Darka e deputetëve të PD-së, darovitje lekësh dhe valle popullore deri në mesnatë

Deputetët demokratë kanë festuar dje në Hotel Tirana mbylljen e sesionit parlamentar dhe festat e Fundvitit me një darkë të organizuar nga kryetarja Topalli. Megjithëse pa pjesën më të madhe të aleatëve dhe opozitën, darka ka zgjatur deri afër mesnatës. Siç ndodh në festat e fundvitit, atmosfera ka qenë e ndezur edhe në sajë të muzikës së luajtur nga DJ-i dhe këngëtarja Xhoi Bejko, e ftuar me këtë rast. Por përveç Xhoit dhe DJ-it, interpretimet e të cilëve kanë çliruar atmosferën, deputetët e PD kanë qenë vetë shumë aktivë me kërcimet e tyre si të muzikës së lehtë dhe me vallet popullore shqiptare (veçanërisht me Pogonishten). Në disa nga këto valle që njihen mirë nga deputetët e PD-së mësohet se janë darovitur (hedhur) edhe shuma jo të vogla lekësh, sipas zakonit shqiptar të këtyre viteve të fundit, në raste gëzimesh dhe festash. Për të thyer akullin e fillimit mësohet se edhe kryetarja Topalli ka qenë një ndër zonjat e pranishme që ka qenë aktive në kërcimet e mbrëmjes së djeshme. Ndërsa kryeministri Berisha, i cili ka shkuar në darkë me vonesë, ka mbajtur një fjalë të shkurtër për ngjarjet e këtij viti dhe sigurisht për sfidat politike të grupit parlamentar gjatë vitit të ri.
Mungesat
Jo vetëm opozita, por edhe aleatët në qeverisje e kanë bojkotuar darkën e shtruar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli me rastin e mbylljes të sesionit parlamentar dhe festave të fundvitit. Madje mungesa ka pasur edhe nga grupi i PD-së. Numri dy i Partisë Demokratike, Astrit Patozi nuk ka qenë i pranishëm në festën e Kuvendit, për shkak të intervistës së djeshme në Top Story. Ndërsa kryeministri ka shkuar në Hotel Tirana ku mbahej darka, por një orë e gjysmë pasi ajo kishte filluar. Ai që ka hyrë i pari në ambientet e Hotel Tiranës ka qenë deputeti i pavarur Kastriot Islami, dhe pas tij menjëherë ka qenë Ndue Paluca, deputeti i PD. Më pas kanë mbërritur Ardian Turku, Kreshnik Çipi, Mesila Doda, Ilir Rusmajli, Vikitor Gumi, Fatos Hoxha, Rajmonda Bulku, Majlinda Bregu. Rreth orës 19:50 ka mbërritur edhe kryeparlamentarja Topalli e veshur me një fustan jeshil, xhaketë të zezë dhe këpucë të zeza. Ndërsa nga PDIU është parë vetëm deputeti Dashamir Tahiri. Mbrëmja që zyrtarisht nisi në orën 20:00 është lënë shumë shpejt nga disa deputetë, Mark Marku, Selami Xhepa, Ilir Rusmajli, Enkelejd Alibeaj, të cilët u larguan treçerek ore pas nisjes së festës, ndërkohë që deputetët e tjerë kanë filluar të kërcejnë nën vokalin e këngëtares …
Aleatët dhe opozita
Në darkën e organizuar për festat e fundvitit nuk kanë marrë pjesë as aleatët e PD. Kështu katër deputetët e LSI kanë pasur një tjetër impenjim festiv paralelisht, ndaj kanë munguar dje. Po kështu edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka munguar në mbrëmjen e Kuvendnit. Gjithashtu edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, nuk i është përgjigjur festës së Topallit. Ndërsa PS e mori vendimin që në seancë plenare për të bojkotuar këtë mbrëmje luksi, siç e quajti Taulant Balla, i cili paraditen e djeshme i kërkoi Topallit që të anulonte festën dhe këto fonde të shkojnë për familjet në nevojë. Kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, duke thënë se deputetët e majtë nuk do të shkonin në darkën e Kuvendit, ka kërkuar që shpenzimet për ta të kalonin për tre familje në nevojë. Por Topalli ka replikuar menjëherë duke i thënë se “nëse ju doni të jepni ndihmë për nevojtarët, unë do ua mbaj nga rroga, ashtu siç do të bëj me deputetët e mazhorancës, por mos vini nesër dhe më kërkoni paratë.”
Mapo, Fernada Cenko
Add new comment