Trump çliron fondet për projektet jashtë ShBA
Zyra e buxhetit e Presidentit Donald Trump të mërkurën anuloi një memo që ngrinte shpenzimet për grantet federale, më pak se dy ditë pasi vendimi shkaktoi konfuzion të gjerë dhe sfida ligjore në të gjithë vendin.
Mbetet ende e paqartë se çfarë ndikoi në përmbysjen e vendimit, megjithatë në dokumentin e ri thuhet: "Memorandumi i OMB M-25-13 është anuluar".
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt tha në X se ndërsa memoja e mëparsheme ishte anuluar, do të mbeten në fuqi urdhrat ekzekutivë të Presidentit për ndihmën e huaj për fusha si diversiteti, barazia dhe ndryshimet klimatike.
Zyrtarët e administratës thanë se njoftimi për ndalimin e huave dhe granteve ishte i nevojshëm për të kryer një rishikim, me qëllim sigurimin që shpenzimet përputhen me urdhrat e fundit ekzekutivë të Trumpit.
Agjencive u kërkohej t’u përgjigjeshin një sërë pyetjesh, me “po” ose “jo” për çdo program federal deri më 7 shkurt. Pyetjet përfshinin "a promovon ky program ideologjinë gjinore?" dhe "a promovon apo mbështet në ndonjë mënyrë ky program abortin?"
Ngrirja ishte planifikuar të hynte në fuqi në orën 17:00 të së martës, por u ndal nga një gjykatës federal të paktën deri të hënën pas një seance urgjente të kërkuar nga grupet jofitimprurëse që marrin grante federale. Një padi shtesë nga prokurorët e përgjithshëm të shtetit demokrat është gjithashtu në proces.
Add new comment