Amnistia, gratë e dënuara në fokus të pr/ligjit.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bledar Skënderi garantoi sot se gratë dhe vajzat e burgosura do jenë në fokus të Pr/ligjit të amnistisë.
I pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me rastin e festës së 8-të marsit, në Institucionin e Ekzekutimit Penal “Ali Demi”, Skënderi vlerësoi si të rëndësishëm rolin e zonjave në shoqëri. “Dënimi me burg i një vajze apo nëne është shumë e rëndë, jo vetëm për të e familjen e saj, por edhe për shoqërinë në tërësi.
Shoqëria jonë është e përbërë nga rregulla të cilat duhet të respektohen nga të gjithë, pasi kjo është rruga që përmirëson shoqëritë dhe vendet. Një vend i zhvilluar di të fal dhe në radhë të parë të falë ato që dhurojnë jetën, prandaj ju garantoj se Pr/ligji për amnistinë që po diskutohet në kuvend do të ketë në fokus zonjat dhe zonjushat e dënuara”, theksoi Skënderi.
E pranishme në këtë aktivitet, ishte dhe shkrimtarja Flutura Açka, e cila dhuroi libra për gratë e dënuara dhe zhvilloi një bisedë të hapur me fokus të drejtat e grave dhe ndihma që jep letërsia në proçesin e rehabilitimit. “Gjatë jetës njerëzit kalojnë shumë vështirësi, të mos jesh e lirë është një nga sprovat më të mëdha të jetës, por ju mund ta kaloni këtë duke shkruar, pasi lirinë e mendjes askush nuk ja u mohon dot”, theksoi ajo.
Sakaq, Drejtoria e Përgjithshme e Burgje,ve në bashkëpunim me institucionet vendore me rastin e festës së 8-të marsit, festa e gruas, ka organizuar një sërë aktivitetesh në disa prej Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në vend.
Add new comment