Dritat e Beogradit kanë rëndësi rajonale

Postuar në 18 Janar, 2025 21:11
Skerdilajd Zaimi

 

Duket se opozitarizmi në Ballkanin Perëndimor ka ende shpresë. Shpresa sot është strehuar në Serbi. Nuk po hyjmë në kualifikimin e pikëpamjeve politike apo ideoogjike të opozitës së atjeshme, por për aftësinë e dëshmuar në galvanizimin e një fryme që po e detyron Aleksander Vucic, këtë akrobat të dy botëve, këtë realist të duruar të të gjitha punëve që përtej suksesit në rehabilitimin e pozicionit ndërkombëtar të Serbisë, ritmit ekonomik dhe rivlerësimit të saj gjeopolitik, ka gozhduar frymëmarrjen e shpresës se gjërat mund të ndryshojnë.

A nuk jemi edhe ne kaq të familjarizuar me këtë gjendje kllapie që ka përgjegjësi të dyfishtë: qeveria nga njëra anë dhe pseudo-opozita nga ana tjetër? Protestat e pandalshme që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare serbe, përforcuar nga aksidenti i Novi Sadit, kanë shpërfillur çdo truk politik për mbështetje të Vucic nga të gjitha anët, ndoshta sepse ka dominuar ideja themelore se janë qytetarët që duan të vendosin për veten. Protesta e djeshme e studentëve dhe sidomos humbja e qartë e qetësisë nga autoritetet, kanë detyruar sot kryeministrin Milos Vucecvic të deklarojë se në pikëpyetje është shkatërrimi i shtetit.

Pa masat e autoriteteve ne mund të biem në situatën ku çdokush bën çfarë do, pa përgjegjësi. Në këtë mënyrë, sistemi ligjor zhbëhet dhe në një mënyrë shteti zhduket dhe dëshirat apo ëndrrat e të gjithëve atyre që nuk ia duan të mirën vendit tonë, realizohen. Për fat të keq, numri i këtyre të fundit në rajon nuk është i vogël. Edhe sot, një numër jo i vogël njerëzish që nuk kanë hyrë si turistë në Serbi janë ende këtu

citon “Tanjug” Vucevic.

Po si erdhi situata këtu? Si u mbërrit në pikën kur Serbia diskuton sigurinë shtetërore nga zhvillimet e brendshme? Përgjigja është vetëm një: nuk mund të blihet një shoqëri e tërë me sigurinë e konsumit. Siguria e tjerrë si tezë kryesore në një shtet përfundon në legjitimimin e çdo opresioni, i cili në kohën tonë është sidomos psikologjik. Në këtë kuadër merr vlerë të shtuar dhe jetike demokracia, funksionimi i saj real dhe jo nga simulimi saj përmes “cirkut të zgjedhjeve” siç e quajti pak kohë më parë ish-ministri për Policinë, Bozo Prelevic.

Cili është sot avantazhi strategjik i opozitës serbe në raport me klimën e opozitarizmit në Shqipëri? Në Serbi opozita ka së paku një atu të pamohueshme: ajo do pushtetin nëse nuk do ndryshimin. Dhe pushteti i ri do sjellë patjetër çmontimin e infrastrukturës së ngritur nga “miku Aleksander”. Ta kërkosh këtë, edhe përmes protestave jo të dhunshme, nuk do të thotë se ke përfshirë vendin në luftë hibride siç ankohej javë më parë Ivica Dacic.

Në Shqipëri opozita luan në WC-në e pushtetit për të mbetur opozitë, që mandej të asgjësohet reforma në drejtësi, të ruhet pasuria e vjedhur dhe teatri i qyqeve të kënetës të vazhdojë pambarim. E kujtoni sesi gazetarë apo analistë mbronin fitoren prej Sali Berishës të 500 mijë votave në zgjedhjet e fundit?

Është kjo arsyeja pse vala e protestës në Beograd dhe Novi Sad, megjithë instrumentalizimin që nuk mund të injorohet, ka rëndësi rajonale. Sigurisht që një kryeministër dhe një president ka informacione të shumëanshme për të identifikuar në morinë e arsyeve të rebelimit edhe ato që nuk e duan shtetësinë e vendit, por këtu po flasim për një klimë distopie intelektuale dhe emocionale që është instaluar në rajon në emër të sigurisë. Në emër të paqes, pra në emër të zhvlerësimit karakteristik për ballkanasit si njerëz dhe shoqëri që meritojnë të lihen të lehin deri në një nivel të caktuar.

Megjithatë duhet të mbetemi optimistë. Ta detyrojmë veten të jemi të tillë deri në frymën e fundit sepse herët apo vonë, ndërgjegja e ndrojtur e të paktëve do të gjejë terrenin për veprim dhe ata që sot duken të paprekshëm do t’i shohim sesi dridhen, gënjejnë hapur apo edhe ikin. Dielli lind në Lindje dhe perëndon në Perëndim. Për këtë nuk mund të gënjejë dot askush.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.