Diabeti epidemi, në Shqipëri 55 mijë persona të prekur

Mbi 55 mijë persona në vendin tonë janë zyrtarisht të prekur nga sëmundja e diabetit. Kjo sëmundje sipas endokrinologut, Florian Toti në kohë shumë të afërt parashikohet, të përhapet si epidemi, pasi çdo ditë jo vetëm në botë, por dhe në vendin tonë, shtohen me dhjetra pacientë. Toti e mbështet parashikimin e tij në faktin se po nuk parandalua mbipesha tek fëmijët, këta të fundit do të jenë kontigjenti, që do të shtojnë numrin e diabetikëve.
"Shifrat e fundit flasin për rreth 55 mijë diabetikë të diagnostikuar dhe të trajtuar. Thuhet që për çdo person të diagnostikuar me diabet, ka të paktën një ose dy persona të tjerë janë me diabet, por që nuk njihen. Pra, shifra reale e personave me diabet duhet të jetë 100-120 mijë. Po shtohen fëmijët obezë. Ky numër i fëmijëve obezë përbën atë depozitën e madhe që do furnizojë nesër rastet e reja me diabet dhe po nuk u ndalua ky shtim në peshë nuk do të ndalohet as epidemia",-tha Toti.
Gjatë verës diabetikët duhet të tregojnë kujdes në lidhje me konsuminin e lëngjeve, pasi nga vapa thotë Toti shtohet etja dhe për pasojë këta të sëmurë nuk duhet pijnë asgjë tjetër vetëm, ujë. Ndërsa duhet të konsumojnë më shumë perime dhe fruta, pasi këto të fundit, që janë prodhim I këtij sezoni nuk janë shumë të ëmbla.
"Kuptohet që duke filluar vapa, njerëzit kanë tendencën që të përdorin më tepër lëngje sepse i kërkon trupi për shkak të djersitjes dhe nëse do të përdoren lëngje të sheqerosura, personat me diabet kuptohet që mund mund të jenë të rrezikuar që të kenë glicemi më të lartë. Nëse përdorim 1.5 lëngje pra ujë, gjatë verës kjo sasi shkon në 2-2.5 litra, thjesht ujë, pa shtuar elementë të tjerë. Pra, nuk është se ne mund të përdorim 1 litër dhallë sepse në fund të fundit kemi marrë aq sheqer sa kanë 2-3 feta bukë",-theksoi ai.
Lëvizja në vapë bëhet më e vështirë për gjithë qytetarët, por të sëmurët diabetikë nuk duhet të pezullojnë aktivitetin fizik. Mjeku, Toti thotë se ata duhet të kryejnë ecje, por dhe ushtrime të alternuara pas orës 19, kur dhe tempertuarat të jenë ulur.
Albanian Screen
Add new comment