Arrestohet kosovari kishte përfituar mijëra euro me anë të mashtrimit

Postuar në 15 Maj, 2014 08:40

Efektivët e Policisë kriminale të Burrelit kanë arrestuar mesnatën e kaluar 25 vjeçarin nga Gjilani i Kosovës, Liridon Salihi, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare që vjeshtën e vitit të kaluar. Ai akuzohet se mashtronte kryesisht pronarë të salloneve të bukurisë, gjoja për t’u reklamuar punën e tyre.
 
Burime policore bëjnë me dije se aktiviteti i Salihit ka nisur gushtin e vitit 2013, në qytetin e Sarandës, dhe ka përfunduar pasditen e 10 majit 2014, në qytetin e Peshkopisë, duke përfituar mijëra euro me mashtrime. Me 27 gusht 2013 Salihi i ka vjedhur nëpërmjet mashtrimit 1500 euro një qytetari të Sarandës.
 
Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar në qytetin e Vlorës ka mashtruar shtetasin E.K. duke i marrë 4500 euro. Që atëherë ai ishte shpallur në kërkim policor. Ndoshta kjo ka bërë që Liridon Salihi të sigurojë, në rrugë të paligjshme, një pasaportë fallco me emrin E. Dinellari.
 
Gjeneralitetet e kësaj pasaporte përkojnë me një shtetas nga Elbasani, i cili është deportuar gjashtë muaj më parë nga Greqia. Më 29 prill 2014 shtetasi kosovar ka mbërritur në qytetin e Librazhdit dhe nëpërmjet mashtrimit ka gënjyer tre shtetas, duke përfituar padrejtësisht një shumë të mirë të hollash.
 
Udhëtimi i fundit i mashtruesit nga Kosova është mbyllur mesnatën e të shtunës, duke gdhirë e diela.
“Mbrëmjen e të shtunës policia e Dibrës na njofton se duhet të ndiqnim një taksi që vinte nga Peshkopia drejt Burrelit. Na u tha se është një person që mashtron parukieret dhe u merr para atyre duke u premtuar reklamim të biznesit. Rreth orës 02.30, të datës 11 maj 2014 zbuluam hotelin ku ishte sistemuar shtetasi nga Kosova. Vajtëm atje dhe pasi komunikuam me pronarin e hotelit, në periferi të Burrelit, bëmë arrestimin e kosovarit të shumëkërkuar nga policia shqiptare. Në momentin e ndalimit nuk bëri rezistencë. Iu bllokuan në cilësinë e provës materiale disa euro dhe disa kontrata që ai kishte plotësuar me sallonet e bukurisë, në qytete të ndryshme të vendit”-tha një zyrtar lokal i policisë së Matit.
 
Ndërkohë njëra nga “viktimat” e këtij mashtruesi, parukiere në lagjen “P. Budi” Burrel tha se disa orë para arrestimit kishte kontaktuar me këtë shtetas dhe në dijeninë e saj ishte një menaxher nga qyteti i Elbasanit që u kërkonte atyre para në këmbim të reklamimit të salloneve të bukurisë.
 
“Ju mund të sillni te lokali im, që do të ndërtoj në Milot, buzë Rrugës së Kombit, deri në 10 femra që do të sfilojnë, po do të jenë të zbukuruar nga ana juaj. Mund të vini dhe vetë aty. Kështu ju shfaqni talentin tuaj në sy të tjerëve. Në këmbim të kësaj pune mua duhet t’më jepni 200-300 euro. Mund të nënshkruajmë dhe kontratë bashkë.”-besohet t’u ketë thënë kosovari mashtrues parukierëve të Dibrës e Burrelit.
 
Hetimet për zbardhjen e aktivitetit kriminal të këtij shtetasi vijojnë. Madje po hetohet dhe lidhjet e tij të mundshme me shtetasin nga Elbasani, nëse ai i ka dhënë pasaportën e tij Salihit, apo “struktura” të tjera i kanë shërbyer me pasaportë fallco.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.