Greva, Totozani katër rekomandime për ministritë

Avokati i Popullit, Igli Totozani, u ka dërguar katër rekomandime ministrave përkatës që mbulojnë çështjen e ish- të përndjekurve politikë. Letra dërguar Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, Ministrit të Financave, Ridvan Bode, Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera, Ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo e për dijeni edhe kryeministrit Sali Berisha, pasqyron disa sugjerime të institucionit të Avokatit të Popullit për zgjidhjen e çështjes
Ja çfarë thotë letra e plotë:
“E para në grupin e kërkesave është zhdëmtimi i plotë dhe i menjëhershëm i të burgosurve politikë në shumën e llogaritur paraprakisht, sipas ligjit. Lidhur me këtë kërkesë, në letrën e institucionit të AP shkruhet:
1. Për kërkesën e parë: Të zhdëmtohen totalisht të burgosurit politikë në shumën e llogaritur paraprakisht në mënyrë të menjëhershme, duke shtuar në vlerën nominale të llogaritur indeksin e inflacionit (30%), përgjatë viteve 2007-2012.
Baza ligjore që rregullon specifikisht masën financiare dhe modalitetet kohore të shpërndarjes së vlerës nominale të llogaritur, i referohet nenit 12, të Ligjit 9831 dt. 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, si dhe V.K.M. 1147 datë 25.11.2009 “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”.
Në nenin 12, të ligjit të sipërcituar, përcaktohet shprehimisht se:
“Në bazë të buxhetit vjetor, të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1.000.000(një milion)lekë.
I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që, në çdo rast, pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 (njëqind mijë) lekë.
Asnjë ish i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi.”
Në Ligjin 10111, datë 02.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist””, përkatësisht në nenin 6, parashikohet një shtesë në nenin 12, të Ligjit nr.9831 datë 12.11.2007, si më poshtë vijon:
”Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 85 vjeç, i shpërndahet dëmshpërblimi në dy këste.”
Pra, legjislacioni aktual parashikon për kategoritë e të dënuarve politikë, që nuk kanë mbushur moshën 85 vjeç, këste prej jo më shumë se 100.000 mijë lekë për çdo buxhet të vitit kalendarik, e që do të thotë se një shpërblim prej 1 milion lekë do të mund të shpërndahet në 10 vjet.
Në këtë rast duhet theksuar se, të njëjtat modalitete dhe procedura sa i përket shpërndarjes së fondit financiar, parashikohen të ndiqen dhe në nenin 13, të projektligjit “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”, projektligj i cili aktualisht është në procedurë shqyrtimi e miratimi në Kuvendin e Shqipërisë. Në nenin 13 të këtij projektligji, “Kriteret për shpërndarjen e fondit”, përcaktohet se:
”Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të barabartë për të gjithë ish të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 000 000 lekë.
I njëjti mekanizëm do të përsëritet një ose më shumë herë, deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish të dënuarit/ familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast pjesa takuese, që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 lekë. Asnjë ish- i dënuar apo familjar i tij nuk mund të dëmshpërblehet jashtë këtij mekanizmi”.
Në këto kushte, nëse do t’í referohemi përmbajtjes së kërkesës së parë të parashtruar nga ana e grevistëve të urisë, konstatohet se plotësimi i saj kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e nenit 12, të Ligjit 9831 datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar. Për rrjedhojë, ndryshim duhet të pësojë edhe neni 13, i projektligjit “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”, tashmë i paraqitur në Kuvend. Ndryshimi kërkon parashikimin shprehimisht të kalimit në vlerë nominale të të gjithë shumës së akorduar në favor të individëve përkatës ish të dënuar politik dhe pagesën e saj të menjëhershme, (këtu kuptuar brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme të kësaj vlere).Veç kësaj, ky ndryshim kërkon edhe parashikimin e shtimit mbi vlerën nominale të përcaktuar për çdo ish-të dënuar politik edhe të një vlere tjetër prej 30 % të saj, që do të justifikohet sipas kërkesës, me inflacionin për një periudhe kohore të dhënë”.
top-channel.tv
Add new comment