ENEMO vlerëson zhvillimin e Zgjedhjeve të 26 Tetorit në Ukrainë.
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/9002_cache-210-166-strict-122081_3.jpg?itok=5YLD57aV)
Rrjeti Europian i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO), pjesë e të cilit janë edhe Shoqata për Kulturë Demokratike dhe KRIIK Albania, angazhoi 206 vëzhgues për monitorimin e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të 26 Tetorit 2014, në Ukrainë.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, nëpërmjet SHKD e KRIIK, angazhoi si vëzhgues në këto zgjedhje 22 aktivistë të vet, konkretisht 4 Vëzhgues Afatgjatë dhe 18 Vëzhgues Afatshkurtër.
ENEMO përveç monitorimit të periudhës parazgjedhore, monitoroi edhe të gjitha fazat e procesit të votimit, duke përfshirë hapjen, votimin, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve në Qendrat e Votimit dhe në Komisionet Rajonale të Votimit (KRV).
ENEMO vlerësoi paraprakisht se votimet e 26 tetorit u zhvilluan në një mënyrë transparente dhe efikase, dhe në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare. U vunë re disa parregullsi por që nuk kanë ndikim në rezultatin përfundimtar, veçanërisht gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.
Autoritetet Zgjedhore, veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të zhvilluar zgjedhjet dhe lejuar që votuesit të hidhin votën e tyre në një klimë sigurie dhe politike komplekse, duke përmbushur afatet e shkurtra kohore lidhur me karakterin e këtyre zgjedhjeve.
Misioni i ENEMO-s thekson nevojën për vazhdim të mëtejshëm të diskutimeve të hapura dhe gjithëpërfshirëse mbi reformën zgjedhore me pjesëmarrjen e një game të gjerë aktorësh, duke përfshirë shoqërinë civile, në mënyrë që legjislacioni zgjedhor të përmirësohet dhe harmonizohet.
Veç kësaj, ENEMO rekomandon rritjen e profesionalizmit të administratës zgjedhore rajonale, të paktën në nivel menaxhimi, e cila do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve institucionale të Komisionet Rajonale të Votimit (KRV).
Misioni i Vëzhgimit Ndërkombëtar të ENEMO për Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare në Ukrainë, mbështetet nga Instituti Demokratik Amerikan për Çështjet Ndërkombëtare, USAID, Zyra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut e Departamentit të Shtetit - SHBA, Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kiev, si dhe Fondi i Zhvillimit Europian të BE-së.
Add new comment