Shqipëri Lapidarësh

Postuar në 17 Shtator, 2024 16:55
Skerdilajd Zaimi

 

Këtu vetëm një kaziono mund të bësh. Nuk ke çfarë bën tjetër!

Fjalinë e dëgjova nga një grup prej tre të rinjsh, dy djem dhe një vajzë, duke dalë nga ajo që në Durrës njihet si Vila e Zogut. Është një pikë tërheqëse për shumëkënd dhe është ndërtuar sipas "parimit arkitektonik" italian, që kap kryesisht pikat e larta.

Vila në fakt është diçka që përkon me statusin e një pasaniku, por nuk ka asgjë mbretërore. Ajo të kujton sadopak vilën verore të Papëve në Castelgandolfo, që gërsheton në mënyrë të përkryer hapësirën e oborrit, aspektin funksional me një luks të përmbajtur. Patjetër që organizimi I interirerit është në të dy rastet i zgjidhur mirë; madje te Vila e Zogut ballkonet ekzistojnë në të gjitha anët e fasadës.

Vila është ndërtuar në vitin 1925 dhe bashkë me Vilën e Shirokës, atë në Tiranë si dhe Pallatin e Brigadave, përfaqësojnë me gjasë majën e asaj që mund ta quajmë arkitektura e kohës së Monarkisë. Gjithçka italiane thuajse në to; modeli, ngjyrat e fasadës hapësira, pozicioni. Në këtë kuadër arkitektura në fjalë ka rëndësi për historinë e urbanistikës në Shqipëri, por edhe të mënyrës së re të organizimit të jetës.

Aktualisht vila e Zogut është shitur te një biznesmen shqiptar që ka vënë aty një roje që të thotë se është njeri i mirë dhe nuk do të duket si maskara pasi të kërkon lekët e biletës për të hyrë.

Shkatërrimi i brendshëm është fantastik: nuk është raciste të thuash se asgjësimi i suvasë, tavanëve, dekorimeve, pllakave të mermerit të kolonave dekorative, flet për një pasion të veçantë. Të duket se ndër ne, prishja është ndër ato cilësi të lindura që ngjan me instinktin e fëmijës që kërkon gjoksin e nënës. E njëjta teknikë asgjësuese deri në detaj u dëshmua në objektet publike gjatë vitit 1997.

Hotel Turizmi, teatri i kukullave, bashkitë, bibliotekat, komisariatet, apo repartet panë të njëjtën aftësi depërtuese, të njëjtën kirurgji shkatërruese që nis nga dyert përfundon te kutitë shpërndarëse në mure. Mobiljet, rubinetat, tubacionet, kaloriferët, sixhadet e pllakat e dyshemesë. Brenda një dy orëshi një objekt “ikonik” e ndryshon statusin në gërmadhë, diçka teknikisht, cilësisht, estetikisht dhe për pasojë Etikisht e ndryshme nga Rrënoja.

Ne nuk kemi rrënoja të mirëfillta të qytetërimit tonë. “Poliset” antike si Butrinit dhe Apollonia nuk na përkasin dhe as u përkasim. Ne nuk kemi rrënoja të ariktekturës civile mesjetare, shtëpi, mullinj, ura. Pak të kohës otomane si disa saraje, edhe këto gërmadha. Statusi i gërmadhës nuk buron vetëm nga shkatërrimi imediat, por edhe nga braktisja e qëllimshme, harresa në çastin e likujdimit, çka kërkon jo vetëm një Pse, por edhe një studim mbi psikologjinë në veprim.

Nëse pyet, të thonë se askush nuk është kujtuar ta kthejë Vilën e Zogut në monument kulture. As atë të Shirokës. Pallati i Brigadave ka 80 vjet i uzurpuar dhe është në përdorim, ndërkohë që objekte të tjera të elitës së vjetër, si sarajet e Këlcyrajve janë janë braktisur në shkatërrim.

Kjo lloj harrese dhe kjo kulturë për të investuar në shpërbërjen e kujtesës për një periudhë, është e vështirë të mos vihet në kontekst të një lloj agjende, apo një lloj prirjeje kulturore dhe politike. Sepse u bënë tashmë 33 vjet që Shqipëria përshkruhet në relacion me arkitekturën dhe urbanistikën pas Monarkike: Shqipëria e bunkerëve, e Enver Hoxhës, e Diktaturës, e pallateve parafabrikate, e sheshit “Skënderbej”, e kështu me radhë. Në fakt ky është edhe një lloj promovimi që buron nga përsëritja e disa tropeve që bëhen klishe për të ardhur e riaktualizuar në suazën e Turizmit që kërkon përherë destinacione të reja, që e rishpik ekzotiken për nevoja fitimi.

Është pra paradoksale kur sheh sesi bëhet kalimi funksional i objekteve dhe terrenit nga një destinacion në tjetrin duke përmbushur kështu një narracion historik të vetvetishëm që e redukton regjistrin e së vërtetës mbi shtratin e së Dukshmes.

Dhe kjo E Dukshme mbijeton apo zhbëhet në këtë vend duke ndjekur disa parime që lidhen me konsumin, jo historinë.

Antiteza e Vilës së Zogut janë lapidarët e shumtë të kohës së Hoxhës, apo magazinat dhe depot: të dallueshëm nga përdorimi masiv i betonit, thjeshtësia spartane e fasadës që flet për një objekt që strehon apo simbolizon diçka, e zhveshur nga çdo cilësi për lakmi.

Lapidarët i has kudo; të thjeshtë, me të nëjtën ngjyrë; të vendosur në pozicione të dukshme, por përherë me një lloj përultësie që nuk i ndërhyn askund asnjë lloj “zhvillimi”. Është kurioze të shohësh sesi këto objekte i shpëtuan “urrejtjes së një populli antikomunist”, por arsyeja ndoshta do kërkuar pikërisht te fakti se ato nuk kanë asgjë prej dyqani. Asgjë për të marrë, asgjë për të dhënë. Ato nuk shesin asgjë, veç Historisë. Apo Historiografisë. Thjesht janë aty, në kujtesë të disa ngjarjeve – edhe të manipuluara- që nuk i “hyjnë në punë kujt” më. Dhe kështu teksa koha ikën merr me vete shumëçka, në këmbë qëndrojnë ato që në fakt i harron uria jonë shkatërruese, për të ardhur e marrë vlerë referimi pikërisht sepse dikur, përsëritja do të nisë t’i zbardhë brendinë objekteve të tillë. 

E duke rimarrë vlerën e tyre të historisë, kjo Shqipëri e bunkerëve, lapidarëve dhe koçekëve të kooperativave, vijon të marrë formën e një ishulli në vijën e historisë që është ndërprerë. Njeriu shqiptar nuk gjen më asgjë përtej kësaj skene që të interpretojë, pyesë dhe kërkojë për historinë, të cilën e ka asgjësuar edhe me duart e veta. Është një lloj genocidi historiografik që lidhet ngushtë me një Cancel Culture, më të parën ndoshta në botë, e cila në dallim nga Perëndimi ku pretendon “Korrigjimin” është vetëpagëzuar me mbivendosje dhe asgjësim.

Vila e Zogut mund të jetë një kazino interesante nën tavanë dhe mure të reja, poshtë të cilave nuk ka më asgjë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.