Eurozona, pakt për kontrollin bankar

Vendet e Eurozonës ranë dakort që brenda një viti të kalohet në një organizëm të vetëm që do të vëzhgojë bankat brenda gjithë Eurozonës.
Marrëveshja u arrit gjatë një takimi në Bruksel, ku merrnin pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Francois Hollande dhe kryeministri italian, Maroi Monti. Dakortësia është shprehur parimisht, ndërsa në 1 janar të vitit të ardhshëm, pritet që vendet anëtare të nisin nënshkrimin dhe ratifikimin e saj.
Sipas kësaj marrëveshje, Bankës Qendrore Europiane do t’i jepet roli i supervizorit me pushtetin për të ndërhyrë në cilëndo bankë të Eurozonës kur ky organizëm do të shohë të arsyeshme.
Pakti u arrit pas gjetjes së gjuhës së përbashkët mes Francës dhe Gjermanisë, që më herët patën disa mospërputhje në lidhje me kompetencat e organizimit që do të supervizojë financat e gjithë monedhës së përbashkët.
Propozimi fillestar gjerman u ndryshua dhe në të u përshtatën disa kërkesa të Parisit. Berlini kërkoi kufizimin e supervizimit tek bankat më të mëdha të zonës së monedhës së përbashkët, ndërsa Franca këmbënguli që të përfshihen të gjitha bankat. Në fund u vendos për këtë të dytën, ndërsa të dyja palët e cilësuan një arritje paktin.
Një ditë më parë, kancelarja Merkel shkoi akoma më larg duke kërkuar që BE-së t’i jepet e drejta e vetos mbi buxhetet kombëtare financiare të vendeve anëtare të Eurozonës.
Megjithatë, kërkesa e saj, veç Francës mori kundërshtimin edhe të Italisë. Kryeministri Monti tha se nuk është nevoja e një “super-komisari” që t’u qendrojë mbi kokë vendeve anëtare dhe e cilësoi arritje marrëveshjen e re e cila shihet nga të gjithë si një tjetër mburojë për parandalimin e krizave financiare si kjo aktualja, në të ardhmen.
top-channel.tv
Add new comment