Amnistia për 100 vjetorin, ‘hapen’ burgjet

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar sot hapjen e dyerve të burgjeve për të gjithë ata që përfitojnë nga amnistia në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mësohet se procedura e lirimit të tyre në kuadër të kësaj faljeje do të zgjasë deri në orët e mesnatës së sotme, ndërkohë që raportohet se janë marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, që gjithçka të bëhet konform rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Dita e sotme u ka kthyer lirinë 220 personave të dënuar dhe u ka ulur masën e dënimit 160 të tjerëve. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve servirën këto shifra, si persona që përfitojnë nga ligji “Për dhënie amnistie”, i miratuar në Parlament më 8 nëntor 2012.
“Rreth 220 persona me liri të kufizuar do të përjashtohen nga ndjekja penale, vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit, sipas kritereve të dispozitave të ligjit të amnistisë, ndërsa 160 të tjerëve u zbritet një e katërta e dënimit të mbetur. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik”, njoftoi dje Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Burime pranë këtij institucioni bënë të ditur se pas miratimit të ligjit për amnistinë të gjitha drejtoritë juridike në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në vend kanë “filtruar” kushtet e të dënuarve, duke listuar emrat e personave që përmbushnin kriteret për të përfituar nga amnistia.
Panorama
Add new comment