arkipeshkvi katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin, duke vlerësuar Krishtlindjen si ngjarjen më të rëndësishme. Ndërsa besimtarët ortodoksë u janë drejtuar kishave në orën 6 të mëngjesit, në Tiranë dhe qytete të tjera. Në kryeqytet mesha e shenjtë e Krishtlindjes, që është drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, është mbajtur në katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”. Bashkë me meshat, Kisha Ortodokse ka shpallur edhe censusin e saj, që konsiston në regjistrimin e besimtarëve ortodoksë kudo që ata janë. Para nisjes së meshave, besimtarëve ortodoksë u është kërkuar që të plotësonin një formular ku duhej të deklaronin besimin e tyre fetar. Në hyrje të kishave ishin vendosur formularët që duhej të plotësonin besimtarët. Në formular kërkohej emri, mbiemri, adresa dhe elementë të tjerë kontakti. Në këtë formular të hartuar nga Kisha Ortodokse besimtarët kanë deklaruar se cilit besim i përkasin. Po kështu, nëpërmjet tij Kisha ka pyetur besimtarët nëse janë regjistruar më parë nga regjistruesit e censusit zyrtar, dhe u ishte bërë pyetja se cili është besimi juaj fetar. Në këtë mënyrë Kisha Ortodokse kërkon të zbulojë nëse janë pyetur apo jo të gjithë shqiptarët gjatë censusit për besimin fetar dhe a janë regjistruar të gjithë ata. Kanë qenë të shumtë ata që i kanë plotësuar këta formularë para meshës. “Ne plotësojmë një fletë aty dhe deklarohemi që jemi ortodoksë”, – tha një besimtare ortodokse që e ka plotësuar formularin në katedralen e re. “Ne bëmë regjistrimin emër, mbiemër dhe kaq”, – tha një tjetër. Përfaqësues të Kishës Ortodokse shpjegojnë se ky regjistrim është një anketim që bëhet në kuadër të Censusit. “Ajo është një anketë që bëhet në kuadër të Censusit, pasi Kisha Ortodokse mendon se ky proces nuk është i rregullt dhe i saktë. Aty janë bërë plotësime me laps, ose janë lënë bosh dhe besimi fetar është cilësuar si i parëndësishëm”, – u shpreh Jani Meni, punonjës i Kishës Ortodokse. Kisha Autoqefale e Shqipërisë ka kundërshtuar censusin e fundit për regjistrimin e popullsisë, pasi sipas tyre, shifra e deklaruar 6.75%, nuk tregon realisht numrin e besimtarëve ortodoksë. Sipas të dhënave të Kishës, numri i të krishterëve ortodoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë, dhe Censusi ka “fshehur” 17% të tyre. Edhe gjatë dy të dielave para Krishtlindjes, më 9 dhe 16 dhjetor 2012, Kisha Ortodokse ka anketuar besimtarët që kanë marrë pjesë në meshat e mbajtura në kishat e Tiranës, Durrësit, Beratit, Korçës, Vlorës, si dhe në qytete të tjera të vendit. Sipas Kishës, anketimit në këto dy mesha i janë përgjigjur me emër, mbiemër dhe adresë 7118 persona. Sipas Kishës, prej këtyre 2469 persona ose 34,68% kanë deklaruar se u vizituan dhe u pyetën për përkatësinë fetare gjatë Censusit. Ndërsa 4643 persona ose 65,23% kanë deklaruar se nuk janë vizituar nga regjistruesit, ose u vizituan dhe nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare. Gjithashtu, 56 persona kanë deklaruar se regjistruesit i shënuan të dhënat me laps ose në një fletore tjetër, ndërsa 11 të tjerë kanë pohuar se regjistruesit nuk donin ta shënonin fenë ose e shënuan atë pas shumë këmbënguljeje. Për më tepër, Kisha Ortodokse ka deklaruar se ka dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, e jo siç e kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe të firmoset nga deklaruesit. Për këto arsye, Kisha Ortodokse e kundërshtoi Censusin, duke deklaruar se ortodoksët janë më të shumtë në numër, por qëllimisht qeveria nuk i ka regjistruar për ta kaluar në minorancë si komunitet fetar.
Anastasi: Sot duhet durim për të kapërcyer krizën
Në mesazhin e tij lexuar para besimtarëve ortodoks në të gjithë vendin, kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, theksoi se në ditët e sotme nevojitet më shumë durim për të kapërcyer problemet. “Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Mbi të gjitha kërkohet durim në ditët tona, për të arritur reciprocitetin dhe unitetin e brendshëm shpirtëror, për të cilat ka nevojë vendi për ta kapërcyer krizën”, – u shpreh kryepeshkopi Anastas.
Mirdita: Kohë krize, kini besimin në Zot
Edhe arqipeshkvi katolik Imzot Rrok Mirdita kërkoi nga njerëzit të kenë besim në Zot, në një kohë që shoqëria shfaqet e kërcënuar nga kriza ekonomike. “Sot shoqëria shfaqet e kërcënuar në një farë mënyre nga varfëria, nga mungesa e një projekti të besueshëm, të pranuar njëzëri për një të ardhme të qëndrueshme nga pasiguria e një mirëqenie të arritshme për të gjithë. Qofshin këto Krishtlindje një mundësi e gëzueshme për të gjithë njerëzit për të takuar Zotin e tyre të vërtetë, e për të përjetuar gëzimin e pafund që sjell ky takim!”, – tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.
Spahiu sulmon Janullatosin: Nuk është kujdesur për kishën e Elbasanit
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu zgjodhi të festojë Krishtlindjen në kishën e “Shën Mërisë” në Elbasan. Mesha tradicionale është mbajtur nga At Nikolla Marku, i cili këtë vit bëri thirrje për më shumë paqe, dashuri dhe solidaritet mes njëri-tjetrit.
Pas kësaj meshe, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi, kryetari i kësaj force politike vlerësoi At Nikolla Markun për misionin e tij, duke sulmuar sërish kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, i cili sipas tij, nuk është kujdesur për këtë kishe, një ndër më të vjetrat në vend. “At Nikolla ka qenë në këto vite një nga mbrojtësit më të fortë të Kishës Autoqefale Shqiptare, një kishë ku fatkeqësisht, kryepeshkopi Janullatos nuk gjen fonde për të mbuluar çatinë që pikon. Në ditën e Krishtlindjeve, Zoti dha bekimin për të gjithë. Ne jemi këtu për t’u solidarizuar me gjithë shqiptarët”, – deklaroi Spahiu.
Jonida Tashi, Mapo
Add new comment