Athinë, mijëra grekë në protestë kundër masave ekonomike

Postuar në 26 Shtator, 2012 06:38

Mijëra qytetarë grekë u mblodhën në qendër të Athinës për të protestuar kundër masave shtrënguese ekonomike, të përgatitura nga qeveria Samaras me kërkesë të Trojkës. 

Protesta është organizuar nga sindikatat e sektorit publik dhe privat, ndërkohë që qendra e Athinës është nën kordonin e policisë dhe rrugët që të lidhin me të, janë të mbyllura. Më shumë se 2 500 policë, ndodhen në qendër të qytetit për të parandaluar trazirat. Urdhërat e dhëna nga drejtoria e policisë janë të qarta; të shmangen incidentet dhe të ndërhyhet vetëm nëse është e domosdoshme. Në gatishmëri është makina e ujit, që do të shfrytëzohet vetëm në rast emergjence. Persona të maskuar kanë provokuar policinë duke e qëlluar me shishe Molotov.

Në tubim merrte pjesë edhe kreu i SYRIZA, Aleksis Tsipras, i cili deklaroi ndër të tjera se "koalicioni Samaras nuk mund të mbrojë interesat themelore të shoqërisë greke, toleron dhe nënshkruan masa barbare. Nuk mund të lejojmë që Greqia të konvertohet në një varrezë të madhe shoqërore". 

Protesta zhvillohet në kuadër të grevës 24 orëshe, që kanë shpallur sindikatat, si pasojë e të cilave, çdo sektor në Greqi sot është paralizuar krejtësisht. Në grevë marrin pjesë nëpunësit e zyrave tatimore, të urbanistikës, të pushtetit Lokal dhe ndërmarrjeve të shërbimeve komunale, inspektorët tatimorë, doktorët dhe infermierët, juristët, inxhinierët, mësuesit dhe punonjësit e bankave. Në grevë janë punonjësit e doganave dhe aeroporteve. Për shkak të ndalesës së punës së punonjësve në Shërbimin e Aviacionit Civil, nga ora 10:00 deri në orën 13:00, pati ndryshime në fluturimet e avionëve. Marrin pjesë në grevë edhe punonjësit e Hekurudhave e Federata e marinarëve. Protestës i është bashkuar edhe Konfederata e Përgjithshme e profesionistëve, zejtarëve dhe tregtarëve, me mbylljen e bizneseve dhe dyqaneve deri në orën 15:00. 

Ndërkohë paketa e masave të dhimbshme ekonomike është drejt përfundimit. Dje kryeministri Antonis Samaras mblodhi shtabin ekonomik, për të “kyçur” masat 13,6 miliardë euro (11,6 miliardë euro nga shkurtimet dhe 2 miliardë euro nga masat fiskale). Në paketë përfshihen të gjitha shkurtimet dhe masat e dhimbshme, që kanë shkaktuar këtë reagim të qytetarëve, që nga shkarkimi nga puna i punonjësve në sektorin publik, ulja e pagave, pensioneve, rritja e moshës për daljen në pension, etj. 

Në mesin e grupeve parlamentare të partive që mbështesin qeverinë ka probleme, sepse nuk janë të paktë ata deputetë që nuk duken të gatshëm për të pranuar shkurtime horizontale në pagat dhe pensionet.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.