Greqi, liderët e partive të koalicionit: S'ka masa shtesë për 2012

Postuar në 19 Korrik, 2012 08:19

Kryeministri Antonis Samaras dhe liderët e partive politike që mbështesin qeverinë kanë rënë dakort se nuk duhet të ketë masa të reja në vitin 2012, dhe as shkurtime horizontale në rrogat dhe pensionet, por se duhet të vazhdojnë privatizimet dhe të hartohet një program i ri afatmesëm, në mënyrë që qeveria të paraqesë tek partnerët evropianë, kërkesën për zgjatjen e rregullimit fiskal. 

Zëdhënësi i qeverisë vuri në dukje se qeveria kujdeset që të fillojë rritja, forcimi i punësimit dhe kohezionit social, por edhe të fuqizohet pozita e vendit. 

Kreu i PASOK, Evangjelos Venizelos, theksoi se këtë vit do të zbatohen ato masa që janë votuar dhe shtoi se do të bëhet përpjekje e madhe për t’u gjetur masat ekuivalente. Ai shtoi se Greqia duhet të tregojë seriozitetin dhe shpejtësinë në ndryshimet strukturore, duke përfshirë edhe privatizimet, për të ndryshuar situatën në treg për të siguruar likuiditet. 

“Ato për të cilat ramë dakort do të respektohen në mënyrë rigoroze”, deklaroi nga ana e tij kryetari i së majtës Demokratike, Fotis Kuvelis. Kouvelis tha se duhet të ketë një relaksim të rregullimeve të borxheve që kanë qytetarët grekë, në mënyrë që të marrë frymë tregu si dhe nuk do të ketë masa të reja në vitin 2012. “Do të përpiqemi të lehtësojmë shtresat më të dobëta ekonomike”, tha ai. 

Ndërkohë, mediat greke thonë se kreditorët e Greqisë kanë bërë me dije se diskutimi mbi zgjatjen e afatit të periudhës së aktivizimit të programit për rimëkëmbjen ekonomike, do të varet nga progresi i shënuar në sektorin e reformave strukturore dhe në atë të privatizimeve. Ata thonë se recesioni të cilit shpesh i referohet qeveria, përdoret si një justifikim për mungesën e arritjes së objektivave të bilancit. 

Një takim i ri i tre liderëve do të mbahet në mes të javës së ardhshme, për ndryshimet strukturore dhe privatizimet, para kthimit të Trojkës dhe takimit të saj me Ministrin e Financave më 26 korrik.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.